Posta Shqiptare nënshkruan marrëveshje me “Luarasin”

Studentët do të mund të bëjnë praktikën tek Posta Shqiptare

Posta Shqiptare nënshkroi një marrëveshje me Universitetin Luarasi, sipas të cilës, studentët e këtij të fundit do të kenë mundësi të bëjnë praktikën e punës tek kompania publike Posta Shqiptare. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, z. Majlind Lazimi, u shpreh mjaft i kënaqur për këtë marrëveshje sepse Posta Shqiptare, me anë të kësaj marrëveshjeje vë në zbatim përgjegjësinë e saj sociale në të mirë të komunitetit, duke u ofruar studentëve një ambjent dinjitoz ku ata të mund të vënë në praktikë të gjitha njohuritë teorike në fushat mësimore që ofron Universiteti Luarasi. “Nga sot, studentët e Universitetit Luarasi do të kenë mundësi të shohin nga afër realizimin e të gjitha shërbimeve postare dhe financiare që ofron Posta Shqiptare si një nga institucionet lider në ofrimin e këtyre shërbimeve. Kjo do të jetë një vlerë e shtuar për Postën Shqiptare, sepse krijon hapësira të mira për studentët, që në një të ardhme, pse jo, të mund të bëhen pjesë e kompanisë tonë në nivel administrativ, në perputhje të plotë me vizionin tonë për rekrutimin e studentëve të shkëlqyer. Uroj dhe shpresoj për suksese të mëtejshme” – tha z. Lazimi. Nga ana e tij, Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin Luarasi, z. Darjel Sina, tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për studentët e Universitetit Luarasi, pasi Posta Shqiptare është një kompani mjaft e fuqizuar dhe me impakt të gjerë, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të punonjësve që ka. “Studentet, me anë të praktikës në këtë kompani do të marrin përvojën që do u shërbejë në ndërtimin e karrierës së tyre. Falenderoj Drejtorin e Pergjithshëm të Postës Shqiptare, z Majlind Lazimi për këtë mbështetje ndaj studentëve dhe uroj që ky bashkëpunim të jetë i frytshëm në të ardhmen” – përfundoi z. Sina.