“Luarasi”, leksion për sigurimin e depozitave të familjeve e bizneseve

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 14.12.2017  

http://www.panorama.com.al/luarasi-leksion-per-sigurimin-e-depozitave-te-familjeve-e-bizneseve/

Funksionet e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe roli që ky institucion luan në sigurimin e depozitave të familjeve dhe bizneseve ishin në fokus të leksionit të djeshëm zhvilluar në Kolegjin Universitar “Luarasi”.

Dekani Spaho dhe ekspertja Shkurti dje gjatë leksionit
Dekani Spaho dhe ekspertja Shkurti dje gjatë leksionit

Sipas dekanit të Fakultetit Ekonomik, prof. asoc. dr. Mateo Spaho, qëllimi i këtij aktiviteti është të afrojë botën universitare të ekonomisë me institucionet publike dhe private që merren me financën dhe sidomos me kontrollin e saj.

Ndërsa vlerësoi ASD si një institucion thelbësor në parandalimin e përhapjeve të panikut në publik që mund të lindin si pasojë e zërave për kriza bankare, Spaho tha se kjo është një mundësi e mirë për studentët e Fakultetit Ekonomik që të rrisin ndjeshëm njohuritë dhe aftësitë e tyre. Dekani gjithashtu përgëzoi Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për vullnetin e saj në përhapjen e kulturës financiare në studentët dhe shtresat rinore, të cilat do të jetojnë në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur ekonomikisht dhe financiarisht.

Gjatë orës së leksionit, mbajtur dje në ambientet e KU “Luarasi”, Marilda Shkurti e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në ASD sqaroi skemën e Sigurimit të Depozitave Bankare për studentët e “Luarasit”.

Agjencia funksionon bazuar në ligjin nr. 53/2014, “Për sigurimin e depozitave”. Qëllimi kryesor i Agjencisë është sigurimi dhe kompensimi i depozituesve në banka, por edhe në shoqëritë e kursim-kreditit. ASD mbledh një kuotë vjetore nga bankat për sigurimin e depozitave, investon mjetet e saj financiare në përputhje me parimet e likuiditetit, sigurisë dhe normës së kthimit, kryen kompensimin e depozituesve në rast se subjektet banka/SHKK, likuidohen ose falimentojnë.

ASD kompenson çdo depozitues në masën 100% dhe në çdo rast, jo më shumë se niveli maksimal i mbulimit, që është 2.5 milionë për bankat dhe 2 milionë për shoqëritë e kursim- kreditit, pavarësisht numrit të depozitave apo shumës së depozituar në çdo bankë/SHKK.

Deri më sot, ASD administron së paku 240 milionë dollarë. Këto para janë në dispozicion për të ardhur në ndihmë të çfarëdolloj problemi që sistemi bankar shqiptar do të kishte. Kolegji Universitar “Luarasi” do të vijojë të kryejë leksione të hapura me institucionet dhe shembujt e suksesit në biznes në Shqipëri e më gjerë.

Studentët e “Luarasit” do të kenë mundësi të bëjnë një pjesë të stazheve të tyre në këto institucione dhe biznese, duke mësuar nga praktikat më të mira drejtpërdrejt e jo thjesht nga sallat e auditorëve.

 

http://www.panorama.com.al/luarasi-leksion-per-sigurimin-e-depozitave-te-familjeve-e-bizneseve/