Intervistë në Gazetën Shqiptare  – 30.03.2018

“Luarasi”, në “Work & Study”/ Aelita Mani: Punojmë për krijimin e elitave të profesionistëve

Nga Voltiza Duro – Pjesë e panairit “Work & Study” 2018 është edhe institucioni elitar i arsimit të lartë në vend, Kolegji Universitar “Luarasi”. Gjatë këtyre ditëve, ekspertët e këtij universiteti kanë prezantuar për qindra gjimnazistë e studentë të interesuar, sukseset dhe arritjet e deritanishme, si dhe programet dhe risitë për Fakultetin e Ekonomisë e Drejtësisë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, shefja e departamentit të Ekonomiksit në Kolegjin Universitar “Luarasi”, Aelita Mani tregon se vitin e ri akademik do të çelet edhe Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, duke iu përshtatur kërkesave dhe nevojave të tregut të punës, lokal dhe global. Mani më tej shton se bursat studentore patën një vend të dukshëm në stendën e këtij institucioni elitar, duke prezantuar mbështetjen jo vetëm për nxënësit dhe studentët ekselentë, por edhe për shtresat në nevojë.

Çfarë ka prezantuar Kolegji Universitar “Luarasi” në Panairin “Work & Study” 2018?
Kolegji Universitar “Luarasi” në Panairin “Work & Study” 2018 së pari ka prezantuar vizionin dhe vlerat e një institucioni cilësor dhe elitar, që punon për krijimin e elitave të profesionistëve që dalin nga bankat e tij, duke i aftësuar dhe përgatitur për tregun e punës dhe shoqërinë. Në këtë panair u prezantuan sukseset dhe arritjet e deritanishme, si dhe faktet e arritjeve nga studentët tanë, si rezultat i punës së palodhur të brezave që kanë kontribuar në “Luaras” dhe mbështetjes së vazhdueshme dhe vlerësimit që i ka dhënë këtij institucioni ‘HYSENBELLIU GRUP’. Gjatë ditëve të panairit u prezantuan bursat, programet dhe risitë për të dy fakultetet, të Ekonomisë dhe Drejtësisë, si dhe hapja e fakultetit më te ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, duke iu përshtatur me programet e tij, kërkesave dhe nevojave të tregut të punës, lokal dhe global, për specialistë dhe teknicienë të aftë dhe konkurrent, që mund të punojnë denjësisht kudo.

Ju thatë që janë prezantuar edhe bursat që jep ky institucion elitar. Cilat janë kriteret për të përftuar bursë?
Bursat studentore zunë një vend të dukshëm në stendën tonë, duke prezantuar mbështetjen jo vetëm për nxënësit dhe studentët ekselentë, por edhe për shtresat në nevojë. Këtë vit “Luarasi” do të ofrojë shumë lloje bursash të bazuara mbi parimin e miritokracisë dhe motivimit për nxënës dhe studentë të ekselencës, por edhe për të mbështetur nxënës që përzgjedhin “Luarasin”, por që mundësia financiare nuk ua lejon. Por jo vetëm kjo, ne ofrojmë bursa edhe për nxënës dhe studentë që janë aktivistë të shoqërisë apo me arritje të shkëlqyera në sporte, arte dhe kulturë.

Cilat janë disa prej risive që ofron ky universitet?
Në këtë panair “Luarasi” erdhi dhe me shumë risi, duke iu përshtatur nevojave të tregut të punës dhe kohës, siç janë masterat profesionalë dhe kurset profesionale për studentët që ndjekin të dyja nivelet e programeve, bachelor dhe master, por edhe për ata që tashmë e kanë një diplomë dhe duan të plotësojnë njohuritë e tyre me dije dhe njohuritë më të reja.

A pati interes nga ana e gjimnazistëve për stendën e “Luarasit”?
Kolegji Universitar “Luarasi” gjithmonë e më shumë po zgjon interesin jo vetëm të gjimnazistëve si zgjedhje të parë, por edhe të studentëve nga institucionet e tjera akademike. Kjo u duk edhe nga vizitat dhe interesi që treguan pranë stendës sonë. E veçantë këtë radhë ishte se pranë stendës sonë erdhën dhe u interesuan edhe gjimnazistë të viteve të dyta.

Si u shprehën nxënësit dhe studentët e pranishëm gjatë prezantimit?
Ata na konsiderojnë si institucion i vlerave dhe mundësive. Sot nxënësit dhe studentët janë më kërkues, hulumtues dhe me këmbë në tokë kur vjen fjala për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe kujt mund t’ia besojnë investimin më të madh për fillimin e një karriere të suksesshme. Ata ishin të interesuar të shihnin nga afër mundësitë dhe programet që ne ofrojmë. Pyetjet e tyre ishin të shumta, pasi na kanë ndjekur me interes gjatë këtyre viteve.

Çfarë do të ofrojë fakulteti i ri i Teknologjisë Informacionit dhe Inovacionit, që do të çelet në vitin e ri akademik?
Hapja e fakultetit më të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit është një nga risitë më të fundit, duke iu përshtatur me programet e tij kërkesave dhe nevojave të shoqërisë dhe tregut të punës, pasi pajisja me njohuritë më të fundit mbi ICT tashmë është bërë jetësore për të gjithë. Gjithçka po shkon drejt globalizimit dhe dixhitalizimit. Ky fakultet do të ofrojë programe në bachelor mbi sigurinë kibernetike dhe informacionit si dhe master profesional dhe shkencor. E veçanta e programeve është se mund të studiojnë edhe studentë me njohuri dhe eksperienca nga fusha të ndryshme.

Stenda e Kolegjit Universitar “Luarasi” në panairin e punës dhe studimit u vizitua edhe nga vetë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Si u shpreh ajo në lidhje me arritjet e “Luarasit”?
Stenda jonë u vizitua edhe nga personalitete të akademisë dhe institucioneve vendore. Në mënyrë të veçantë, ministrja e Arsimit dhe Sporteve, znj. Lindita Nikolla, ndaloi dhe përshëndeti e vlerësoi edhe njëherë punën dhe përpjekjet e Kolegjit Universitar “Luarasi”.

 

Intervistë në Gazetën Shqiptare  – 30.03.2018

“Luarasi”, në “Work & Study”/ Aelita Mani: Punojmë për krijimin e elitave të profesionistëve