Ora e Kodimit, “Luarasi” mbështet fushatën globale

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 06.12.2017 

http://www.panorama.com.al/ora-e-kodimit-luarasi-mbeshtet-fushaten-globale/

Në kuadër të Lëvizjes Globale “The Hour of Code – Ora e Kodimit”, e cila në vizionin e saj synon t’u mundësojë të gjithë të interesuarve të fillojnë mësimin për shkencat kompjuterike, është zhvilluar dje një leksion i hapur me studentët e Kolegjit Universitar “Luarasi”.

Për të tretin vit radhazi, kjo fushatë e iniciuar nga ish-presidenti amerikan Barack Obama është përqafuar edhe nga vendi ynë. Nëpërmjet kësaj nisme synohet aftësimi i studentëve, si dhe programuesve të rinj që jo vetëm të jenë përdorues të mirë të shkencave kompjuterike, por edhe t’i krijojnë ato, duke hedhur poshtë mitin se kodimi është aftësi e vetëm pak personave.

 

Sipas drejtuesit të Fondacionit “Real Visualz”, Denis Zavalani, qëllimi i leksionit të hapur me studentët e KU “Luarasit” është qasja e të rinjve ndaj teknologjisë së informacionit, me bindjen se njohuritë e marra do të përçohen edhe te bashkëmoshatarët e tyre.

“Ora e kodimit po zhvillohet në Universitetin ‘Luarasi’, pasi është një nga institucionet arsimore më elitare. Ne kemi ardhur këtu që të diskutojmë me studentët për përgjegjësitë sociale, njohuritë që kanë dhe ato që po përvetësojnë nëpërmjet aktivitetit të orës së kodimit, për t’i ndarë më pas këto njohuri edhe me të rinj të tjerë. Ora e kodimit është një mënyrë shumë e thjeshtuar për t’iu qasur teknologjisë së informacionit dhe për të çmitizuar kodimin, që nuk është vetëm privilegj i gjinive apo i disa personave me aftësi shumë të veçanta”, nënvizoi Zavalani.

Edhe për përgjegjësen e Departamentit të Ekonomiksit në KU “Luarasi”, dr. Aelita Mani, leksioni i djeshëm është në vazhdën e objektivave të “Luarasit” për të aftësuar studentët me risitë më të fundit, duke i bërë ata sa më kompetitivë në tregun global të punës. “Ndër objektivat të Universitetit ‘Luarasi’ është aftësimi i studentëve me risitë më të fundit të teknologjisë së informacionit për t’i bërë ata më të zotë dhe më të aftë për tregun global të punës, ku novacionet në këtë fushë po bëjnë diferencën”, tha Mani.

NISMA- Marlin Mitku, IT

Përgjatë një ore praktikë, studentët kanë mësuar të krijojnë disa kode të thjeshta, pavarësisht njohurive që kishin në shkencat kompjuterike. “Ora e Kodimit” është një prej fushatave më të mëdha mbarë- botërore deri më tani e cila, përmes teknikave të thjeshtësuara të teknologjisë, promovon mësimin e lëndës së programimit nëpër shkolla të të gjitha niveleve. Kjo nismë tashmë ka gjetur mbështetje në 180 vende të botës dhe synon të përthithë qindra miliona të interesuar.

Qëllimi nuk është të mësojë dikë të bëhet një ekspert në shkenca kompjuterike për një orë.

Por një orë është mjaftueshëm për të mësuar që shkencat kompjuterike janë argëtuese dhe kreative, të aksesueshme nga të gjitha moshat, të gjithë studentët, pavarësisht nivelit të njohurive të tyre.