Artikull në GAZETËN PANORAMA – 24.11.2017
http://www.panorama.com.al/luarasi-mbeshtet-nismen-per-pastrimin-e-mjedisit-flet-rektori-ruka/
Të bërë bashkë, studentët e Kolegjit Universitar “Luarasi” kanë përqafuar nismën për pastrimin e Shqipërisë.
Ky angazhim ka marrë mbështetjen edhe të stafit pedagogjik, si edhe të rektorit të “Luarasit”, Prof. Dr. Et’hem Ruka, i cili ka përshëndetur iniciativën e të rinjve, duke e konsideruar atë promotore për të sjellë ndryshimin që të gjithë duam në mjedis. Përveçse duke lobuar, studentët do të japin kontributin e tyre duke iu bashkuar aksionit për një mjedis të pastër. Nga stenda e “Luarasit”, i cili i është bashkuar panairit të përvitshëm “Klik Ekspo Group”, rektori Ruka e konsideroi iniciativën imperativë të kohës.
“Kjo stendë duket e thjeshtë, por në gjërat e thjeshta qëndrojnë gjërat e mëdha. Këtu është filozofia e studentëve të ‘Luarasit’ në mbrojtje të mjedisit. Kultura e mjedisit është një kulturë e qytetërimit të sotëm, ndaj duhet ta injektojmë atë edhe te brezat e tjerë. Në takimin që kam pasur me këshillin studentor të Kolegjit Universitar ‘Luarasi’, u njoha me iniciativën që ata kanë ndërmarrë për t’u bërë thirrje të gjithë të rinjve që t’i bashkohen aksionit për pastrimin e Shqipërisë. Janë vendosur të gjitha kontaktet me Bashkinë e Tiranës që javën e ardhshme të gjithë studentët e universitetit ‘Luarasi’, së bashku me pedagogët e tyre, do të kontribuojnë për këtë nismë, duke bërë thirrje për gjithëpërfshirje në këtë aksion”.
Rektori u ndal edhe në rolin që kanë dhe duhet të luajnë të rinjtë për të sjellë ndryshimin. “Ndotja e mjedisit është një problem i madh dhe tepër shqetësues. Këta të rinj kanë marrë përsipër ta ndryshojnë këtë gjendje dhe kjo është tepër pozitive. Universiteti ‘Luarasi’ është pionier në këtë iniciativë. Është vërtet e rëndësishme që të rinjtë të jenë pionierë të kësaj lëvizjeje. Shëndeti i mjedisit është shëndeti i qytetarëve. Të gjithë ne jetojmë në një mjedis që është i ndotur, për Shqipërinë e pastër që duam, promotor duhet të jenë të rinjtë”, u shpreh më tej rektori.
STENDA
“Dikush qëndron nën hije, sepse dikush tjetër ka mbjellë pemën shumë kohë më parë”, “Ndotja e ambientit është një sëmundje e pashërueshme”, “Toka është si një anije kozmike që ka ardhur pa një manual përdorimi” janë disa nga pankartat që kanë pushtuar stendën e “Luarasit” në panair. “Janë të gjitha krijime nga studentët e universitetit ‘Luarasi’. Këto pankarta duken të thjeshta, por janë mesazhe shumë të rëndë- sishme. Është një filozofi e tërë dhe unë besoj që gjërat e thjeshta që bëhen me shpirt janë më të rëndësishme se ato që krijojnë një përshtypje të jashtme pa arritur të vënë në lëvizje asgjë”, vlerësoi rektori i KU “Luarasi”.
KONGRESI
Kongresi i parë ndërkombëtar, “Menaxhimi dhe trajtimi i integruar i mbetjeve, në gjendje të lëngët, të ngurtë dhe të gaztë” do të qëndrojë i hapur deri më 26 nëntor në Pallatin e Kongreseve. Në të do të marrin pjesë akademikë, profesorë dhe specialistë të mjedisit nga disa universitete, të cilët do të japin ekspertizën më të mirë dhe planet studimore për trajtimin e integruar të mbetjeve. Nismës i është bashkuar edhe Kolegji Universitar “Luarasi”. Studimet dhe ekspertiza shkencore e akademikëve do të jetë baza e hartimit të strategjive të së ardhmes, për mënyrën sesi Shqipëria duhet të përballet me problemin e ndotjes së mjedisit.
Studentët mbështesin kauzën për një mjedis të pastër
Tepër të motivuar dhe në përkushtim të plotë ndaj kauzës për një mjedis të pastër, studentët ekselentë të Kolegjit Universitar “Luarasi” i janë bashkuar pa asnjë hezitim aksionit. Në javët në vijim, ata do të bëhen pjesë e rrjetit të lobimit për të ndërgjegjësuar çdo njeri mbi rëndësinë që ka një ambient i pastër, por mbi të gjitha për rolin që duhet të ketë secili prej nesh për të bërë të mundur reduktimin e ndotjes.
