Angazhimi i diasporës në kërkimin shkencor

Artikull në  Balkanweb – 23.01.2017

Prof. Dr Arben Malaj Rektor i Luarasit,  arben.malaj@gmail.com

Jona Barjaba Kërkues shkencorë, Stanford Universityj.barjaba@sussex.ac.uk

Mentorimi 1 për 1

1.

Ballkani Perëndimor aktualisht ndodhet përballë dy sfidave: paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit në rritje. Ndërsa paqja ka filluar të zërë vend në rajon prej fillimit të shekullit 21, prosperiteti mbetet sfida  më kritike  e së ardhmes.

Historia na mëson se zhvillimi dhe rritja e mirëqenies janë të pamundura pa paqen e qëndrueshme.  Ndërsa pa rritje të mirëqenies nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, e cila duket sot e kërcënuar nga rritja e populizmit dhe nacionalizmit, të ushqyera kryesisht  nga dështimi në reduktimin e pabarazisë, rritjen e punësimit dhe reduktimin e varfërisë.

Për të arritur një rritje ekonomike më të lartë, të qëndrueshme dhe të drejtë, vendet tona kanë nevojë për një kapital social cilësor. Burimet e formimit dhe rritjes së cilësisë së kapitalit social janë të shumëllojshme, pra në këtë shkrim ne po fokusohemi te roli i diasporës në krijimin e talenteve dhe rritjen e cilësisë së kapitalit social në vendet e origjinës. Këtu mbajmë parasysh veçoritë të emigrimit të shqiptarëve: fluksit migrator të lartë si edhe nivelit shumë të mirë arsimor dhe shkencore të një pjese të konsiderueshme të diasporës tonë.

2.

Në nëntor 2016  u organizua ne Tirane Samiti i Diasporës, e para nismë për krijimin e një strategjie për përfshirjen dhe angazhimin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit në sfidat tona te zhvillimit. Samiti ishte një hap i rëndësishëm për të vendosur një urë komunikimi e bashkëpunimi të qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe bashkëkombësve jashtë vendit.

Por cilat janë disa nga projektet  konkrete që duhet të pasojnë Samitin?
Fokusi ynë në këtë artikull do të jetë angazhimi i komuniteteve shqiptare jashtë në zhvillimin e vendit dhe si qeveria dhe aktorë të tjerë duhet të kenë një qasje të qartë dhe të qëndrueshme. Në këtë artikull, termikomunitetet shqiptare jashtë vendit” përfshin qytetarët shqiptarë jashtë vendit dhe këdo tjetër që ka lidhje trashëgimie/fisnore ose afërsie me Shqipërinë.  Në fund të vitit 2015, rreth 1.5 milionë shqiptarë jetonin jashtë vendit. Flukset e mëdha migratore kanë krijuar komunitete shqiptare në vende të ndryshme nëpër botë.

Me rritjen e numrit të shqiptarëve në mbarë botën, interesi për të ruajtur lidhjet me Shqipërinë është në rritje. Ekonomia e Shqipërisë ka përfituar në mënyrë të konsiderueshme nga remitancat, por ndjehet nevoja për mënyra të reja për komunitetet jashtë për të kontribuar në Shqipëri. Këto komunitete po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë. Ndërsa disa studiues e shohin largimin e shqiptarëve jashtë si një humbje, është e rëndësishme që të kuptojmë se angazhimi i këtyre grupeve mund të jetë një vlerë e shtuar për Shqipërinë; fenomeni brain-drain mund të kthehet në brain-gain dhe brain exchange. Indeksi Talenti i Konkurrueshmërisë Globale (2015-16) e rendit Shqipërinë në vendin e 85 nga 109 vende. Dimensione të ndryshme të indeksit si tërheqja e njerëzve të talentuar nga jashtë dhe mbajtja e individëve të talentuar në vend tregojnë se Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri, një strategji me objektiva dhe indikatorë monitorimi konkrete për të mbajtur dhe tërhequr  jo vetëm fizikisht shqiptaret e talentuar jashtë vendit.

Angazhimi i komuniteteve jashtë duhet të bëhet një platformë prioritare e mire organizuar dhe me objektiva konkrete dhe te matshme.

Bazuar në kontekstin e Shqipërisë, ne sugjerojmë që transferimi i njohurive të komuniteteve shqiptare jashtë mund të jetë një qasje e rëndësishme.

