“Luarasi” intensifikon marrëdhëniet me Universitetin e Lodz në Poloni

“Luarasi” intensifikon marrëdhëniet me Universitetin e Lodz në Poloni

Vizita e Zv. Rektorit dhe Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë PhD Altin Hoti

Bashkëpunimi i SHLUJ “Luarasi” me Universitetin e Lodz në Poloni ka nisur të konkretizohet. Zëvendës Rektori dhe Dekani i Fakultetit të Ekonomisë PhD Altin Hoti ka vizituar universitetin polak, nga data 1 deri në 5 Qershor, me qëllim intesifikimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit mes palëve. Në këtë vizitë shumë të suksesshme z. Hoti u prit nga autoritetet më të larta të universitetit, si Rektori Prof. Nykiel, Zv. Rektori për marrëdhëniet me jashtë Prof. Wysokinska dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm.

Gjatë vizitës  është diskutuar mbi çështje që kanë të bëjnë me shkëmbimet reciproke të përvojave të dy institucioneve në fushën e arsimit të lartë, si edhe është rënë dakort për konkretizimin e shpejtë të marrëveshjes së bashkëpunimit që palët kanë nënshkruar përpara disa muajve.  Në këtë kuadër u nënshkrua një marrëveshje ekzekutive me qendrën e taksave, pjesë e Universitetit të Lodz, një nga institucionet më në zë sa i takon taksimit dhe politikave të taksave në Europë, marrëveshje e cila i hap rrugë bashkëpunimit në këtë fushë, me objektiv organizimin e një strukture të ngjashme, së shpejti, edhe pranë SHLUJ “Luarasi.”

Ndërkohë që gjatë takimeve u diskutua për disa projekte të tjera konkrete me shumë vlerë si: Hapja e shkollave verore të përbashkëta; Bashkëpunimi mes studentëve dhe pedagogëve të dy universiteteve në kuadër të programit Mobility Direct, i cili ka për qëllim të zgjerojë dhe përmirësojë konceptin e mësimarrjes; Krijimi i një qendre për konsulencë në lidhje me taksat dhe politikat e taksimit në Tiranë; Botimi i një revistë të përbashkët shkencore; Organizimi i konferencave shkencore, etj.  Rëndësi e veçantë gjatë diskutimeve ju kushtua  identifikimit të mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor mes pedagogëve të dy universiteteve.

Gjatë vizitës z. Hoti mbajti edhe një leksion të hapur me temë: “Borxhi privat dhe rritja ekonomike” përpara doktorantëve të fakultetit ekonomik dhe juridik të universitetit polak, leksion i cili u prit me interes të veçantë prej tyre. Shkëmbimet e lektorëvë për leksione të hapura, trajnime apo seminare do të vijojnë edhe në të ardhmen.

Kjo vizitë është në vazhdim të përpjekjeve të SHLUJ “Luarasi” për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, në funksion të rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe ofrimit të mundësive për studentët dhe pedagogët që të përfitojnë gjerësisht nga këto projekte të përbashkëta.