Shteti ligjor dhe mentaliteti i të fortit
Retorika e ndërtimit të sh tetit ligjor është bërë aq dyshuese, sa mendojmë se mund të jetë dhe vetëm një utopi në realitetin shqiptar. Aq shumë dëgjojmë për të, sa nëse gjithë kjo propagandë do të përkthehej në punë, do të kishim formësuar prej kohësh shtetin e së drejtës, të cilin jo se nuk dimë por nuk duam ta bëjmë sepse na pëlqen të eksperimentojmë dhe mundësisht të jemi të parët që e shkruajmë historinë.
Natyrisht që ndërtimi i tij, nuk mund të jetë vetëm kontribut i institucioneve shtetërore ndaj të cilave ne kemi pritshmëritë më të mëdha, por para së gjithash duhet të jetë produkt i gjithë angazhimit qytetar, i gjithë shoqërisë civile. Për mungesën e tij të gjithë jemi bashkëfajtorë, madje edhe kur heshtim, sepse heshtja jonë i hap rrugën asaj fare që është mbjellë dhe po bën politika në kundërshtim me interesat e vendit. Kjo është kambana e së keqes që duhet të dëgjojmë sot, unë, ju, ata, të gjithë, por sidomos ajo pjesë e mbetur e intelektualëve që akoma mendojnë se mund ta bëjnë të jetueshëm këtë vend për brezat që do të vijnë. Si rregullator i shoqërisë, shteti e ushtron funksionin e tij duke vendosur norma dhe sanksione për çdo shkelje që cenon hoqërinë, zbatimi i të cilave ndiqet nga punonjësit që janë pjesë e aparatit administrativ. Por, nga ana tjetër, shteti duhet të shfaqë dhe vetë vlera morale.
Në këtë kuptim, nëse administrata shtetërore do të përfaqësohet nga individë të moralshëm, por edhe të aftë profesionalisht, atëherë mund të realizohet dhe misioni i shtetit si rregullator moral dhe ligjor. Të gjithë janë të vetëdijshëm se nëse shteti do ta kryejë si duhet dhe pa diskriminim zbatimin e normave ligjore, askush nuk do të kundërshtonte apo të reagonte, sepse të gjithë priremi të kemi një shoqëri të mirëstrukturuar me rregulla dhe parime. Kjo për arsyen e thjeshtë se ligji duhet të jetë një mjet që i mbron njerëzit nga të gjitha padrejtësitë dhe u jep atyre të drejtën që të kërkojnë me ligj të drejtat e shkelura. Ndodh, madje shpesh, që kur punonjës të administratës ndërmarrin veprime për zbatimin e ligjit, individët shfaqin ndjenja revolte shpesh dhe të ekzagjeruara deri në vetësakrifikim ndaj çdo veprimi apo mosveprimi. Një sjellje e tillë do të ishte anormale nëse zbatimi i ligjit do të ishte i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë, pa dallim bindje apo përkatësie. Por, fatkeqësisht, nuk ndodh kështu, sepse aktualisht po goditen më të dobëtit, më të vegjlit, më të varfrit, individët pa përkrahje dhe pa asnjë mundësi tjetër jetese. Ndaj, ky reagim qytetar është i justifikuar dhe normal edhe kur kërkohet të zbatohet ligji. Çdo ditë, në emër të vendosjes së rregullit dhe shtetit ligjor, ndeshim pikërisht të kundërtën, paligjshmërinë, pandëshkueshmërinë, pabarazinë. Kjo fytyrë e shtetit antiligjor reflektohet në prishje selektive banesash, lokalesh, pa respektuar asnjë procedurë ligjore, e shohim te njerëzit që përdhosen nga trajtimi çnjerëzor i firmave të huaja që veprojnë pa asnjë garanci, duke marrë jetë njerëzore dhe shteti ynë ligjor hesht.
