Rruga e suksesit, profesori amerikan leksion te “Luarasi”

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 19.10.2017 

http://www.panorama.com.al/rruga-e-suksesit-profesori-amerikan-leksion-te-luarasi/

Të përshkosh rrugën e suksesit kërkohet para së gjithash të thyesh barrierat brenda vetes, të kuptosh kush je në të vërtetë, cilat janë aftësitë e tua dhe ku kërkon të arrish.

Për ekspertin e njohur amerikan të marketingut dhe brendit, Kennon Burch, vetëbesimi mbetet çelësi, ndërsa shprehja “kur unë jam përballë teje unë jam brend më i mirë sesa ty”, duhet të shërbejë si lajtmotivi për secilin që kërkon sukses.

I ftuar në një leksion të hapur me studentët e Kolegjit Universitar “Luarasi”, Burch ndau përvojën e tij, duke përçuar te të rinjtë mesazhin se për të krijuar brendin e tyre, duhet që të investojnë që në bankat e shkollës. Hapi i parë është të njohin veten dhe pikat e tyre më të forta.

1

“Identiteti juaj do të jetë vendimtar për suksesin tuaj. Sa më shumë ta njohësh veten, aq më i madh do të jetë suksesi yt. Puna ime është t’i bëj njerëzit të kuptojnë se cilat janë pikat e tyre më të forta. Sekreti i brendit është t’i bësh njerëzit rreth teje të ndihen mirë me veten e tyre kur ju kanë pranë. Për mua, ju shqiptarët jeni specialë. Jeni shqiponja. Qëndroni shqiponja”. Burch njihet si një trajnues me eksperiencë, duke shërbyer si model frymëzimi për studentët në përmbushjen e pritshmërive që kanë. Në fund të leksionit, eksperti i njohur amerikan u nderua me certifikatë mirënjohje.

Për shefen e Fakultetit të Ekonomisë në Kolegjin Universitar “Luarasi”, Aelita Mani, thelbi i leksionit të djeshëm ishte përçimi i mesazhit se si mund të jesh brend. Ndërtimi i identitetit, sipas Manit, nis që auditor dhe misioni i “Luarasit” është të formësojë liderët e së ardhmes, të përgatisë studentë të motivuar, me vetëbesim dhe para së gjithash të aftë për tregun e punës.

Luarasi1

“Gjithë thelbi i leksionit të profesorit dhe mesazhi që kërkoi të përçonte ishte se secili prej studentëve tanë duhet të krijojë brendin e tij si identitet. Karriera e tij fillon që në bankat e shkollës, ndaj që sot ata duhet të mësojnë të ndërtojnë emrin e mirë, si një brend unik në tregun e punës dhe në shoqëri. Pra, thelbi nuk është vetëm në aspektin ekonomik dhe tregtar të kompanive dhe suksesit të tyre, por formimi i individëve. Këtu ka vend edhe shprehja që profesori tha pak më herët: Kur unë jam përballë teje, unë jam brend më i mirë në raport me ty. Ne përpiqemi t’i motivojmë studentët që të dalin të inspiruar nga bankat e ‘Luarasit’. Kjo është një nga sfidat tona për të përgatitur liderë dhe profesionistë shumë të mirë. Kjo do të garantonte punësim të menjëhershëm. Dijet që marrin nga ne nuk janë vetëm letër, por praktikë dhe informacioni më i fundit nga akademia më e mirë e fushës”, tha shefja e Fakultetit Ekonomik, Aelita Mani.