Deklarata e universiteteve, pse ‘Luarasi’ nuk firmosi me UN

Deklarata e universiteteve, pse ‘Luarasi’ nuk firmosi me UN

 

Në përvjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 25 universitete publike dhe private në vend nënshkruan një deklaratë të përbashkët angazhimi për mbështetjen dhe promovimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ).

Kujtojmë që Shqipëria është një ndër 192 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara të angazhuara në shtator të 2015-s për axhendën 2030 dhe 17 objektivat e saj të zhvillimit të qëndrueshëm me 169 synimet përkatëse.

Zv.kryeministrja Senida Mesi e ka cilësuar deklaratën e nënshkruar mes universiteteve dje si një urë lidhëse për krijimin e një partneriteti të domosdoshëm mes botës akademike dhe institucioneve shtetërore për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. “Nëpërmjet kërkimit shkencor, seminareve dhe konferencave specifike, dija universitare do të jetë pararojë dhe udhërrëfyese për adresimin dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme sociale, ekonomike, mjedisore dhe më gjerë”, tha Mesi në takimin ku ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Por Kolegji Universitar “Luarasi” ka vendosur të mos e nënshkruajë këtë deklaratë. Rektori Arben Malaj ka shpalosur 10 pikat të cilat ndajnë “Luarasin” nga kjo iniciativë, e cila sipas profesorit është e vonuar pasi projekti ka nisur që në 2015-n. Rektori i KU “Luarasi” ngre po ashtu shqetësimin mbi atë që po ndodh aktualisht me kapitalin njerëzor të vendeve të Ballkanit.

Joshjet me politikë jo të ndershme, nënvizon Malaj, kanë sjellë largimin e trurit. I dështuar sipas tij është projekti i mbështetur nga United Nations (UN) për mbajtjen dhe thithjen e talenteve në Shqipëri. Kjo dëshmohet nëpërmjet treguesve të indeksit të konkurrencës globale.

Pse Luarasi nuk e nenshkroj deklaraten e universiteteve perball UN per Objektivat e Zhvillimit te Qendrueshem 2030.

Nuk e nënshkruan sepse:

– Në thelb është kryesisht deklarative, nuk ka afate, nuk ka sistem monitorimi.

– UN nuk ofron asnjë kontribut të ri pas vitit 2015.

– Është shumë vonë si iniciativë, SDG 2030 ka filluar në 2015.

– Ne i kemi riparë kurrikulat tona akademike në programet Master Profesional.

– Treguesit e mbajtjes dhe thithjes së talenteve në Shqipëri, projekt i mbështetur nga UN disa vite më parë, sipas treguesve të Indeksit të Konkurrencës Globale, kolona 7, rezulton shumë larg pritshmërive ose e dështuar.

– Treguesit e inovacionit (kolona 12), lidhja e universiteteve me sfidat reale të ekonomisë është shumë e dobët.

– Donatorët e huaj si UN, UNDP dhe agjenci të tjera, preferojnë ekspertë të huaj, të cilët janë larg të qenët efektivë për kushtet specifike të çdo vendi.

– Kapitali human dhe social i vendeve të Ballkanit po varfërohet nga flukset emigratore dhe joshjet me politikë jo të ndershme punësimi, duke marrë më të mirët.

– UN dhe BE duhet të qartësohen sa pa rritur ofertën akademike të universiteteve tona, pa bashkëpunuar ngushtësisht me këto institucione, pa i profilizuar universitetet, pa e bërë të detyrueshme në një marrëveshje të të gjithë donatorëve që përfshirja e universiteteve dhe ekspertëve shqiptarë nuk duhet të jetë më pak se 40% e shumës së financuar prej tyre apo edhe qeverive të rajonit. Është e pamundur të ndalet mentaliteti neokolonial që shfaqet në mënyrë spontane në disa qeveri apo institucione ndërkombëtare, Kanadaja merr vetëm emigrantë të mirarsimuar, po kështu edhe karta blu.

– Studentët, stafet akademike, kanë një kosto 2-3 herë më të shtrenjtë. Talentet na i marrin duke i joshur. Talentet nuk kthehen në Shqipëri për shumë arsye; të mirët që janë këtu nuk i përfshijnë në projekte kërkimore-shkencore dhe pastaj na kërkojnë të zgjidhim problemet brenda vendit. Kjo nuk bëhet duke ngritur mure, por duke ulur çdo kosto, çdo procedurë, çdo diskriminim të ekspertëve vendas. Kjo është rruga që të paktën ata që janë dhe ata që ne edukojmë çdo vit, të qëndrojnë në vendin e tyre.

 

PROF. DR. ARBEN MALAJ

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 25.10.2017

http://www.panorama.com.al/deklarata-e-universiteteve-pse-luarasi-nuk-firmosi-me-un/