Forumi i rektorëve te “Luarasi”, Ruka: Sot arsimi i lartë është i certifikuar

Forumi i rektorëve te “Luarasi”, Ruka: Sot arsimi i lartë është i certifikuar

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 11.02.2018

http://www.panorama.com.al/forumi-i-rektoreve-te-luarasi-ruka-sot-arsimi-i-larte-eshte-i-certifikuar/

Forumi i Pavarur i Rektorëve u mblodh një ditë në Kolegjin Universitar “Luarasi”, në konferencën e tretë shkencore, me fokus sfidat e arsimit të lartë përgjatë 15 viteve të fundit.

rektoret1

Tryeza, në të cilën ishin të ftuar të gjithë drejtuesit e universiteteve të vendit si dhe të institucioneve, me të cilat lidhet drejtpërdrejt arsimi i lartë, trajtoi refleksione mbi aktualitetin e funksionimit të universiteteve, problematikat që e shoqërojnë, si dhe për të shkëmbyer eksperiencat më të mira midis tyre.

AKREDITIMI

Diskutimet në tryezën, ku të pranishëm ishin pjesa më e madhe e drejtuesve të IALve në vend, u ndalën në bilancin e akreditimit institucional nga ekspertët britanikë, të cilët rendisin në krye të listës së më të mirëve katër universiteteve private, mes të cilëve dhe “Luarasi”. Për ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, ky raport është i pari dokument, që fut në të njëjtën sitë të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik e privat.

“Vlen për t’u përmendur që të gjitha institucionet tona të arsimit të lartë jopublik kanë përfituar mesatarisht 4.2 vite akreditim, në një proces që dallon një institucion nga tjetri me kohëzgjatjen e akreditimit. Kjo mundësoi për herë të parë akreditimin e universiteteve publike, si dhe unifikoi standardet e cilësisë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Janë 89 praktika të mira, që kjo agjenci i ka evidentuar në institucionet e arsimit të lartë privat, 27 afirmime apo rezultate pozitive, që adresohen në universitetet jopublike. Sfida e përbashkët, përpara, për të adresuar 72 momente që vlerësohen si dobësi e rekomandime të lëna specifikisht e duhet të përmbushen.”

Ndërsa rektori i universitetit mikpritës të konferencës, Ethem Ruka, vuri në dukje se vendi ynë tashmë ka dalë nga faza e lulëzimit pa kriter të universiteteve private, për të hyrë në atë të disiplinimit. Duke ia njohur meritat qeverisë Rama 1, e specifikisht ministres, rektori i “Luarasi” theksoi se arsimi i lartë sot është i certifikuar.

“Jemi në një proces thellimi të reformës në fushën e arsimit. Jemi në një etapë të dytë, ku shoqëria shqiptare e ka kuptuar që këto institucione, që kanë mbetur nga këto filtrime, janë institucione që qëndrojnë në këmbë në përputhje me ligjin e që japin diploma, për të cilat ka nevojë vendi”, nënvizoi Ruka. Sipas tij, akreditimi institucional nuk është mburrje, por detyrim, të cilit duhet t’i nënshtrohen të gjitha IAL-të.

PROBLEMATIKAT

Një panel i hapur diskutimi hodhi dritë mbi disa nga çështjet, që shqetësojnë sot universitetet, veçanërisht ato private. Ishte Tonin Gjuraj, rektor i Universiteti Europian të Tiranës, që përmendi disa prej tyre. E para, sipas tij, është mosmbledhja e Konferencës së Rektorëve, për të cilën drejton gishtin e akuzës te kryetari i saj, homologu i tij në Universitetin e Tiranës, Mynyr Koni.

“Së pari, dua të sqaroj se ky forum i pavarur nuk ka tentuar dhe nuk tenton të zëvendësojë Konferencën e Rektorëve, e cila është një detyrim ligjor. Ne e dimë shumë mirë se arsyeja përse nuk mblidhet, ka të bëjë me sektorin publik, me rektorin e UT”. Nga tryeza e Forumit të Pavarur të Rektorëve, Gjuraj bëri thirrje që ky organ të mblidhet brenda muajit shkurt. E për këtë mori edhe garancinë nga ministrja, e cila shprehu angazhimin e saj.

“Minimalisht, në këtë hapësirë njerëzish më elitarë të vendit, politika duhet të jetë ajo që dikton pak ose aspak. Por, aty ku është e nevojshme, do të ushtrojë funksionet e mia për të thirrur Konferencën e Rektorëve”, tha ministrja Nikolla. Një tjetër shqetësim ka të bëjë me zbatimin e parimit, “një cut, një masë”, çka do të thotë zbatimin e standardeve të njëjta si për universitetet publike, dhe ato private. Dhe kjo, kërkohet që të nisë me akreditimin e programeve mësimore të degëve në shtetëror, proces, të cilit nuk u janë nënshtruar asnjëherë. Në po këtë linjë, problematikë përbën rritja e kuotave në universitetet publike, ndonëse kapacitetet pritëse janë po ato.

“Janë rritur kuotat në IAL-të publike. Por ne dimë që verifikohen kapacitetet fizike çdo pranverë dhe ne i nënshtrohemi një verifikimi të tillë. Ne nuk na rezulton që të jenë shtuar kapacitetet fizike apo burimet njerëzore, që të shtohen kuotat. Natyrisht, kjo e ka dëmtuar sektorin privat, i cili absolutisht verifikohet, monitorohet me lupë dhe shumë mirë bëjnë. Do kërkojmë që kjo të bëhet dhe me sektorin tjetër. E them këtë në emër të konkurrencës”, tha Tonin Gjuraj, nga UET. Në replikën e drejtpërdrejtë, Nikolla siguroi se kuotat janë miratuar konform standardeve.

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 11.02.2018

http://www.panorama.com.al/forumi-i-rektoreve-te-luarasi-ruka-sot-arsimi-i-larte-eshte-i-certifikuar/