“Luarasi”, nisin zgjedhjet për Këshillin Studentor

“Luarasi”, nisin zgjedhjet për Këshillin Studentor

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 19.11.2017 

http://www.panorama.com.al/luarasi-nisin-zgjedhjet-per-keshillin-studentor/

Një javë para zgjedhjeve për përfaqësues në Këshillin Studentor, në ambientet e Kolegjit Universitar është zhvilluar një leksion i hapur për “Lidershipin dhe impaktin e eksperiencave në struktura rinore në formimin e liderëve të rinj”.

E ftuara në auditor, dr.Majlinda Keta, pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe nismëtare për projektin e qeverisë së nxënësve, vuri theksin në qëllimin e këtij organizimi, që sipas saj, është burim frymëzimi për liderët e së ardhmes.

Ndërsa vlerësoi ftesën e “Luarasit” për të qenë pjesë e leksionit të djeshëm, Keta vuri në dukje se studentët po profilizohen për të shkuar drejt tregut të punës me aftësi të suksesshme lidershipi.

“Historia e Kolegjit Universitar ‘Luarasi’ tregon se janë bërë rekrutime nga radhët e studentëve të angazhuar në Këshillat Studentore. Ky është një model suksesi që frymëzon studentët. Një rol të rëndësishëm kanë edhe të ftuarit që marrin pjesë në leksionet e hapura, që organizohen nga vetë kolegji, i cili ofron mbështetje institucionale dhe organizative për këto këshille studentore”.

Dr. Keta ndau me studentët e pranishëm këshilla lidhur me rëndësinë e përfaqësimit dhe rolin e studentëve në jetën institucionale të universitetit, por jo vetëm, ajo inspiroi tek ta kulturën e votës dhe të reagimit qytetar.

23561608_10155886897986419_1685394051907206356_n

Mes dyzimit të kahershëm nëse lider lind apo bëhesh, dr.Keta nxiti studentët për të rikujtuar rëndësinë e krijimit të një fryme bashkëpunimi dhe frymës së vlerave humane. Në kuadër të angazhimit dhe eksperiencave të saj në poste drejtuese në arsim dhe shoqëri civile, ajo u shpjegoi studentëve rolin dhe protagonizmin që duhet të kenë në etikën universitare, e cila është kusht për cilësinë e dijes.

”Partia më e mirë ku kam bërë pjesë është Partia Studentore”, u shpreh Dr. Majlinda Keta, duke ritheksuar rëndësinë e vlerave demokratike brenda një institucioni arsimor. Gjatë leksionit, u prezantuan gjithashtu modele suksesi të lidershipit rinor, ndër të cilët të zgjedhur nga studentët organizatorë ishin, Eriona Bixha, kandidate për deputete në zgjedhjet e përgjithshme 2017, dhe aktualisht Anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë, dhe Julinda Gjika, ish-Kryetare e Parlamentit Rinor Shqiptar dhe aktualisht pedagoge pranë Kolegjit Universitar “Luarasi”.

“Luarasi” ka ndër parimet bazë të tij përfshirjen e studentëve në proceset vendimmarrëse. Për ta formalizuar dhe për ta bërë sa më të prekshme dhe konkrete përfshirjen e tyre në marrjen e vendimeve për jetën studentore, funksionon prej vitesh Këshilli Studentor, e thënë ndryshe Qeveria Studentore e “Luarasit”.

Leksioni i djeshëm përkoi me afatin e fundit për dorëzimin e aplikimeve për senatorë.

“Luarasi” i fton të gjithë studentët të bëhen pjesë e këtij procesi. “Qeveria e nxënësve në Universitetin ‘Luarasi’ është një strukturë e pavarur studentësh, të cilët qeverisin dhe marrin vendime gjithnjë në bashkëpunim me universitetin. Qëllimi i këshillit në vetvete është të përfaqë- sohemi dhe të dëgjohemi sa herë që merren vendime për ne”, tha Renis Vangjeli, përfaqësues i Këshillit Studentor në KU “Luarasi”. Zgjedhjet për qeverinë studentore mbahen më datë 23 nëntor.