Konferenca e VI-të Shkencore Ndërkombëtare “Sistemi i Drejtësisë në Udhëkryqin e Transformimit”, 4 Maj 2016

Kreu i Kuvendit në Konferencën e Universitetit “Luarasi” për Drejtësinë

Konferenca e “Luarasi”, Meta: Miratimi i Reformës para pushimeve të verës

 “Do të bëj çdo gjë si kryetar i Kuvendit për të nxitur një klimë sa më mirëkuptuese dhe bashkëpunuese”

Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, mori dje pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Sistemi i Drejtësisë në udhëkryqet e transformimit”, të organizuar nga Universiteti “Luarasi”.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, pedagogë dhe studentë. Kreu i Parlamentit, Ilir Meta, e vuri theksin te Reforma në Drejtësi, duke u shprehur se duhet të miratohet sa më parë. Meta theksoi se miratimi i reformës po bëhet me një konsultim të gjerë dhe se nuk ka dallime të mëdha në qëndrimet e palëve politike. “Por dua t’ju siguroj që unë do të bëj çdo gjë si kryetar i Kuvendit për të nxitur një klimë sa më mirëkuptuese dhe bashkëpunuese, në mënyrë që këto diferenca të vogla, që janë sot, të mbyllen sa më shpejt dhe ne të miratojmë ndryshimet kushtetuese, e të miratojmë ligjet më të rëndësishme, kolonat kryesore të kësaj reforme, mundësisht edhe ato sa më shpejt, përpara pushimeve të verës, në mënyrë që të dërgojmë mesazhe të forta te të gjithë qytetarët tanë, që reforma nuk ishte një lojë për t’ia lënë përgjegjësinë njërit apo tjetrit, përkundrazi. Së dyti, për t’i dërguar një mesazh shumë të fortë edhe Brukselit, edhe Uashingtonit, të gjithë partnerëve tanë që Shqipëria do të jetë një vend më i sigurt në të ardhmen, do të jetë një shtet i standardeve europiane në drejtim të zbatimit të ligjit, në drejtim të sigurisë juridike.

Ky është interesi i qytetarëve shqiptarë, por në këtë mënyrë do të krijohet një mjedis shumë më i mirë edhe për të gjithë ata investitorë të huaj që shohin këtu potenciale dhe mundësi, por që nuk kanë pasur besimin e duhur te ky shtet ligjor që ne kemi sot. Të mos harrojmë që Reforma në Drejtësi nuk është qëllim në vetvete, por zhvillimi ekonomik i vendit dhe social është qëllimi kryesor dhe kjo gjë nuk mund të realizohet nga një shtet i së drejtës me probleme të mëdha, sikurse kemi konstatuar aktualisht”, Meta. Konferenca Konferenca e organizuar nga “Luarasi“ për Reformën në Drejtësi vuri përballë në një debat mbi sistemin aktual të Drejtësisë akademikë, studiues, juristë, ekspertë të nivelit të lartë, të cilët sollën problematika, por edhe zgjidhjet e mundshme për sfidat e këtij sistemi, ndërsa mendimet, sugjerimet e konkluzionet tyre iu përcollën Kuvendit për t’i marrë në shqyrtim. Përveç krerëve të institucioneve të Drejtësisë, pjesë e panelit të diskutimit ishin ekspertë, të cilët në vite kanë kontribuuar në formimin e brezave të rinj të “Luarasit”. Të gjithë përshëndetën nismën e universitetit për një konferencë të tillë shkencore që kombinon më së miri aspektin akademik me shërbimet ligjore. Ftesës për konferencën shkencore të “Luarasit” iu përgjigjën pozitivisht Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ai i Shkencave Politike-Juridike te “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Kolegji Universitar “Iliria” në Prishtinë, Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe ajo e Noterisë.

Rektorja Xhindi: Studentët tanë, sot pjesë e Drejtësisë Edhe “Luarasi” e tha fjalën e vet për çështjen e shumëdiskutuar të Reformës në Drejtësi, duke organizuar një konferencë ndërkombëtare, “Sistemi i Drejtësisë në udhëkryqin e transformimit”. Arsyet se përse universiteti i parë privat i formësuar fillimisht si një shkollë jurisprudence, vendosi të zhvillojë një konferencë me këtë temë i shpjegoi rektorja,

Nevila Xhindi. “‘Luarasi’ është formuar në 2003-shin dhe në themelet e tij ishte një fakultet drejtësie, një shkollë avangarde e ligjit në Shqipëri. Jemi krenarë që studentët tanë janë sot pjesë e sistemit të Drejtësisë. ‘Luarasi’ nuk mund t’i mungonte opinionit publik për kuvendimin e madh që po ndodh sot për Reformën në Drejtësi”. Duke iu drejtuar ekspertëve të kësaj fushe të ftuar në panel, numri një i “Luarasit” vuri theksin në nevojën për ndryshime rrënjësore të sistemit të Drejtësisë në vend, ndërsa për studentët e ligjit citoi një mesazh të Presidentit amerikan, Barack Obama.

“Studimi i ligjit mund të jetë zhgënjyes në kohë, mund t’u duket një çështje aplikimi të rregullave të ngushta dhe procedurave misterioze në një realitet jo bashkëpunues, një qasje që shërben për të rregulluar vetëm punët e atyre që kanë pushtet dhe që shpesh ky status tregon diçka. Por kjo nuk është e gjitha. Ligji është gjithashtu kujtesë. Ligji ruan në memorien e tij kuvendimin e gjatë të një kombi me veten, me të drejtën. Një kombi që debaton me ndërgjegjen e tij”. Kuvendimi për këtë reformë, sipas Xhindit, është e ardhmja e punës së studentëve të “Luarasit”.