“Luarasi” në fillimin e një viti të ri akademik

Pak ditë nga fillimviti akademik, Universiteti “Luarasi” po bën të gjitha përgatitjet për të qenë gati për një mësimdhënie cilësore e për të pritur ata që për herë të parë vijnë në auditorët e tij, edhe ata që ndër vite i besuan. Dje, në një takim sa miqë- sor dhe formal, auditori u mbush nga ata që i japin forcë e mendim akademik atij, stafi akademik.

I pret një vit i ri përpara, kërkesa, detyra, përgjegjësi, kreativitet dhe ambicie për të qenë më të mirët dhe për të edukuar më të mirët. Kryetarja e Bordit të Besimit, Prof. Nevila Xhindi, në fillim të takimit e vlerësoi si të qenësishme, si oksigjen, këtë marrëdhënie të qëndrueshme të krijuar mes “Luarasit” e stafit akademik, duke shprehur falënderime për pedagogët e shquar që prej vitesh janë pjesë e Universitetit, por edhe atyre të rinj, që të diplomuar në universitete prestigjioze jashtë vendit, janë tashmë pjesë e këtij Universiteti. 

“Faleminderit që edhe për këtë vit akademik ia besuat CV-në tuaj, mendimin tuaj akademik Universitetit ‘Luarasi’. ‘Luarasi’ në këmbim u ka dhuruar kënaqësinë e një auditori cilësor, të mbushur me studentë të etur të marrin maksimumin prej jush, prej mendjes suaj”. Për Xhindin, auditorët e “Luarasit” nuk janë thjesht ambiente ku jepet mësim, por janë aula ku rritet, formohet dhe i jepet zë mendimit akademik, profesionalizmit, mendjes së hapur, energjisë së ndryshimit pozitiv dhe kreativitetit për të cilën ka shumë nevojë shoqëria shqiptare.

“Ju jeni një pasqyrë e mirë, shembull, mundësi, shpresë për studentët që të hyjnë në mënyrë dinjitoze në tregun e punës”, vuri në dukje Xhindi, duke theksuar se edhe këtë vit, “Luarasi” do të ecë me hapa të avancuar e me profile që kërkon koha e zhvillimet. “Luarasi” do të kontribuojë me mendimin e tij edhe në çështje me rëndësi në aktualitetin shqiptar. “Luarasin’ do ta shihni të jetë prezent me mendimin e tij cilësor në aktualitetin e ditës, duke debatuar për reformën në Drejtësi, stafi ynë akademik ka qenë i përfshirë në tavolinat për konsultimin e ligjit të ri organik për pushtetin vendor e do ta shikoni të jetë përsëri e përsëri, kudo ku flitet e ka nevojë për mendim elitar, profesionist për çdo reformë apo politikë publike”.

PROJEKTET

Pas 12 vitesh në treg, “Luarasi” tashmë është afirmuar në tregun e arsimit të lartë. Risitë e projektet vit pas viti kanë qenë një vlerë e shtuar për këtë universitet. “Një nga prioritet tona kryesore edhe këtë vit mbetet bashkëpunimi ndërkombëtar me institucione e arsimit të lartë, traditë kjo në fakt disavjeçare e “Luarasit”.

Këto bashkëpunime ndërkombëtare vijnë në formë projektesh të përbashkëta, përmirë- simi kurrikulash, mobilitet stafi akademik dhe studentësh nëpërmjet programit Erasmus + apo organizimit të aktiviteteve të ndryshme shkencore, si konferenca apo botime të përbashkëta”, shpjegon kancelarja e Universitetit, Blerina Shkurti. Përveç risive, tri janë shtyllat kryesore për suksesin e “Luarasit” në vite: stafi akademik i kualifikuar, studenti në qendër të mësimdhënies dhe vlefshmëria e diplomës.

Të dhënat flasin qartë: mbi 80% e të diplomuarve punë- sohen që në vitin e parë. Të paktën 5 prej atyre që diplomohen në një vit kanë fituar konkursin në Shkollën e Magjistraturës dhe tashmë janë pjesë e sistemit gjyqësor. Ndërsa shumë studentë të tjerë kanë vazhduar ciklet e tjera të studimit në institucione prestigjioze jashtë vendit, pa qenë të detyruar të rikonfirmojnë diplomën e fituar te “Luarasi”. Thithja e ekselencës nëpërmjet bursave të plota u ka rritur cilësinë profesionistëve të diplomuar te “Luarasi”.

