“Luarasi” , memorandum bashkëpunimi me avokatët penalistë

Kolegjit universitar “Luarasi” i është shtuar një partner i ri. Shoqata e Avokatëve Penalistë do të hapë dyert për stafin akademik e studentët, ndërsa universiteti do të mirëpresë avokatët më në zë në vend të referojnë në auditorë praktikat më të mira në fushën penale.

Kjo falë memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar një ditë më parë midis “Luarasit” e Shoqatës së Avokatëve Penalistë gjatë aktivitetit për ndarjen e çmimeve “Toga e Artë”. Kreu i shoqatës, Saimir Vishaj, përmendi benefitet që rrjedhin nga kjo marrëveshje.

“Në emër të kryesisë, ne kemi kërkesë të bëjmë një bashkëpunim si shoqatë me ‘Luarasi’. Të gjithë avokatët kanë të drejtë të bëhen doktorë shkencash, apo çdolloj masteri pranë universitetit tuaj, e po ashtu studentët tuaj të zhvillojnë internshipe pranë zyrave tona”. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, rezervoi një përshëndetje të veçantë për universitetin e parë privat në vend, duke e propozuar si mundësinë më e mirë për brezin e ri.

“Unë do të doja shumë që të kishim alternativë siç është universiteti ‘Luarasi’ për shumë të rinj e të reja, por edhe ata që e kanë kaluar moshën e rinisë, por kanë nevojë për formim profesional. Të ishte kjo alternativa dhe jo ajo e burgut”.

MEMORANDUMI

Për rektorin Arben Malaj, memorandumi i bashkëpunimit do të krijojë sinergji pozitive dhe një kualifikim shumë të mirë dypalësh. “Dija është një e mirë publike dhe si e tillë duhet ta ndajmë në mënyrë sa më të lehtë dhe me sa më pak kosto. ‘Luarasi’ ka deklaruar që nuk pretendon të jetë më i madhi, por më i miri.

Dhe për këtë ka nevojë patjetër të bashkëpunojë me ju. Ne synojmë që auditorët tanë të jenë të hapur për ju, dhe ju të hapni zyrat për stafet tona akademike dhe studentët tanë”. Në cilësinë e një eksperti ekonomie, rektori Arben Malaj u ndal në koston për luftimin e fenomeneve negative në shoqëri, duke propozuar rritjen e buxhetit në edukim si alternativën më të mirë për t’i luftuar ato.

“Nuk ka asnjë rast në botë që të mund të jesh optimist se duke rritur buxhetin e burgjeve do t’u japësh një shërim përfundimtar problemeve sociale. E kundërta është e vërtetë. Vendet që janë zhvilluar duke mbështetur arsimin, shëndetësinë, duke provuar solidaritet dhe kohezion social janë ato që kanë përparuar”, nënvizoi Malaj. Që të arrihet kjo, rektori i “Luarasit” apelon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian.

“Qytetarët shqiptarë duhet të ndihen qytetarë europianë, qoftë në kohën kur punojnë, kur studiojnë apo kur diçka ndodhet në trajtimin gjyqësor. Kjo mund ta kthejë shpresën. Në rast të kundërt, nëse nuk e realizojmë këtë përafrim do të jemi gjithmonë vendi që një pjesë e mirë e buxhetit do të shkojë më shumë për problemet penale sesa për sfidat e tjera”.

Detyra e “Luarasit”, për Malajn, është të edukojë që të bëhen të dobishëm për sektorin publik e privat. Aktualisht, kolegji universitar “Luarasi” po rishikon sistemin e arsimimit në fushën e jurisprudencës, për të kaluar në një sistem 5­vjeçar. Për këtë, ekspertët më të mirë po përgatisin kurrikulat e programet. Drafti i parë ritet t’i shkojë së shpejti Ministrisë së Drejtësisë.

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 13.11.2016

http://www.panorama.com.al/luarasi-memorandum-bashkepunimi-me-avokatet-penaliste/