Kush jemi

Prof. Dr. Aleks Luarasi themeloi “Luarasin”, fillimisht me një fakultet, atë të Drejtësisë, si një institucion të arsimit të lartë, i cili u emërtua zyrtarisht, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 611, të datës 11 shtator 2003, si:

“SHKOLLA E LARTË UNIVERSITARE JOPUBLIKE “LUARASI”

Orientimi bazë ishte kombinimi i traditës me mendimin e përparuar shkencor, produkt i studimeve serioze brenda dhe jashtë vendit, me investime afatgjata, bazuar tek puna studimore dhe kërkimi shkencor, nën moton: “Ne vlerësojmë traditën, kuptojmë të tashmen, përgatisim të ardhmen!”

“Luarasi” – “familja” jonë e përbashkët, ka tashmë mbi 1.300 studentë të diplomuar ndër vite.

Rreth një dekadë aktivitet nuk është shumë në jetën e një institucioni të Arsimit të Lartë, por është e rëndësishme se si janë vendosur gurët e themelit, cilat janë objektivat dhe ambiciet, energjia dhe motivimi. Kuptimi mbi jetën akademike dhe kohën e saj ka një relativitet pozitiv, sepse nëse pedagogët që lektrojnë në auditorë kanë një eksperiencë pune disadekadëshe, atëherë mosha e universitetit zgjerohet duke kaluar cakun e dekadës së parë. Nëse tekstet mësimore, literatura e rekomanduar, syllabus-et, kurrikulat, zbresin poshtë në histori me vite, dekada dhe problematika historike institucionale shekullore, atëherë, mosha reale e universitetit është diçka tjetër dhe jo sa vitet e datimit zyrtar. Nëse ne me punën mësimore dhe atë të kërkimit shkencor përshpejtojmë ritmin, duke lënë pas dijet e vjetruara e përfshihemi në atë që sot në rang botëror konsiderohet si  “Revolucioni Kurrikular”, sfidë globale që synon sjelljen në auditore të mendimit më të ri të përparuar, të dijeve që përthithin në diskutim problematika të mprehta, si dhe dijen europiane të standardizuar, atëherë kemi realizuar objektivin primar për një mësimdhënie cilësore.

Pikësynimi ynë real mbetet krijimi i trinomit të gjithëtakuar në vendet e zhvilluara:

  • Dije të thella të qëndrueshme, me një kombinim në prerje shumëfushësie shkencore.
  • Kompetencë profesionale në metodologji dhe kreativitet shkencor e aplikativ.
  • Aftësi praktike për t’u orientuar në tregun e punës dhe në ndërtimin e aktiviteteve të pavarura.

Ne jemi të besueshëm, sepse studentët e “Luarasit” janë të suksesshëm në tregun e punës, duke siguruar kështu një bonus për brezat që do të vijnë.

Mbi afro 80% e studentëve të diplomuar pranë KU “Luarasi” janë punësuar në sektorin publik, privat, profesione të lira apo janë vetëpunësuar.

Nuk është e rastit që vetëm studentë të “Luarasit” kanë arritur të pranohen, nga IAL-të jopublike, nëpërmjet konkurrimit, në Shkollën e Magjistraturës.

Disa nga ish-studentët tanë janë sot pedagogë te “Luarasi”, në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”,  në Elbasan, në Shkodër, në Vlorë.

Ne jemi pjesë reale e ZEAL (Zona Europiane e Arsimit të Lartë), sepse studentët tanë po përfundojnë jo vetëm studimet Master, por edhe Doktoratura jashtë Shqipërisë, pa asnjë provim shtesë.

Ne jemi proaktivë shoqërorë, sepse shumë nga punimet shkencore më në zë, librat dhe tekstet mësimore universitare në qarkullim, janë të autorëve që lektrojnë në auditorët e “Luarasit.”

Pedagogë të “Luarasit” janë studiues skrupulozë shumëvjeçarë, në fusha të së drejtës apo ekonomisë. Falë punës së tyre me pasion dhe përkushtim, arrijnë të fusin në kurrikulat universitare me dinjitet dhe profesionalizëm, lëndë mësimore që nuk janë zhvilluar më parë, pjesë e kurrikulave të universiteteve më të mira në botë.

“Luarasi” boton revistën shkencore “MENDIMI”, me një bord të përzgjedhur drejtues. Aty botohen punime serioze nga autorë vendas e të huaj dhe publikohen edhe punime të studentëve që vijojnë studimet, apo që i kanë përfunduar ato.

Nga viti akademik 2012 – 2013, “Luarasi” ka shumëfishuar programet e studimit, duke hapur Fakultetin Ekonomik me disa degë, në nivelet “Bachelor”, “Master Shkencor” e “Master Profesional”, me një standard akademik të lartë, që respekton traditën e shkëlqyer të institucionit.

Fjalët tona, të thjeshta, por serioze e të sinqerta, janë: “Dyert tona janë të hapura! Mirë se vini në një Shkollë të Arsimit të Lartë si “Luarasi”, që të ndihmon të ndërtosh të ardhmen duke ta ushqyer mendjen me dije!”