Shohim se si punonjës policie veprojnë me arrogancë dhe mungesë të theksuar profesionalizmi ku fushatat policore kanë më shumë qëllim të kallin tmerr sesa të kultivojnë përgjegjshmërinë, ndërgjegjen qytetare dhe ligjore. Punonjës tatimorë që trokasin si taksidarë, duke kërcënuar mbyllje dhe sekuestrim nëse ti nuk e kupton çdo të thotë të zbatosh ligjin (paguaj që të shpëtosh), kontrolle që ushtrojnë shantazhe në disa biznese, ndërkohë që të tjera biznese i bëjnë karshillëk shtetit apo kontrollorëve tatimorë. Ky është shteti ligjor, për disa i ashpër, stresues dhe i fortë dhe për disa të tjerë as që ekziston. Kontrollorë të tjerë që vijnë ditë pas dite për zbatimin e ligjit antiduhan, por në subjektin përballë duhanpirësit shijojnë kafenë pa u shqetësuar aspak, as për ligjin, as për punonjësit që ndjekin zbatimin e ligjit, sepse është ai që e ka, e mbron kjo, apo ajo… Përballesh në Hipotekë me punonjës ku paaftësia është legjendare, drejtohesh në ndonjë institucion apo ministri, ku përveç vështirësisë së të kuptuarit të gjuhës tënde shqipe, nuk merr asnjë shpjegim apo zgjidhje. Dhe trokitjet vazhdojnë, dyer që hapen dhe mbyllen, përplasje në fytyrë gjithfarë syresh ku vjen çdo aromë, por fatkeqësisht vetëm era shtet nuk vjen.
Por nuk mbaron këtu, sepse zinxhiri i gjatë i padrejtësive që godasin njerëzit në të përditshmen e tyre është shumë i gjatë. Dhe pushtetarët tanë çuditen se si shqiptarët nuk i shohin dhe nuk i kuptojnë sukseset që janë korrur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Çuditen pushtetarët edhe me ikjet masive të shqiptarëve të ditëve të fundit, ndërkohë që Zyrat e Punësimit “ofrojnë” alternativa dhe mundësi për të gjithë. Habiten me ikjet e njerëzve të dëshpëruar, të lodhur nga varfëria migjeniane që u është ulur këmbëkryq në vatrat e tyre ku vetëm bukë nuk ka. Nuk e dinë pushtetarët tanë çdo të thotë të mos kesh me çfarë të ushqesh fëmijët kur qajnë nga uria, nuk e dinë çdo të thotë që nëna nuk ka qumësht në gji për t’i dhënë fëmijës që gërthet, sepse mund të ketë ditë pa ngrënë, nuk e dinë që ka fëmijë që nuk shkojnë në shkollë sepse nuk blejnë dot as libra, as fletore, apo mungon një urë për të kaluar lumin deri te shkolla. Dhe shteti i së “drejtës” na tregon shembullin e ndërtimit të tij, kur burgos njerëzit e vobektë që nuk paguajnë dot dritat dhe nuk e mendojnë se pa dashje kanë bërë një të mirë të vogël, sepse së paku aty brenda hekurave ata njerëz të rraskapitur do të hanë bukë. Dhe nuk kanë si ta dinë pushtetarët tanë, sepse hendeku që kanë krijuar me popullin të cilin duhet ta përfaqësonin është aq i madh, sa e shohin botën nga lart dhe nga jashtë, me shumë ngjyra dhe forma. Dhe nuk kanë si t’i dinë të gjitha këto, sepse përkëdhelen vetëm nga favoret dhe të mirat që u vijnë rrotull, vetëm se patën fatin të ulen në karrigen që partia dhe lidershipi u besoi. Dhe befasohet Komisioni i Ligjeve nga etika e munguar dhe arroganca e drejtuesve të administratës shtetërore, që ata vetë kanë zgjedhur, reagojnë, ashpërsohen dhe nuk e dinë se qytetarët ndeshin çdo ditë me këto sjellje çnjerëzore dhe skandaloze, sepse në këto kushte, për profesionalizëm është luks të flasësh.
Asgjë nuk ndodh pa arsye. Në rastin tonë, arsyeja është e thjeshtë, e dukshme dhe e lexueshme. Kushdo që ndesh me punonjës apo nëpunës të administratës shtetërore, kupton se ekziston një inkompetencë e theksuar e drejtuesve të shtetit, një arrogancë dhe mungesë etike, e cila bën që individët të kundërreagojnë brutalisht, por dhe më e keqja të humbasin besimin tek organet e shtetit, të cilat nuk i shohin më si garante të të drejtave, por si dhunuese të tyre. Shtetasit ndihen të braktisur nga shteti i tyre, i cili nuk u siguron sot as mbijetesën, sepse mirëqenia dhe cilësia e jetës është termi i huaj dhe favor vetëm i pushtetarëve apo klaneve mbështetëse rreth tyre. Kjo është pasoja e pseudoreformave që kanë ndodhur në administratën tonë prej vitesh. Ministrat që ndërrojnë ngjyrë dhe vijnë nga realitete larg kësaj shqiptare, deklarojnë se fytyra e administratës do të ndryshojë tashmë dhe nuk e dinë këta ministra të radhës se këto ndërrime fytyrash me gjithfarësh ngjyrash kemi 25 vite që i shohim, ndryshimi është që sot “make-up”-i nuk i mbulon dot as paaftësitë dhe as mungesën e integritetit dhe moralitetit.
