Ambasadorja e lumturisë në UNESCO, leksion te “Luarasi”

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 14.11.2017 

http://www.panorama.com.al/ambasadorja-e-lumturise-ne-unesco-leksion-te-luarasi/

“Nëse ju arrini të inspironi të tjerët të ëndërrojnë më tepër, të mësojnë më tepër dhe të bëjnë më tepër, ju jeni një lider”.

Me këtë mesazh të ishpresidentit të SHBA-ve, Adams, iu drejtua dje studentëve të Kolegjit Universitar “Luarasi” lektorja nga Amerika, Maura Sweeneye, e njohur ndryshe si ambasadore e lumturisë në UNESCO. Sipas Sweeney, një lider nuk mund të konceptohet i shkëputur nga trinomi: dinjitet, ndikim dhe përfaqësim. Vetëm duke zotëruar këto tipare, atëherë mund të jeni të suksesshëm.

SUKSESI

Në një leksion të hapur me studentët e “Luarasi”, Sweeneye ka ndarë përvojën e saj rreth lidershipit e influencës, duke treguar rrugën që duhet të përshkojë gjithsesi për të arritur suksesin. Sipas saj, vetëm duke bërë atë që doni të bëni, mund të krijoni vetëbesim. Ky i fundit është çelësi për të qenë të suksesshëm.

luarasi1

“Bëhuni kreativë, nxirrni në pah aftësitë tuaja më të mira. Çdokush ka një aftësi të veçantë. Këtë aftësi tregojani botës. Ushtrohuni dhe këtë gjë bëjeni vazhdimisht. E dini që disa njerëz të famshëm nuk kanë qenë në fillim shumë të talentuar, por janë munduar vazhdimisht të nxjerrin në pah më të mirën e tyre. Kur bëjmë gjërat që duam, na lind vetëbesimi, e kështu lind suksesi. Kjo ndjesi, kjo energji na lind përbrenda dhe bota thotë shikojeni atë sa energji, vetëbesim të madh që ka”.

SWEENEY

Maura Sweeney është një personalitet ndërkombëtar në fushën e medias, aktualisht e angazhuar me prestigjiozen “Huffington Post” dhe autore e disa librave mbi lumturinë dhe rrugën drejt suksesit. Prej disa vitesh, ajo mban titullin si ambasadore e lumturisë në UNESCO.

“Unë jam ambasadorja e lumturisë, këtë titull ma dhanë pasi fola në ditën dedikuar Nelson Mandelës. Më pyetën çfarë pune bëj. U thashë: ‘Unë punoj për veten time. Unë udhëtoj dhe shkruaj për atë që na bën të lumtur. Lumturia e brendshme është energjia jonë, është fuqia jonë, e cila transformon botën’. Në UNESCO më thanë: ‘Ne kemi një titull që duam të ta akordojmë, ti do të jesh ambasadorja e lumturisë’. Ky titull më përshtatet. Të gjithë miqtë më thonë se jam në të vërtetë një ambasadore e lumturisë me energjinë që mbart”.

Por çfarë është lumturia për Maura Sweeney dhe çfarë bën ajo për të qenë çdo ditë e motivuar? “Zgjedh të mendoj vetëm për gjërat e bukura në jetë. Edhe në ato ditë që nuk jam e lumtur, dal jashtë dhe takoj njerëz. Unë i adhuroj njerëzit. Sa herë që takoj njerëz të ndryshëm, më rritet energjia, motivimi. Këtë e them kudo që shkoj”, shprehet Sweeney, e cila ndan edhe mesazhin se si mund të gjejnë lumturinë ata të cilët mund të ndihen të pashpresë në një moment të caktuar të jetës. “Për vetëm 5 minuta në ditë bëni ato gjëra që ju bëjnë të lumtur, jo vetëm që merrni energji pozitive, por ia dilni më së miri në jetë”.