“Iniciativa e sotme fokusohet te mjedisi dhe kjo kërkon jo vetëm angazhimin tonë si studentë, por edhe ndryshimin e të gjithëve. Ndaj edhe qëllimi ynë është që të përçojmë te të tjerët mesazhin për një ambient të pastër. Mjedisi u takon të gjithëve. Rëndësi ka që secili prej nesh të bëjë detyrën që i takon duke u angazhuar dhe kontribuar në ruajtjen e mjedisit”, pohon Merita Saliaj, studente e vitit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë.
Me mbështetjen e stafit pedagogjik dhe rektorit të KU “Luarasi”, Prof. Dr. Et’hem Ruka, studentët do të angazhohen në nisma konkrete. “Ne do të përcjellim gjithë informacionin e mundshëm për këdo që do të jetë i interesuar, do të lobojmë mbi rolin që duhet të ketë secili prej nesh për një ambient të shëndetshëm”, vënë në dukje studentët.
Zgjedhjet për Këshillin Studentor, Paço: Interes i lartë nga studentët
Sikundër ishte bërë më herët e ditur, ditën e djeshme, në Kolegjin Universitar “Luarasi” u zhvilluan zgjedhjet për Këshillin Studentor. Edhe këtë vit akademik janë zgjedhur senatorët e secilës klasë në programet bachelor dhe master në Fakultetin e Drejtësisë dhe të Ekonomikut, të cilët përfaqë- sojnë klasat respektive në Këshillin Studentor.
Zgjedhjet u përshëndetën edhe nga rektori i “Luarasit”, Prof. Dr. Et’hem Ruka. Vlen të theksohet se pjesëmarrja e studentëve në qeverisje është realizuar nëpërmjet përfshirjes së përfaqësuesve të tyre në strukturat drejtuese.
Interesi për të kandiduar, për të qenë pjesë e qeverisë studentore, si dhe pjesëmarrja e studentëve në votime ka qenë e lartë. “Dëshira për pjesëmarrje është shumë e madhe. Kandidaturat kanë qenë të shumta, rreth 36 kandidatë. Ka klasa me 3 ose 4 kandidatë. Konkurrenca po ashtu ka qenë e madhe mes studentëve, nuk e prisnim që studentët të angazhoheshin duke bërë programe reale, duke përgatitur postera apo duke mbajtur fjalime”, theksoi Spiro Paço, pedagog në KU “Luarasi”.
Studentët e Fakultetit të Drejtësisë, leksion për të drejtën romake
“Drejtësia është arti i së mirës dhe së drejtës”. Me këtë të thënie të vjetër romake, pedagogia e të drejtës romake në Universitetin e Tiranës, Prof. As. Dr. Enkeleida Olldashi, iu drejtua studentëve të Fakultetit të Drejtësisë në KU “Luarasi”. Gjatë një ore leksioni të hapur, Olldashi përcolli te studentët e vitit të dytë mesazhin mbi parimet që duhet të udhëheqin juristët e së nesërmes. Sipas saj, e mira dhe e drejta janë një etalon i vyer. “Në fund të ditës, vuri në dukje pedagogia e UT, e rëndësishme është që gjithsecili të mund t’i përgjigjet pyetjes:
A dhashë drejtësi përmes vendimit? Kur je në fushën e drejtësisë, për mua që jam dhe pedagoge e së drejtës romake, në këtë kuadër më vjen ndërmend një shprehje shumë e bukur e një juristi të famshëm romak, i cili thoshte: ‘Drejtësia është arti i së mirës dhe së drejtës’. Ai që duhet në fakt që të aplikojë të drejtën, duke aplikuar në të njëjtën kohë edhe të mirën, është juristi, dhe ky mesazh u shkon juristëve, u shkon studentëve që sot në fakt kanë vendosur të studiojnë dhe nesër do të bëhen aplikues të ligjit.
Duke u nisur nga koncepti se drejtësia është arti i së mirës dhe së drejtës, për çdo jurist, për çdo aplikues të ligjit, kur ai është një zbatues i ligjit, duhet jo vetëm të jetë korrekt në zbatimin e ligjit, por duhet të bëjë gjithmonë një pyetje. A dhashë drejtësi përmes vendimit?”.
Prof. As. Dr. Olldashi bëri shpjegim të zgjeruar të termit “Pronësi” gjatë periudhës së romakëve, duke e krahasuar me avancimin deri në ditët e sotme. U shpjegua mënyra e ndarjes së pronës publike dhe pronës private gjatë kësaj periudhe, duke nxitur dhe interesimin e studentëve. Jashtë fokusit nuk mbeti as ligji për pronat në Republikën e Shqipërisë, një gangrenë çerekshekullore, që ka sjellë debate të mëdha mes intelektualëve dhe forcave politike në vend.
Artikull në GAZETËN PANORAMA – 24.11.2017
http://www.panorama.com.al/luarasi-mbeshtet-nismen-per-pastrimin-e-mjedisit-flet-rektori-ruka/