Koçollari: “Luarasi”, risi edhe në kërkim shkencor

Universiteti “Luarasi” është gati për nisjen e vitit të ri akademik. Por, pas tij qëndron një grup i madh profesionistësh që kujdesen që orët në këtë Universitet të mos jenë të zakonshme, ku pedagogët japin leksione e studentët përgjigjen të nesërmen. Një sërë projektesh, planesh e forma të kërkimit shkencor në fushën juridike dhe ekonomike do të zhvillohen përgjatë gjithë vitit. Rektori i këtij Universiteti, Irakli Koçollari, zbulon disa prej tyre…. Një gjë është e sigurt: Universiteti “Luarasi” do të japë kontributin e tij në përpjekjet e shoqërisë shqiptare për të reformuar sistemin e Drejtësisë…

Për pak ditë nis viti i ri akademik. Çfarë përgatitjesh keni bërë?

Ashtu sikurse kanë emocione studentët që hyjnë për herë të parë në auditorë, të njëjtat emocione përjetojmë dhe ne si staf akademik çdo vit të ri. Përjetojmë ato emocione, sepse kërkojmë gjithmonë të sjellim diçka të re, të veçantë, racionale, që u shërben jo vetëm studentëve tanë, por interesave të vendit në tërësi në këto dy fusha ku ne diplomojmë studentë: në fushën e Ekonomisë dhe Jurispruidencës. Jemi të ngarkuar, sepse nuk duam që Universiteti jonë të jetë vetëm një sallë leksioni dhe seminari ku studentët vijnë të dëgjojnë, radhës tjetër të japin përgjigje dhe të largohen. I jemi larguar dhe do të përpiqemi t’i largohemi kësaj forme, që pa dyshim edhe kjo mbetet, por synimi ynë është ta kthejmë institucionin në një qendër të vërtetë të kërkimit shkencor bashkëkohor.

“Luarasi” çdo vit ka prezantuar risi në mësimdhënie, e jo vetëm. Po këtë vit?

Është e vërtetë. Në realizim të synimeve tona kemi ideuar disa projekte. Së pari duke hartuar disa konferenca kërkimore- shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare me tematika vërtet me interes në fushat ekonomiko-juridike. Do të bëhesha meskin dhe xheloz po të mos i thosha që tani, sepse do t’i marrin universitet e tjera. Por po e zbuloj që do të bëjmë dy konferenca në fushën e “Të Drejtës Ndërkombëtare” mbi një sërë dokumentesh me vlerë të madhe historike, të panjohura deri tani që i kemi në duar. E para është për periudhën 500-vjeçare të pushtimit osman, kohë për të cilën nuk kemi asnjë lloj trashëgimie mbi sistemin e së drejtës mbi këto vjet nën pushtim. Bëhet fjalë për dokumente me vlera që shtojnë e pasurojnë historinë e të drejtës shqiptare. Por, pa dyshim, do të kemi dhe një konferencë për zhvillimet bashkëkohore në fushën e së drejtës, veçanërisht për reformat e mëdha në sistemin e Drejtësisë. Kjo me qëllim për të dhënë edhe ne kontributin tonë në ato përpjekje të mundimshme që bën shoqëria shqiptare në këtë periudhë tranzicioni për të reformuar sistemin e Drejtësisë dhe shumë ndryshime të rëndësishme konstitucionale, por edhe në fusha dhe lëmi të tjerë.
Konferenca shkencore do të zhvillojë edhe Fakulteti i Ekonomisë. Mbi shumë gjëra që lidhen me historinë e traditës, të sistemit fiskal dhe të taksave në Shqipëri në periudha të panjohura më parë, por edhe duke dhënë mendime mbi zhvillimet bashkëkohore të ekonomisë dhe të standardeve që kërkojnë objeksionet e vendit tonë për anëtarësim të
plotë në Bashkimin Europian.

“Luarasi” ka krijuar një traditë leksionesh të hapura, seminaresh…

Do të kemi tryeza të rrumbullakëta, të ftuar të veçantë, jo vetëm për të dëgjuar leksionet e tyre, por edhe për të debatuar jo vetëm stafi akademik, por dhe vetë studentët drejtpërdrejt me qëllim që personalitete të njohura të mos mbeten si mite, por të kuptojnë si njerëz që kanë vlera të veçanta, por dhe të prekshëm, me të cilët mund të debatohet dhe mund të dëgjojnë e bisedojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Po ashtu do të ftojmë për të debatuar edhe në radhët e institucioneve qeverisëse, ministra apo drejtorë të profileve të veçanta, ku janë të interesuar ata dhe ne. Të gjitha këto pa dyshim besojmë se e rrisin dimensionin dhe profilin e vërtetë kërkimorshkencor mësimdhënës te “Luarasi” dhe i japin studentit një rol të veçantë në përfitimin dhe përthithjen e dijeve me vlerë bashkëkohore.

 

 

ARTIKULL NË GAZETËN PANORAMA

http://www.panorama.com.al/luarasi-ne-fillimin-e-nje-viti-te-ri-akademik/