Komunitetet shqiptare kanë potenciale të rrisin zhvillimin e vendit përmes transferimit të njohurive dhe aftësive të fituara jashtë vendit.

Studimi i kryer nga Kosmo dhe Nedelkoska) tregon se komunitetet shqiptare-amerikane kanë një avantazh kualifikimi në krahasim me komunitetet jo-shqiptare. Autorët identifikojnë  se arsyet më të shpeshta të angazhimit të komuniteteve jashtë vendit në zhvillimin e vendit janë në lidhje me arsimin (81%) dhe shkëmbimin profesional (76%).

(http://albania.growthlab.cid.harvard.edu/files/albaniagrowthlab/files/diaspora_survey_results_report_v5.pdf

Komunitetet shqiptare jashtë dhe profesionistët në vend duhet të gjejnë mundësitë për bashkëpunim dhe interesat e përbashkët.

Këto komunitete kanë aftësi, përvoja dhe kontakte të vlefshme që mund t’i ofrojnë individëve të ndryshëm në Shqipëri nëpërmjet mentoring/coaching (mentorimit dhe këshillimit).

Përveç përmirësimit të aftësive të kolegëve në Shqipëri, komunitet shqiptare mund të ofrojnë dhe këshilla dhe udhëzime në lidhje me karrierën apo studimet jashtë vendit.

Shqipëria ka një numër studentësh në rritje, të cilët largohen për të studiuar jashtë vendit. Burime jozyrtare tregojnë  se janë afërsisht 5,000 studentë në vit që fillojnë studimet jashtë vendit.

Mentorimi është një mënyrë efektive për të ndihmuar individë të ndryshëm të përparojnë në jetën dhe karrierën e tyre. Shumë profesionistë të kualifikuar nga komunitetet shqiptare mund të ndajnë njohuritë dhe përvojën e tyre me personat që jetojnë në Shqipëri, me anë të kthimit të përkohshëm në Shqipëri.

Gjithashtu, mund të krijohen rrjete sociale dhe profesionale për të cilat prania fizike në Shqipëri nuk është e nevojshme. Në ditët e sotme, përparimet teknologjike e bëjnë transferimin e njohurive më të lehtë dhe mundësojnë eliminimin e barrierave gjeografike dhe distancave.

Për  këtë  qëllim  mund  të  përdoren  edhe  mjaft  përvoja  të  vendeve  të  tjera  me  fluks  të  lartë emigrantësh   për  rritjen  e  rolit të  diasporave  në  zhvillimin  e vendeve të origjinës. Disa nga vendet që kanë zbatuar modele të suksesshme në angazhimin e diasporës janë Irlanda, Izraeli, India, dhe Kina. Ideja jone është më konkrete, studiuesit shkencorë shqiptarë me eksperience  në kërkimin shkencor që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, mund të vendosin sipas fushave respektive një kujdestari këshillimi dhe mentorimi për kërkuesit shkencore që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Ata mund t’i asistojnë që në përzgjedhjen e temave që bëjnë një lidhje më të mirë të kërkimit shkencor me ekonominë tonë reale, t’i asistojnë  që në hapat e para deri në përfundimin e një kërkimi shkencor të standardeve ndërkombëtare ku ata punojnë. Mentorshipi  i fokusuar do të prodhojë staf akademik dhe kërkues shkencor të talentuar edhe në  Shqipëri,  duke i dhënë një standard të ri kapitalit human dhe social të Shqipërisë. Ne shpresojmë se kjo mënyrë do të jetë me konkrete dhe me efektive. Ide duhet thelluar me një studim me te plote për identifikimin dhe “binjakëzimin” e tyre . Identifikimi i individëve që mund të ofrohen për mentor shkencore dhe profilizimi statistikor i tyre  aktualisht është i kufizuar. Reduktimi i kësaj mungesë mbetet një detyrë kyçe e qeverisë në kuadër të iniciativave për angazhimin e komuniteteve jashtë vendit. Qeveria  duhet  të  mendojë  për  të ndërtuar  e zbatuar  mekanizma për të  fuqizuar dhe  bërë  më të qëndrueshme lidhjet e  vendit  me shqiptarët jashtë vendit, specifikisht me shqiptarët që vijnë nga komunitetet e akademike dhe biznesit. Qeveria, universitetet dhe sipërmarrjet shqiptare mund dhe duhet të bëhen gjeneratorët e këtij procesi.

 

http://www.balkanweb.com/site/angazhimi-i-diaspores-ne-kerkimin-shkencor/