Fakulteti i Drejtësisë në Kolegjin Universitar “Luarasi” në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike (ISP) ka zhvilluar sot një tryezë të rrumbullakët mbi ecurinë e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi përbën reformën më të rëndësishme të dekadës së fundit dhe një prej reformave më të rëndësishme të tranzicionit në Shqipëri. Në këtë kuadër ISP, përfaqësuar nga Z. Ervin Karamuça, prezantoi para studentëve dhe stafit akademik etapat nëpër të cilat ka kaluar reforma në drejtësi, e cila kulmoi me ndryshimet kushtetuese në vitin 2016 dhe ngritjen e organeve të para të sistemit të ri më 2017 duke u ndalur mbi pritshmëritë afatshkurtra e afatgjata të kësaj reforme. Objekt i reformës nuk janë vetëm organet e drejtësisë dhe sistemi i të drejtës, por edhe indirekt, niveli i mirëqeverisjes dhe i standardeve të demokracisë funksionale në Shqipëri. Tryeza u përmbyll me sukses duke konkluduar se procesi i jetësimit praktik të reformës mbetet sfidë thelbësore.