Reforma në Drejtësi si mision i pamundur
Reforma në Drejtësi është kthyer në një kryefjalë të ditës prej disa kohësh dhe ka qenë pjesë e programeve elektorale të çdo force politike, e përdorur si guri i provës dhe elementi kyç për të ardhur në pushtet. Njerëzit, të lodhur nga koha dhe padrejtësitë e dekadave të tëra, janë prirë për të besuar në një ndryshim të pritshëm, por më shumë të dëshiruar. Midis një ndryshimi radikal të sistemit dhe ruajtjes së pavarësisë nga çdo ndikim politik, është e vështirë të ruash një ekuilibër të arsyeshëm. Për të përmbushur misionin e dhënies së drejtësisë, nevojitet që Gjyqësori të karakterizohet nga pavarësia, përgjegjshmëria, integriteti dhe profesionalizmi. Pavarësia e Gjyqësorit në vetvete ka dy komponentë: paanshmëria dhe pavarësia. Paanshmëria i referohet një qëndrimi subjektiv të gjyqtarit në lidhje me çështjen, ndërsa pavarësia nënkupton jo vetëm një qëndrim të caktuar ndaj ushtrimit të funksionit gjyqësor, por dhe raporti që krijon me të tjerët, kryesisht me pushtetin ekzekutiv. A i mbartin këto cilësi organet tona të Drejtësisë? Apo, në vend të pavarësisë, kanë siguruar paprekshmërinë e ushtrimit të funksionit? Koha është e mjaftueshme për të gjykuar dhe konkluduar se Gjyqësori prej shumë kohësh është i sëmurë rëndë dhe vuan nga sëmundja e pashërueshme e korrupsionit, i cili i ka shtrirë tentakulat në gjithë kapilarët e sistemit. Në dyert e gjykatave sheh njerëz të rraskapitur që mallkojnë veten që kanë hyrë në atë derë (me ose pa dashjen e tyre) e nga e cila nuk dalin dot, por mallkojnë veten edhe kur mbarojnë hallet, sepse dalin me xhepat e zbrazur nga shërbëtorët e tyre, të cilët i paguajnë me taksat që shteti u vjel.
* * *
Çfarë nuk ka funksionuar në gjithë këto vite, ndërkohë që nuk kanë munguar as tryezat presidenciale për reformat në Drejtësi, as komisionet “ad hoc”, as konferencat nëpër salla hotelesh, ku, përveç luksit të reflektuar në ekrane mediash dhe show-t të radhës, nuk kanë sjellë asnjë zgjidhje konkrete. Të jenë shterur idetë, të mungojnë njerëzit e mençur që dinë të ofrojnë zgjidhje, apo vetë pushtetarët nuk e dëshirojnë realisht këtë ndryshim, por vetëm duan të gjejnë një formulë që të mund t’i shërbejë për sa kohë janë në pushtet? Unë natyrisht mund të jap një përgjigje dhe jam e bindur se pjesa më e madhe e publikut bashkohet në një emërues të përbashkët pohimi: organet tona të Drejtësisë janë përdorur dhe përdoren rëndë nga politika për mbrojtjen e interesave ngushtësisht vetjake. Nëse do të kishte vullnet politik, ky vendi ynë i vogël do të mund të bëhej, sepse nuk mungojnë as mjetet, as burimet njerëzore të afta ta kryejnë këtë mision, të cilët ndodhen jashtë sistemit pikërisht se janë të ndershëm, me integritet moral dhe profesional. Kohët e fundit janë hedhur teza të ndryshme dhe njëra prej tyre përkrah idenë e vetëpastrimit të pushtetit gjyqësor nga ajo pjesa e shëndoshë brenda sistemit, e cila ndoshta është e interesuar të ndajë veten nga turma tjetër që lëngon.
Kjo mund të realizohej nëse kjo pjesë me integritet moral dhe profesional do të përbënte shumicën, por në fakt është një pjesë kaq e vogël, sa nuk mund të mbajë pesha të tilla kaq të rënda. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe që mban petkun e zi të gjyqtarit dhe çekiçin e thënies së fjalës së fundit, godet fortë, por jo për të dhënë drejtësi. Në aktualitetin tonë nevojitet një kirurgji e plotë dhe jo ndërhyrje pjesore, të cilat vetëm momentalisht mund të zgjidhin disa probleme, por që plaga e vjetër do të rilindë sërish dhe ne do të gjendemi në të njëjtën situatë dramatike, sikurse jemi. Shoqëria jonë po përjeton një depresion shoqëror të përgjithshëm dhe mungesa e vlerave të moralit që duhet të mbajë gjallë një shoqëri të shëndoshë, tashmë nuk ekziston më ose, më e keqja, është kthyer përmbys. Pikërisht ky deformim reflekton në çdo sektor, në çdo fushë, në çdo hap të jetës, shëndetësi, arsim, shërbim publik dhe organet e Drejtësisë nuk mund të jenë jashtë këtij konteksti. Por, duke qenë më të ndjeshme nga të gjitha palët, aty dhemb më shumë. Në çdo vend tjetër, me standarde demokratike të mirëpranuara nga e gjithë shoqëria, jo vetëm ligji është instrument edukues, por mbi të gjitha është morali, etika, mbi bazën e të cilave ndërtohet dhe vetë fryma ligjore, të cilat jo vetëm nuk lejojnë ndërhyrjet dhe shkeljet, por të dënojnë aq rëndë, sa të nxjerrin jashtë sistemit përfundimisht. Në një situatë të tillë do të funksiononte edhe teza e përmendur më sipër e vetëpastrimit, por fatkeqësisht jo në kushtet në të cilat ndodhemi.
