Artikull në Gazetën Telegraf – Universitetet, Malaj: Abuzime me informacionin

Rektori i “Luarasi”-t akuzon për mosfunksionim efektiv të tregut dhe garës mes shkollave të larta.

Në kulmin e pritjes së maturantëve për të mësuar nëse kanë fituar degët e preferuara për të studiuar në arsimin e lartë, ka shpërthyer dje edhe përplasja mes universiteteve. Ka qenë rektori i universitetit “Luarasi”, Arben Malaj, i cili ka pretenduar se ka një deformim apo manipulim të tregut mes shkollave të larta. Ish-ministri i Financave nuk ka përmendur emrat e universiteteve të akuzuar, por duket se shigjetimi i tij shkon për një ndër universitetet më të mëdha private në vend, i përmendur për përfitime edhe nga mënyra e realizimit të reformës në arsimin e lartë.

“Në një media të vetëdeklaruar neoliberale, që shpërndan dhe rrezaton idetë neoliberale, deklarohet sot (dje) se universiteti që e financon këtë media, për vitin akademik 2017-2018 ka 25 % më shumë studentë. Ky njoftim bëhet gati 20 ditë përpara afatit ligjor të deklarimit zyrtar se në cilin prej universiteteve publike apo private maturantët kanë preferuar të studiojnë”, shprehet Malaj në një deklaratë publike. Sipas tij, “një nga problemet e mosfunksiomit efektiv të tregjeve është asimetria e informacionit. Nuk mund të jesh edhe neoliberal dhe abuzues me asimetrinë e informacionit në përgatitjen e ligjeve, akteve nënligjore apo informacioneve. Në teoritë ekonomike, asimetria e informacionit shpesh përdoret për t’i deformuar apo manipuluar tregjet”, nënvizon Malaj.

Sipas Qendrës së Shërbimeve Arsimore, më 28 gusht nis shpallja e fituesve dhe regjistrimi i tyre në universitete, proces i cili duhet të kryhet brenda 48 orëve. Më datën 28 gusht do të bëhet shpallja e fituesve në faqet e universiteteve, por edhe në Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe në datën 29 gusht do të fillojë menjëherë edhe regjistrimi për në universitet. Ndryshe nga një vit më parë, fituesi mund të çregjistrohet nëse heq dorë nga zgjedhja e tij e parë. Ata që do të kenë mundësinë e çregjistrimit, do të kenë mundësi riaplikimi vetëm në raundin e dytë. Raundi i parë i pranimit të institucionet e arsimit të lartë do të zgjasë 14 ditë dhe ka 7 minifaza 48 orëshe. Nga data 29 gusht deri më 11 shtator, aplikantët të cilët kanë rezultuar fitues duhet të kryejnë procesin e regjistrimit. Gjatë këtyre datave, aplikantët duhet të jenë të vëmendshëm në ndjekjen e procesit. Nëse shpallen fitues në një nga programet e studimit që kanë renditur, ata duhet të regjistrohen brenda 48 orëve. Në të kundërt humbin të drejtën për të vijuar programin e studimit. Ndërsa raundi i dytë fillon më 15 shtator kur maturanti mund
të riaplikojë, duke zgjedhur edhe programe të tjera të ndryshme nga raundi i parë. Në këtë raund mund të aplikojnë ata që kanë marrë provimet e maturës në vjeshtë, apo ata të cilët kanë mbaruar maturën në një vend  I gjithë procesi i pranimit në shkollat e larta parashikohet të zgjasë rreth dy muaj, një periudhë e gjatë dhe e vështirë për mijëra maturantë dhe familjet e tyre. Pas plotësimit të 10 preferencave, ata duhet të presin fazat e ndryshme të seleksionimit në kandidatëve, që do të mbyllen vetëm në muajin tetor me regjistrimin final të fituesve në një universitet publik apo privat.

Tatimet: Abuzime nga operatorët turistikë
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi të gjithë tatimpaguesit që operojnë në fushën e turizmit, të jenë korrekt në zbatimin e ligjit për të drejtat dhe detyrimet tatimore. “Nga monitorimi i kryer, në vijim të planit të turizmit, administrata tatimore ka konstatuar parregullsi, më së shumti për moslëshim kuponi, për punonjës të pasiguruar apo printera jofiskalë, problematika të cilat shoqërohen me penalitete deri në bllokim të aktivitetit tregtar për 30 ditë”, thuhet në njoftimin zyrtar. Administrata tatimore inkurajoi të gjithë tatimpaguesit të vijojnë të jenë të rregullt në përmbushjen e detyrimeve tatimore, si dhe të gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues në këtë luftë kundër informalitetin, duke paraqitur çdo rast abuziv.

 

Artikull në Gazetën Telegraf – 10.08.2017

http://telegraf.al/aktualitet/universitetet-malaj-abuzime-me-informacionin