z. Malaj: Paketa 1 miliard USD, kujdes me prioritetet dhe kostot e fshehura

z. Malaj: Paketa 1 miliard USD, kujdes me prioritetet dhe kostot e fshehura

 

Ish-ministri i Financave dhe rektori i Universitetit “Luarasi”, Arben Malaj, kërkoi nga qeveria të bëjë kujdes në zbatimin e projektit të madh të investimeve publike me vlerë 1 miliard dollarë. Sipas Malajt, ky projekt, si një bashkëpunim i qeverisë me bankat, është një borxh me kosto më të rëndë se financimi i buxhetit apo kreditë e institucioneve financiare.

Komenti i Malajt

Paketa 1 miliard dollarë! Kujdes në përzgjedhjen profesionale të prioriteteve. Kujdes në kostot e fshehura të investimeve jashtë buxhetit. 1 miliard dollarë me burime të brendshme është një shumë e madhe dhe është një borxh me një kosto më të rëndë se financimi nga buxheti apo me kredi nga institucionet financiare. Për të eleminuar çdo rrezik në sistemin tonë bankar, bankat tregtare duhet të  vendosin në financimin e këtyre kërkesave nga garancitë e kompanive që do të aplikojnë për kredi dhe jo nga idea se është e garantuar nga qeveria.
Banka Qendrore duhet ta analizojë këtë rast me shumë përgjegjshmëri për efektet direkte dhe indirekte në ekonominë e vendit dhe në impaktin në bankat tregtare. Pak vite më parë sistemi bankar spanjoll u godit rëndë nga kreditë e dhëna për biznese të subvencionura për energjinë diellore. Sapo skema e subvencionimit ra, kreditë e këqija u rritën ndjeshëm në sistemin bankar spanjoll. Shumë vite më parë, Kroacia rriti ndjeshëm investimet publike për infrastrakturën e saj, rriti ndjeshëm deficitin publik dhe pak vite më vonë kaloi në një krizë të rëndë financiare.

Aktualisht në kushtet e krizës globale, në kohën e rritjeve të ulta ekonomike, të gjitha institucionet financiare iu kanë rekomanduar qeverive të rritin nëpërmjet buxhetit investimet e tyre publike, sidomos ato që lehtësojnë dhe rritin mbështetjen ekonomike, të etiketuara si investime të mençura (smart investment). Qeveria duhet të bëjë  transparencë të plotë në Parlament për paketën 1 miliard dollar, të qartësojë dobishmërinë ekonomike e sociale të çdo projekti dhe të arshivojë analizën profesionale të aftësisë për të paguar këto detyrime. Duhet bërë në Parlament, sepse koha e shlyerjes së tyre është minimalisht më shumë se një mandat 4-vjeçar. Përzgjedhja e projekteve duhet të jetë me përgjegjshmëri të madhe profesionale. Ekspertiza e ekspertëve të ministrive duhet
të jetë detyrim ligjor dhe pjesë e arshivës ligjore të identifikimit, përzgjedhjes, miratimit, implementimit dhe mbikqyrjes së këtyre projekte. Struktura e projekteve të përzgjedhura duhet të jetë më mirë e balancuar. Sfida reale e vendit është varfëria dhe braktisja e një pjese të vendit.

Kjo kërkon që investimet në zonat rurale, përmirësimi infrastrukturës rurale, të marin prioritet më shumë se çdo projekt tjetër, ndoshta edhe deri në 50% të gjithë shumës. Sipas studimeve të Bankës Botërore, investimi në infrastrukturën rurale, ku rritet aksesi në treg për prodhimet e tyre, ku përmirësohet ndjeshëm shërbimi shëndetësor dhe cilësia e arsimimit, ka efektshmëri 6 herë
më të madhe se nqs këto investime përdoren për një prioritet tjetër. Çdo diskutim midis kolegëve eshtë i dobishëm.

 

Gazeta Telegraf – 26.10.2017

PROF. DR. ARBEN MALAJ 

http://telegraf.al/politike/malaj-paketa-1-miliard-usd-kujdes-me-prioritetet-dhe-kostot-e-fshehura-1508957205