PREZANTIM “ALBANIAN YOUNG LEADERS FORUM – STUDENT ECONOMIC FORUM”

Më datë 08 Prill 2016 ora 12:00 – 13:00, Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës organizoi prezantimin e Forumit Rinor “Albanian Young Leaders Forum (AYLF) – Student Economic Forum (FES)”, me pjesëmarrjen e gjerë të studentëve të SHLUJ “Luarasi”.

Ky prezantim u zhvillua në kuadër të zgjerimit dhe intensifikimit të bashkëpunimeve rinore ndërstudentore dhe jo vetëm, por edhe në zbatim të Strategjisë së Zyrës së Studentit dhe Këshillimit të Karrierës. AYLF – FES është një organizatë jofitimprurëse, e pavarur, e cila ka për objektiv kryesor promovimin e qytetarisë aktive, nxitjen e të rinjve për iniciativa rinore e debate të hapura për të vënë në jetë potencialin e të rinjve shqiptarë që studiojnë në fusha të ndryshme dhe që në një të ardhme të afërt do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë sonë.

Ky forum synon të bazohet në shkëmbimin e eksperiencave midis forumeve studentore. Do ngrihen shtylla të forta bashkëpunimi mes studentëve të këtij forumi dhe studentëve të universiteteve të ndryshme. Do të organizohen shpesh takime të përbashkëta ku do të diskutohet rreth tematikave të paracaktuara, si dhe do shqyrtohet strategjia e tyre funksionale për të ardhmen në një rang më të gjerë.

Disa nga aktivitetet kryesore në fokus të bashkëpunimit të SHLUJ “Luarasi” me AYLF – FES do të jenë:

  • Takime me të ftuar.
  • Diskutime në Panele të përbashkëta.
  • Seri Leksionesh të hapura me interes të përbashkët.
  • Konferenca të përbashkëta.
  • Workshope.
  • Panaire.
  • Kampionate Sportive.
  • Aktivitete vullnetarizmi, etj.

Projektet potenciale që do realizohen nga studentët në bashkëpunim me AYLF – FES dhe stafin akademik do propozohen për t’u prezantuar në konferenca të ndryshme, në institucione Qeveritare, në Institucione jo-qeveritare, në Forume të ngjashme, në Fondacione, tek donatorët, apo edhe tek kompanitë dhe bizneset e ndryshme.