Programin Ron Brown për të Rinjtë

Arisa Lleshi, studente në Fakultetin Ekonomik, Universiteti LUARASI është përzgjedhur fituese për biznes-planin e saj nga ekspertë të Dhomës së tregtisë Amerikane në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë, për të vazhduar konkursin në Zagreb sipas programit Ron-Brown! Ambasadën Amerikane të Zagrebit do të organizojë për të disatin vit “Programin Ron Brown për të Rinjtë” ku do të ftohen edhe përfaqesues nga Shqipëria.

Përzgjedhja e fituesve do të bëhet nga një panel i organizuar nga Ambasada Amerikane. Ky program është një konkurs rreth një plani biznesi midis studentëve universitare të cilët i përkasin grupmoshave 18 – 25 vjeç nga Kroacia, Italia, Austria, Hungaria, Polonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Pjesëmarrësit do të mund të ndjekin edhe Forumin Brown që do të zhvillohet në datat 7-8 Prill.

Pjesëmarrësit do të prezantojnë biznes-planin e tyre para një paneli ekspertësh të përbërë nga përfaqësues të biznesit të cilët do të përzgjedhin 3 projektet më të mira fituese. Më pas do të organizohet një ceremoni për ndarjen e çmimeve, ku i pranishem do të jetë Ambasadori Amerikan në Kroaci Merten. Shumë pjesëmarrësve të Forumit të të Rinjve në vitet e kaluara ju është dhënë mundësia të kryejnë praktika pranë kompanive më të mëdha, t’u financohen projekte, si edhe të takojnë mentorë që mund t’i këshillojnë për sipërmarrjet e tyre.