Sistemi aktual ligjor dhe institucional me organet, si Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo Konferenca Gjyqësore Kombëtare, nuk ofrojnë asnjë garanci për pavarësinë, profesionalizmin dhe integritetin e pushtetit gjyqësor. Mekanizmat e përzgjedhjes me disa filtra selektimi, me kritere të mirëpërcaktuara dhe me standarde shumë të larta, të cilat motivojnë karrierën dhe kualifikimet shkencore e profesionale, transparenca e vërtetë gjatë gjithë procesit (jo sikurse ka ndodhur rëndom me pseudokomisione dhe publikime listash paraprake, apo konkurrime-reklamime), procedimet disiplinore, duhet të jenë të tilla që të distancojnë lehtësisht të keqen nga e mira, të pavlerën nga vlera, aftësinë nga paaftësia, të korruptuarin nga ndershmëria. Natyrisht këto duhet të jenë të sanksionuara rreptësisht pa u lënë hapësirë të lirë interpretimeve dhe keqpërdorimeve nga instancat më të larta brenda Gjyqësorit apo nga organet jashtë tij, legjislativ apo ekzekutiv qofshin. Nga ana tjetër, mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit nuk duhet të përdoren me fushata, atëherë kur politika ka nevojë për to, por duhet të jenë periodike dhe nga njerëz të një niveli të lartë profesional të pranuar nga bashkësia e jurisprudencës, me reputacion të njohur, me përvojën e njeriut të urtë dhe mençurinë e njeriut me integritet të padiskutueshëm. Për të mos i lënë vend arbitraritetit, nevojitet që të gjitha rrugët drejt zgjidhjes të qartësohen në ligj dhe rregullore, kriteret, metodikat dhe procedurat e verifikimit, të inspektimit dhe të procedimit, në mënyrë të tillë që ato të jenë të shenjta, që askush të mos ndërhyjë për të ndikuar as në zgjedhje, as në zgjidhje, por sidomos në ruajtjen e pavarësisë së gjyqtarit, gjykimi i të cilit duhet të mbështetet vetëm në ligj dhe bindjen e tij juridike. Kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse koha do t’i gjykojë për korrektësinë në kryerjen e detyrës, për pastërtinë e figurës dhe jo sa denjësisht i shërbeu pushtetit, ashtu sikurse ne po gjykojmë paraardhësit tanë për gjithë sa bënë dhe nuk bënë.
* * *
Pa dyshim që ushtrimi i përgjegjësive kërkon edhe një rikonceptim të ri të funksioneve, madje edhe të angazhimeve të anëtarëve të Këshillit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Si institucion i ngarkuar me përgjegjësinë e zgjedhjes së trupës gjyqësore, ai së pari duhet të jetë vetë në standarde shumë më të larta (përbërja aktuale nuk na e siguron këtë), në mënyrë që të gjykojë drejt për personalitete që reflektojnë integritet, te të cilët besojmë se mund të bëjnë gjënë e duhur, që mund të zbatojnë me korrektësi ligjin dhe rregullat e lojës pa iu nënshtruar ndikimit të të tjerëve dhe sidomos politikës. Aktualisht anëtarët e KLD zgjidhen sipas një formule të përcaktuar ligjërisht dhe në dukje ky konceptim duket sikur balancon apo garanton ekuilibrin midis përfaqësuesve të zgjedhur nga radhët e Gjyqësorit (konferenca gjyqësore kombëtare) dhe 3 anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, të cilët nuk duhet të jenë gjyqtarë, me në krye Presidentin e Republikës, i cili duhet të jetë mbi palët dhe i pavarur nga politika. Por në vetvete ndryshimi i procedurës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës nga një formulë konsensuale drejt një emërimi të pastër politik, duket se e bën të pamundur që kjo figurë të shkëputet dhe distancohet nga forca politike, e cila e ka mbështetur. Në këto kushte, përcillet në mënyrë të pashmangshme fryma politike dhe forca ndikuese, madje edhe tek anëtarët e tjerë të KLD. Një alternativë e mundshme dhe e diskutueshme është e drejta e votës së Presidentit të Republikës, në rastet kur