Teknologjia dhe punësimi, ministrja Harito pakt me “Luarasi”

Teknologjia dhe punësimi, ministrja Harito pakt me “Luarasi”

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 19.01.2017

Kolegji universitar “Luarasi”, nga dje ka një partner të ri, Ministrinë për Inovacionin dhe Administratën Publike, që e ndihmon të rritet jo vetëm në fushën kërkimore­shkencore, por edhe në atë praktike, duke nxitur studentët të bëhen sipërmarrës inovativë. Këtë parashikon marrëveshja e nënshkruar midis Prof. Dr. Arben Malaj, si rektor i “Luarasi”, e ministres Milena Harito.

Kjo, në përputhje me ideologjinë e universitetit që nuk ka synim thjesht furnizimin e tregut të punës me burime njerëzore. “Sfida jonë si universitet nuk është të prodhojmë studentë që na kërkojnë punë, por studentë që krijojnë vende pune. Një nga sfidat që ka shpejtësia e inovacionit është që shpeshherë në universitete studentët, duke investuar tek inovacioni, edukohen që të jenë inovatorë dhe të prodhojnë vende pune që akoma nuk ekzistojnë në momentin që ata studiojnë”, vuri në dukje prof. dr. Malaj. Sipas rektorit, vetëm duke prodhuar studentë biznesmenë do të mund të përballemi me tri sfidat kryesore që ka vendi ynë: lufta kundër varfërisë, rritja e punësimit dhe reduktimi i thellimit të pabarazisë.

Falë memorandumit, “Luarasi” tashmë do të angazhohet në promovimin e inovacionit, në kërkimin shkencor, cilësinë e mësimdhënies, e sidomos në promovimin e mundësive që duhet të jenë gjithnjë e më të prekshme nga një numër i madh njerëzish. Pjesë e marrëveshjes është organizimi i konferencave të përbashkëta, trajnimeve, intershipeve, leksioneve të hapura e seminareve në lidhje me inovacionin në shërbimet publike dhe politikat e zhvillimit.

Gjithashtu, ministria garanton mbështetje për punën kërkimoreshkencore, si dhe motivimin dhe asistencën për studentët në punime shkencore apo marrjen e titujve akademikë.

“VENDET E PUNËS”

Përparimi me hapa gjigandë i teknologjisë ka sjellë ide novatore, të cilat për shumë punë gjithnjë e më shumë nuk kërkojnë burime njerëzore, por robotë. Duke iu referuar dekadës së ardhshme, ministrja Milena Harito në leksionin e hapur me studentët foli për revolucionin e katërt industrial në botë, duke pohuar atë që shumë i druhen: teknologjia do të nxjerrë në rrugë më shumë se gjysmën e të punësuarve në çdo sektor, pa përjashtim.

“Vendet e punës të ardhshme për ju që jeni në fillim të karrierës suaj dhe pas 2 a 5 vjetësh do të jeni në tregun e punës, do të ndryshojnë krejtësisht. Sot nuk ka më asnjë sektor, as juridik, as ekonomik, as shkenca sociale që nuk do të preket nga teknologjia. OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim) thotë që në 10 vitet e ardhshme 50­60% e vendeve të punës që ekzistojnë sot do të zhduken, do të kryhen nga makinat”. Pasi foli për zhvillimet e teknologjisë, e cila mund të sjellë ndikimet e saj pas 5 apo 10 vitesh, Harito u ndal në reformën në administratë, si një nevojë imediate.

“Mënyra më e thjeshtë dhe më e mirë për të transformuar administratën është inovacioni. Ndaj në këto 3 vitet e para jemi fokusuar në aplikimin e inovacionit për të transformuar administratën publike dhe po përpiqemi që këtë gjë ta shtrijmë dhe në sektorët e tjerë të jetës sociale dhe ekonomike”. Transformimi i burimeve njerëzore dhe instrumenteve teknologjikë janë dy mjetet që kanë çuar në krijimin e një administratë moderne.

 

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 19.01.2017

http://www.panorama.com.al/teknologjia-dhe-punesimi-ministrja-harito-pakt-me-luarasi/