Ministrja Kodheli leksion tek “Luarasi”: “Sfidat ekonomike dhe juridike të NATO-s”

Ministrja Kodheli leksion tek “Luarasi”: “Sfidat ekonomike dhe juridike të NATO-s”

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodhelli ka qenë e ftuar sot në Universitetit “Luarasi”, ku ka mbajtur një leksion para studentëve dhe ka ndarë përvojën e saj në buxhetimin e dikasterit që ajo drejton, pra të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Kam pasur nderin të jap mësim në Universitetin “Luarasi”, tha Kodheli, para se të ndante me studentët disa prej pikave të rëndësishme në buxhetimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.

“Ne çojmë djem dhe vajza në Afganistan. Aty ka djem e vajza që vijnë jo vetëm nga 28 vende anëtare të NATO-s por edhe vende partnere. Të gjithë duhet të flasin një gjuhë dhe të gjithë kanë një komandant, pavarësisht cilit shtet i përkasin. Smart Defence (Mbrojtja e Zgjuar) është një shërbim me pak kosto. Pra gjithkush bën atë që di më mirë të bëjë, duke sjellë një ulje të kostos së produktit”, tha ministrja e mbrojtjes.

Duke folur për buxhetin e vitit të ardhshëm, ministrja Kodheli tha se ka një ligj organik që rregullon gjithë këtë procedurë dhe se qeveria ka respektuar afatet ligjore për pr/buxhetin e 2015. Kodheli deklaroi se për të përgatitur buxhetin është i rëndësishëm parimi i transparencës.

“Është e rëndësishme që në procesin e transparencës, të mund të shpjegohet në detaje: Pse, Sa, Si, Kur. Ajo që është me rëndësi shumë të madhe është shpenzimi me eficencë i parave të taksapaguesve shqiptarë. Ekonomitë kanë gjithmonë një problem të madh që është tregu i punës, ku janë të nevojshme investimet qoftë të huaja, qoftë të brendshme. Çfarë duhet të bëjë një vend që të tërheq investimet. Mendoj se gjëja e parë duhet të ishte siguria. Pra ne jemi një vend i mbrojtur, si vend i NATO-s, por ne duhet të investojmë për këtë mbrojtje”, tha Kodheli.

Ajo ka deklaruar se me gjithë uljen e buxhetit për vitin 2015 në krahasim me vitin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes do ti shpenzojë me eficencë këto para. “Ne do dimë ti shpenzojmë me eficencë paratë që na janë dhënë këtë vit. Megjithëse unë sot e kam buxhetin 0.84% të GDP-së, brenda kësaj shume ne do të trefishojmë shpenzimet në misione. Pra ne do të kemi trupa më shumë të gatshme për misione, për shkak të rrezikut që ekziston”, tha Kodheli.