Konferenca e III-të Shkencore të Forumit të Pavarur të Rektorëve

Konferenca e III-të Shkencore të Forumit të Pavarur të Rektorëve

Përshëndetje të dashur miq të Kolegjit Universitar Luarasi,
Në datë 10 shkurt 2018, në Kolegjin Universitar “Luarasi”, u mbajt Konferenca e III-të shkencore: “15 vjet sfida të arsimit të lartë në Shqipëri”, organizuar nga Forumi i Pavarur i Rektorëve. Kjo Konferencë bëri një bilanc të 15 viteve jetë të arsimit të lartë privat në Shqipëri, të vështirësive dhe paragjykimeve të kapërcyera tashmë, falë procesit të akreditimit institucional të universiteteve.
Tryeza në të cilën ishin të ftuar të gjithë drejtuesit e universiteteve të vendit, si dhe të institucioneve me të cilat lidhet drejtpërdrejt arsimi i lartë shqiptar, trajtoi refleksione mbi aktualitetin e funksionimit të universiteteve, problematikat që i shoqërojnë ato, si dhe në bilancin e akreditimit institucional nga ekspertët britanikë, të cilët rendisin në krye të listës së më të mirëve katër universiteteve private, mes të cilëve dhe Kolegji Universitar “Luarasi”, si dhe për të shkëmbyer eksperiencat më të mira midis IAL-ve në vend.

E pranishme në këtë Konferencë ishte zj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për të cilën ky raport është i pari dokument që fut në të njëjtën sitë të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik e privat. “Vlen për t’u përmendur që të gjitha institucionet tona të arsimit të lartë jopublik kanë përfituar mesatarisht 4.2 vite akreditim në një proces që dallon një institucion nga tjetri me kohëzgjatjen e akreditimit. Kjo mundësoi për herë të parë akreditimin e universiteteve publike, si dhe unifikoi standardet e cilësisë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Janë 89 praktika të mira që kjo agjenci i ka evidentuar në institucionet e arsimit të lartë privat, 27 afirmime apo rezultate pozitive që adresohen në universitetet jopublike. Sfida e përbashkët përpara për të adresuar 72 momente që vlerësohen si dobësi e rekomandime të lëna specifikisht e duhet të përmbushen”, theksoi ndëer të tjera zj. Nikolla.
Ndërsa Prof.Dr. Et’hem Ruka, Rektor i i Kolegjit Universitar “Luarasi” vuri në dukje se vendi ynë tashmë ka dalë nga faza e lulëzimit pa kriter të universiteteve private, për të hyrë në atë të disiplinimit. Prof.Dr. Ruka theksoi se arsimi i lartë sot është i certifikuar, dhe se certifikimi i institucioneve të pavarura është përgjegjësi për të rritur cilësinë e diplomave me qëllim konkurrencën e ndershme në tregun universitar. “Jemi në një proces thellimi të reformës në fushën e arsimit. Jemi në një etapë të dytë ku shoqëria shqiptare e ka kuptuar që këto institucione që kanë mbetur nga këto filtrime janë institucione që qëndrojnë në këmbë në përputhje me ligjin e që japin diploma për të cilat ka nevojë vendi”, nënvizoi Prof.Dr. Ruka.

Në panelin e hapur të diskutimit në këtë Konferencë, drejtuesit e universiteteve hodhën dritë mbi disa nga çështjet që shqetësojnë sot universitetet, veçanërisht ato private. Ishte Prof.Dr. Tonin Gjuraj, Rektor i Universiteti Europian të Tiranës, që përmendi disa prej tyre. E para, sipas tij është mosmbledhja e Konferencës së Rektorëve. Këtë shqetësim e ngriti dhe Prof.Dr. Marenglen Spiro Rektor i Universitetit “Marin Barleti”, i cili mbështeti fort kërkesën për mbledhjen e Konferencës së Rektorëve, e cila takimin e fundit e ka shënuar prej më shumë se një viti. Në lidhje me këtë problematikë dhe garancinë e saj ministrja Nikolla shprehu angazhimin e saj maksimal.

Një tjetër shqetësim kishte të bënte me zbatimin e parimit, “një kut, një masë”, çka do të thotë zbatimin e standardeve të njëjta, si për universitetet publike dhe ato private, e kjo kërkohet që të nisë me akreditimin e programeve mësimore të degëve në universitetet publike, proces të cilit nuk i janë nënshtruar asnjëherë. Në po këtë linjë, problematikë të veçantë përbën dhe rritja e kuotave në universitetet publike, ndonëse kapacitetet pritëse janë po ato.

I pranishëm në forumin e pavarur të rektorëve, ishte edhe drejtuesi i universitetit Mjekësor të Tiranës, Prof.Dr. Arben Gjata i cili vuri në dukje se përpos vlerësimit të agjencisë britanike, tregues i punës së këtij institucioni janë kërkesat e larta nga ana e maturantëve. “Produkti që prodhojmë, besoj se është vlerësimi më i mirë. Ky universitet ka prodhuar thuajse të gjithë mjekët e Shqipërisë, ka mbajtur sistemin shëndetësor shqiptar në këmbë, madje vitet e fundit jemi bërë dhe furnitorë dhe për vendet evropiane. Do të isha më i kënaqur po të qëndronin në Shqipëri, sepse do të ketë më siguri mungesa në të ardhmen”, theksoi Prof.Dr. Gjata.

Së fundi, Prof.Dr. Et’hem Ruka, duke falenderuar pjesëmarrësit, vuri theksin te suksesi i arsimit të larte privat dhe pavarësia e këtyre institucioneve. Me këtë rast, ai bëri edhe një falënderim për pronarin e Kolegjit Universitar “Luarasi”, z. Irfan Hysenbelliu, i cili ka respektuar gjithmonë ketë parim, duke mundësuar kështu suksesin e “Luarasi” dhe garantimin e cilësisë së shërbimit në mësimdhënie.

Në datë 10 shkurt 2018, në Kolegjin Universitar “Luarasi”, u mbajt Konferenca e III-të shkencore: “15 vjet sfida të arsimit të lartë në Shqipëri”, organizuar nga Forumi i Pavarur i Rektorëve. Kjo Konferencë bëri një bilanc të 15 viteve jetë të arsimit të lartë privat në Shqipëri, të vështirësive dhe paragjykimeve të kapërcyera tashmë, falë procesit të akreditimit institucional të universiteteve.

Gepostet von Elvin Meka am Montag, 12. Februar 2018