Universiteti “Luarasi”, bashkëpunim me akademinë Mikrotik për teknologjinë

Universiteti “Luarasi”, bashkëpunim me akademinë Mikrotik për teknologjinë

Voltiza Duro – Universiteti “Luarasi”  vazhdon të surprizojë  me risi dhe bashkëpunime të fuqishme me kompanitë më prestigjioze në tregun e punës. Në Fakultetin më të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, studentët e vitit të parë në nivelin Bachelor janë njohur me akademinë Mikrotik. Kjo akademi do të ofrojë kombinimin e teorisë me praktikën si dhe qasjen e studentëve me bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë.  Dritan Vreshta, administrator në një prej kompanive në fushën e networkut dhe internetit, iu ka shpjeguar të rinjve mundësitë e arta që do tu ofrohen nëpërmjet këtij bashkëpunimi që është drejt finalizimit.

“Janë bërë disa përpjekje, të cilat do të rezultojnë të suksesshme shumë shpejt. Ky bashkëpunim konsiston në ngritjen e Mikrotik akademi, e cila është një kompani që krijon routera, pajisje që përdoren për network, e përdorur nga shumë vende të botës. Luarasi do të jetë universiteti që do të prodhojë kuadrot shqiptarë për tregun shqiptar dhe të huaj, për të plotësuar nevojat me ekspertë të fushës së teknologjisë së informacionit dhe inovacionit”,-tha Vreshta para studentëve të ‘Luarasi’-t.

Bashkëpunimi

Akademia Mikrotik do t’u vijë në ndihmë të gjithë studentëve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit në universitetin ‘Luarasi’ që të praktikojnë njohuritë sipas një programi që aplikohet në shumë universitete prestigjioze në mbarë botën. Dritan Vreshta thekson se në fund të praktikës, studentët do të pajisen me një certifikatë që do të njihet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel global. “Bashkëpunimi me universitetin Luarasi do të realizohet me fakultetin e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit.

Në bashkëpunim me stafin akademik dhe rektoratin dhe kemi biseduar që me studentët e bachelor-it që kanë në kurrikulën e tyre edhe lëndën e rrjetave dhe të networking, ne të bëjmë bashkëpunime me kompani që ofrojnë teknologji që përdoren aktualisht në tregun e punës. Jemi në hapat e finalizimit të bashkëpunimit që në universitetin ‘Luarasi’, në pjesën e praktikës mësimore dhe seminare, studentët të kenë mundësi të praktikojnë njohuritë që do të marrin duke u bazuar në programin e Mikrotik Akademi. Në fund të këtij programi, studentët do të mund të aplikojnë edhe për një certifikatë që do të njihet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë”,-tregon Vreshta. Ky i fundit shton që studentët e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit do të kenë mundësi që këtë praktikë ta kryejnë në laboratorët e universitetit Luarasi, por kjo njohuri mund të përdoret edhe në praktikat mësimore pranë kompanive të mëdha të teknologjisë.

Akademitë e reja

Ndërkohë zv/rektorja për kërkimin shkencor në “Luarasi”, Anni Dasho Sharko tregon se synimi kryesor është përgatitja e profesionistëve në tregun e punës, çka do të arrihet nëpërmjet krijimit të akademive Cisko, Microsoft dhe Mikrotik. “Fakulteti i ri i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit ka ardhur me një vizion të ri për studentët tanë. Ajo që kemi prioritet janë akademitë që do të operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit. Akademia e parë është akademia Cisko, e dyta Mikrosoft dhe sot (dje) kemi pasur një “Guest Lecture” nga akademia Mikrotip, duke bërë të mundur përshtatjen sa më shumë të studentëve tanë me teorinë dhe praktikën, duke bërë të mundur që biznesi të jetë sa më pranë nesh; duke bërë të mundur që studentët tanë të jenë aktivë edhe gjatë 3-vjeçarit të Bachelor-it”,-tha Dasho. Ajo më tej shtoi se synimi është që të dalin sa më shpejt ekspertët e IT-së, si në fushën networking edhe në atë të programimit. Kjo është një ndër metodat më të mira për të bërë një qasje mes teorisë, biznesit e praktikës.

Edhe në ditët në vijim, në universitetin ‘Luarasi’ do të ketë shumë të ftuar guest lecture, të cilët janë personalitete dhe ekspertë në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit për të krijuar bashkëpunime të frytshme me studentët e këtij Fakulteti. Realisht stafi akademik i “Luarasit” është në bisedime me gjithë tregun e biznesit në vend, për të bërë të mundur bashkëpunime, në mënyrë që në vitin e tretë të nivelit Bachelor, studentët të kryejnë një praktikë reale për t’i specializuar më tej. Institucioni elitar “Luarasi” vazhdon hap pas hapi me plane të mirëmenduara për të bërë të mundur përgatitjen maksimale të studentëve. Në një nëntor, Mikrotik do të mbajë të parin simpozium në Shqipëri, e të rinjtë që studiojnë në “Luarasi” do të shikojnë praktikisht sesi funksionon fusha e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit.