“Luarasi”, nisin trajnimet për ekspertë kontabël

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 27.01.2018

Kolegji Universitar “Luarasi”, së fundmi po ofron edhe trajnime për ekspertë kontabël. Kjo, falë nismës së Ministrisë së Financave, Bankës Botërore dhe mbështetjes nga Ambasada Zvicerane.

 

Lajmin e mirë e dha dekani i Fakultetit Ekonomik, Mateo Spaho, në ditën e parë të nisjes së projektit, pjesë e të cilit është bërë edhe “Luarasi”. “Kjo është hera e parë që në ‘Luaras’ kemi trajnime për kontabilistë, shpresojmë të mos jetë hera e vetme. Sot jemi vendi ku do të bëhen këto trajnime, ju mirëpresim sërish në eksperienca të tjera së bashku”. Financuesja e këtij projekti, Ambasada Zvicerane e përfaqësuar nga zëvendësambasadori Philip Keller, vuri në dukje rëndësinë e zhvillimit profesional për një ekonomi të qëndrueshme.

“Ajo çfarë na duhet sot, janë kapacitetet profesionale, burime njerëzore të mirëtrajnuara për një ekonomi të qëndrueshme. Ndaj, dua të falënderoj për bashkëpunimin ata që morën përsipër këtë projekt, Ministrinë e Financave, Bankën Botërore dhe universitetin ‘Luarasi’. Uroj që të përfitoni sa më shumë nga ky trajnim”.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore, Ambasadës Zvicerane dhe Ministrisë së Financave
Përfaqësuesit e Bankës Botërore, Ambasadës Zvicerane dhe Ministrisë së Financave

PROJEKTI

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kohezion me strategjinë e qeverisë për formalizimin e ekonomisë, i ka dhënë një fokus të veçantë përmirësimit të cilësisë së raportimit financiar në vend. Në shërbim të kësaj fryme po mbështetet dhe zhvillohet projekti për trajnimin e ekspertëve kontabël, pjesë e të cilit është bërë edhe “Luarasi”. “Trajnimet janë vetëm një pjesë e aktiviteteve që jemi duke zhvilluar.

Qëllimi është rritja e mëtejshme e kapaciteteve tuaja profesionale, rritja e cilësisë së punës, dhënia e informacionit financiar të besueshëm dhe indirekt, pastaj sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme, transparente dhe konkurruese për të gjithë palët”, nënvizoi Dritan Pino nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Po ashtu, përfaqë- suesi i Bankës Botërore Keler Gjika, shprehu përkushtimin e institucionit që përfaqëson në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.

“Kontabiliteti është gjuha e biznesit, pa të cilën ai nuk mund të zhvillohet”. Trajnimet e kontabilistëve janë bërë pjesë e gamës së aktiviteteve që organizohen te “Luarasi”, duke dëshmuar edhe njëherë interesin e lartë për dije.

 

http://www.panorama.com.al/luarasi-nisin-trajnimet-per-eksperte-kontabel/