Administrata shqiptare është e veshur me pëlhurën e militantizmit (natyrisht pa ngjyrë, sepse përdoret dhe e ndërrojnë sa herë ndërrojnë pushtetet), klanizmit dhe është e mbërthyer nga injoranca e servilizmi i njerëzve që dine vetëm të shërbejnë symbyllurazi pa pyetur për dinjitetin profesional, ndërgjegjen administrative dhe intelektuale. Kultura institucionale juridike e munguar ka gjetur strehë në çdo qelizë të administratës. Shtetarë të cilët emërohen dhe shkarkohen nga zyrat e partisë, që nuk dinë të vendosin raporte sjelljeje me popullin në shërbim të të cilëve duhet të jenë, madje as me eprorin e tyre, sepse dinë t’i shërbejnë vetëm partisë.
Kjo kategori njerëzish është zhveshur jo vetëm nga çdo element njerëzor, por u mungon mbi të gjitha dinjiteti individual, shiten dhe blihen lehtas nga çdo parti që vjen në pushtet. Dhe më tutje, historia vazhdon sepse për besimin e treguar dhe përulësinë ndaj shefave, shpërblehen me poste të majme, deri në një poltron në Parlament, i cili nga tempull i të drejtës është kthyer në tempull të kriminalitetit, të arrogancës, të mungesës së një kulture minimale debati, shkurt është një neveri e denjë për t’u parë vetëm si “Portokalli”. Në krye të vendit udhëheqin pseudopolitikanët që, nëse do t’i zhveshësh nga pushteti dhe funksionet e pamerituara të dhëna si ofiq, fatkeqësisht nuk përfaqësojnë asgjë, asnjë vlerë, as moral, as qytetari dhe ca më pak profesionalizëm. Njerëz të gatuar dhe brumosur vetëm me ideologji kameleoniane. Shoqëria shqiptare është duke vuajtur nga kjo “elitë politikanësh” që na përcjell vetëm konfliktualitet dhe brutalitet. Më fatale është se kjo specie e shtuar shumë së fundmi, ka humbur elementet njerëzore dhe është kthyer në një makth për çdo njeri të ndershëm që mendon se udhëhiqet prej kësaj klase. Në gjithë këtë realitet rrokopujë është për të ardhur keq që zëri i intelektualëve shqiptarë, të cilët do të ishin oponenca më e mirë e çdo qeverie, është mekur dhe ne po heshtim përballë këtij realiteti kaq të hidhur politik, në të cilin është zhytur vendi ynë. Edhe kjo e ka një arsye sepse kritikën e tyre askush nuk e dëgjon, sepse fytyra e Rilindjes duhet të flasë me zërin e të rinjve, me vrullin e tyre, megjithëse u mungon mençuria dhe urtësia, eksperienca e jetës, apo dhe njohja e realitetit. Nuk kam asgjë kundër të rinjve, përkundrazi, ata duhet të jenë pjesë e ecjes sonë përpara, por mënyra si vijnë, pse mbështeten dhe çfarë përfaqësojnë është zhgënjyese. Ndërkohë i kemi bërë keq shtetit, shoqërisë, por më keq akoma edhe vetë atyre, sepse nuk i kemi lënë të rriten natyralisht, por u varim në qafë këmbora më të rënda sesa ata peshojnë vetë.
Në këtë mënyrë jemi duke u shitur modelin më të shëmtuar të rinjve, sepse po u tregojmë se favoret, privilegjet, karriera fitohen lehtësisht nëse di t’i shërbesh me besnikëri, përulje dhe servilizëm partisë apo lidershipit që ka në dorë fatet e tua. Demokracia, nëse është e tillë kjo e jona, është deformuar dhe shpërfytyruar në atë masë sa kostot sociale dhe ekonomike janë të mëdha sot, por do të jenë edhe më shumë nesër. Koncepti i shtetit të së drejtës, sa abstrakt aq dhe konkret, në realitetin tonë është kthyer në utopi, të cilën pak kush e beson se mund të ndërtohet, të paktën deri sa kjo klasë politike do të vazhdojë të na drejtojë.
PROF.AS.DR.REZANA KONOMI
*Pedagoge në Universitetin “Luarasi”