Alumni

alumni4Themelohet Luarasi ALUMNI

” Luarasi ” përmes një pritje mondane themeloi grupimin Luarasi Alumni. Ky grupim është një organizim i studentëve që kanë dalë nga auditoret e  Luarasit  që prej 9 vitesh.

Nuk ka se si të mos ndihesh e rrethuar nga emocionet kur gjendesh në një takim mbas kaq vitesh mes pedagogësh dhe ish studentësh të cilët tashmë janë duke vënë në jetë atë që kanë ëndërruar në bankat e shkollës.

Eventi fillon me një përshëndetje të themeluesit të këtij universiteti, profesor Aleks Luarasi, një akademik që ka kaluar 4 dekada duke përgatitur juristët e rinj.

« Jam i lumtur të pohoj që universiteti çdo ditë materializon vizionin që patëm kur e themeluam rreth 9 vite më parë » shprehet ai përpara të pranishmëve. I pyetur se cilat janë sfidat me të cilët përballen sot universitetet private, ai shprehet se në mënyrë të përmbledhur është cilësia. Një sfidë kjo, siç duket, e fituar tani për tani nga ky universitet, por një sfidë që nuk lodhet kurrë duke të sfiduar.

Çfarë është Luarasi Alumni?

Luarasi Alumni është organizim i të gjithë studentëve që janë diplomuar gjatë këtyre nëntë viteve dhe atyre që do të diplomohen te SHLUP “Luarasi” në të ardhmen. Grupimi Alumni synon të bashkojë e të promovojë studentët e dalë nga auditorët e SHLUP “Luarasi”, si edhe të nxisë pjesëmarrjen e tyre në konferenca dhe aktivitete të ndryshme. SHLUP “Luarasi” synon që nëpërmjet grupimit Alumni të mbajë lidhje me ish-studentët duke i ndjekur ata në karrierën profesionale. Gjithashtu synohet që nëpërmjet këtij grupimi të gjithë të diplomuarit e “Luarasi”-t të mbështesin njëritjetrin si dhe të shkëmbejnë informacione mes tyre përmes takimeve dhe forumeve online. Luarasi Alumni përfshihet në organizimin e konferencave shkencore; programe mentorimi (mes një Alumnus/a dhe një studenti të vitit të parë), takime periodike formale dhe informale mes Alumni.

Universiteti i ndihmon ish-studentët përmes  afrimit të mundësive për internshipe në kompani të ndryshme, dhënie referencash për studime dhe punësim,  angazhim në projektet e universitetit veçanërisht në studime dhe projekte të Qendrës së Kërkimit Shkencor, publikim i punimeve të Alumni-t në revista shkencore, shpërndarje të informacioneve rreth mundësive të shkollimit brenda dhe jashtë Shqipërisë, bursa studimi si dhe mundësi punësimi në sektorin publik dhe privat. Nga ana e tyre Alumni-t e mbështesin universitetin duke dhënë vazhdimisht mendimin e tyre mbi hapat që duhet të ndërmarrë SHLUP “Luarasi” apo duke ndihmuar studentët aktualë në studimet e tyre dhe në zhvillimin e praktikës mësimore. Numri i studentëve të diplomuar nga Shkolla e Lartë Universitare Private LUARASI deri në korrik të vitit 2011, në 5 breza të diplomuarish që  nga viti 2003 i çeljes së institucionit, është prej 752 studentësh, të cilët përbejnë grupimin Alumni.

Shkolla kujdeset që të mbajë të gjitha të dhënat e anëtarëve të këtij grupimi, të diplomuarve, në kuadër edhe të asistencës së ofruar për ta për avancimin e tyre në tregun e punës apo karrierën e tyre në fushën kërkimore dhe akademike. Për të arritur këtë synim, SHLUP Luarasi mban çdo vit akademik Librin e Karrierës për brezat e të diplomuarve, në të cilin evidenton për çdo të diplomuar statusin e tij pas diplomimi, i punësuar apo jo, avancimin në kualifikimet e mëtejshme akademike të studentëve, veprimtaritë në fushën kërkimoreshkencore. Nga të dhënat e ofruara nga Libri i Karrierës i çdo brezi të diplomuarish pranë nesh, evidentojmë me kënaqësi se ecuria e studentëve të diplomuar pranë nesh në çdo fushë, qoftë punësimi, kërkimore apo dhe akademike, ka qenë tejet e kënaqshme. Në masën 80% studentët e diplomuar “Luarasi” arrijnë që brenda një viti nga diplomimi të sigurojnë një vend në tregun e punës. Shumë prej tyre, studentët e brezave të parë, kanë arritur të avancojnë shkallët e karrierës në pozicionin e tyre të punës.

Sot në institucionet publike të çdo niveli, në institucionet private, në veprimtarinë akademike dhe në sektorin e drejtësisë në përgjithësi, janë afro 600 specialistë, përgjegjës, drejtorë, asistentë, pedagogë, kërkues, gjyqtarë e të tjera pozicione, te cilët kanë filluar karrierën e tyre dhe vazhdojnë të qëndrojnë të lidhur me “Luarasi”-n. Ky fakt, për të cilin ndihemi krenarë, përbën një  sukses të vërtetë të të gjithë anëtarëve të shkollës, duke treguar dhe garantuar në tregun e mbingopur të punës se diploma LUARASI mban mbi vete besueshmëri, cilësi dhe reputacion të lartë.