KLD vendos për emërimin e gjyqtarëve. Ndoshta do të ishte i drejtë modeli i cili është edhe në disa vende, që Presidenti në këto raste të mos ketë të drejtën e votës në KLD, por të kufizohet me kryesimin dhe moderimin e mbledhjes. Për të njëjtën arsye mendoj se nuk është e drejtë ideja e hedhur se Presidenti mund të drejtojë reformën në Drejtësi, sepse do ta kishte të pamundur të ndërmerrte iniciativa ligjore të paanshme, të cilat të mund të ishin realisht të pandikuara politikisht. Përbërja e KLD, megjithëse kompozohet në mënyrë demokratike dhe siguron vetëqeverisjen e gjyqtarëve (pasi shumica në përbërje janë gjyqtarë), nuk ka mundur në pjesën më të madhe të rasteve të jetë objektive, sepse midis gjyqtarëve ekziston një solidaritet apo unanimitet, sidomos kur shqyrton procedimet disiplinore kundrejt gjyqtarëve apo dhe në vendimmarrjet, ku votat në bllok për emërimet apo shkarkimet e gjyqtarëve kanë qenë gjithmonë prezente. Prania e anëtarëve të tjerë, jo gjyqtarë (vetëm 3), nuk e ka përthyer këtë solidaritet dhe për këtë arsye mund të jetë e nevojshme të rishikohet formula e KLD, duke e shtuar numrin e anëtarëve jashtë Gjyqësorit, si dhe mund të gjenden mekanizma të tjerë kontrolli edhe nga ana e shoqërisë civile mbi Gjyqësorin, por pa dyshim rëndësi primare ka ruajtja e pavarësisë reale të Gjyqësorit. Modele të vendeve të ndryshme na ofrojnë disa zgjidhje, ku në shumicën e vendeve në përgjithësi, përveç gjyqtarëve, në këshillat e lartë të drejtësisë ka dhe profesorë të së drejtës apo dhe avokatë. Vendimmarrjet e drejta që në fillesë, pra me zgjedhjen e personaliteteve të denja për këtë detyrë fisnike, sigurisht që fitojnë respektin e shoqërisë, të komunitetit të juristëve, por nga ana tjetër rrisin dhe autoritetin e institucioneve që ata përfaqësojnë dhe besimin e shtetasve në dhënien e drejtësisë të barabartë për të gjithë.
* * *
Natyrisht që unë nuk pretendoj se mbaj monopolin e të vërtetës për gjithë sa mendoj se duhet bërë për të ndryshuar gjithë këtë realitet mbytës, por besoj, ka ardhur koha që secili, në mos në pamundësi për të bërë, të paktën të thotë fjalën e vet. Të tjerët që kanë në dorë hartimin e politikave, le të na dëgjojnë fare pak, por të bëjnë shumë, sepse koha e ikur i ka lodhur njerëzit, i ka rraskapitur durimin dhe po i plagos shpresat. Një rëndësi të veçantë ka rritja e besueshmërisë së publikut në dhënien e drejtësisë, sepse janë ata që jo vetëm që nuk marrin drejtësinë e kërkuar, por nuk shpresojnë më në legjitimitetin e personave që kanë veshur petkun e rëndë të gjyqtarit, të cilat aktualisht rëndojnë dhe më shumë nga pesha e korrupsionit që u ka kërrusur kokën. Në këtë histori duket sikur vetëm publiku është i humbur, por ai që ka humbur vërtet, është shteti i të drejtës. Një shtet i cili nuk siguron dot besimin e shtetasve të vet për legjitimitetin e organeve të tij, është i dështuar dhe i destinuar që historia ta lërë në harresë. Dhe ky është mallkimi dhe dënimi më i rëndë që mund t’i bëhet një shoqërie. Përpiquni, të nderuar pushtetarë dhe shtetarë, të ndërtoni së pari sistemin e vlerave morale etike, mbi të cilat do të formohet fryma ligjore dhe ligji do të rritet vetë dhe do të godasë me forcën e ashpërsinë e vet, sikurse ka ndodhur dhe në vendet e tjera, ku jetojnë njerëz si ne. Nëse do t’u jepni jetë këtyre vlerave, vetë shoqëria do të diktojë zgjidhje më të mira. Një shoqëri e shëndoshë do mund të flasë me kurajë, me zërin e kritikëve, studiuesve, medias së paanshme dhe opinionit publik në tërësi, duke ushtruar presion pozitiv, për të nxjerrë jashtë loje çdo trup të huaj që shkel parimet dhe vlerat më të mira morale.
*Pedagoge në Universitetin “Luarasi”