Konkursi Kombëtar të Pronësisë Intelektuale dhe Të Drejtës së Autorit

Konkursi Kombëtar të Pronësisë Intelektuale dhe Të Drejtës së Autorit

Më datë 24 prill 2015 në ora 9:00 në sallën e Black Box, në Universitetin e Arteve u zhvillua faza finale e Konkursit Kombëtar në të gjithë sistemin universitar në Republikën e Shqipërisë, bazuar në njohuritë për Pronësinë Intelektuale dhe Të Drejtën e Autorit, si dhe të drejtat e lidhura me to, me sloganin:

 

 “Pirateria dëmton kulturën dhe integritetin e një kombi- Të respektojmë të drejtat e autorit në Republikën e Shqipërisë”

 

Më datë 14 prill 2015 hap siparin e konkursit kombëtar SHLUJ “LUARASI”, për të vijuar më pas me universitete të tjera në shkallë vendi. Nga konkurrimi në rang universiteti dolën dy fituesit Alsaed Sinani i vendit të parë dhe Megi Luli e vendit të dytë, të cilët e përfaqësuan SHLUJ “LUARASI” në konkurrimin në rang Republike. Këta studentë treguan një përgatitje dinjitoze dhe fituan Çmimin e Tretë në nivel kombëtar.

Ky aktivitet vjen në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, ditë e cila festohet në mbarë botën nga shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale çdo 26 prill. Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale është një rast tjetër për të kremtuar risinë dhe krijimtarinë në jetën tonë, por edhe për të deshmuar përkushtimin e shoqërisë tonë për mbrojtjen e pasurisë intelektuale, të drejtave të autorit dhe të drejtave lidhur me to. Çdo vit Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), përzgjedh një slogan për të frymëzuar komunitetin global të krijuesve,  mbrojtësve  të pasurisë inetelektuale, por edhe për të evidentuar një aspekt të sistemit unik të bashkëpunimit ndërplanetar dhe sigurimit të vijimësisë së krjimtarisë.

Aktiviteti u zhvillua nga Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit në bashkëpunim edhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, si dhe Stafet Akademike të çdo Universiteti në Tiranë dhe në Rrethe por edhe me mbështetjen e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, SHLUJ “LUARASI”, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Microsoft.

Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë sensibilizoi pjesëmarrjen e studentëve në këtë konkurs, zhvilloi leksione të hapura dhe takime konsultative të vazhdueshme me kandidatët konkurrues, si dhe i pajisi ata me materiale dhe literaturë të gjerë bashkëkohore për të studjuar dhe zgjeruar njohuritë e tyre në këtë fushë. Kjo Zyrë do të bashkëpunojë me ZSHDA edhe në të ardhmen për projekte të përbashkëta, do të zhvillohen leksione të hapura nga ajo zyrë me studentët tanë në këtë fushë, duke u intensifikuar marrëdhëniet e bashkëpunimit të dyanshëm edhe me intership të studentëve tanë pranë ZSHDA. Le të shërbejë ky bashkëpunim i studentëve me Zyrën e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës si një fillim i mbarë dhe premtues për një vazhdimësi me arritje të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit, ka zhvilluar gjatë gjithë muajit prill, aktivitete të ndryshme për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë shqiptare me koncepte dhe çështje të Pronësisë Intelektuale dhe Të Drejtës së Autorit.

Në Ditën Botërore të Pronësisë Iintelektuale ne i inkurajojmë njerëzit që të reflektojnë për rolin e pronës intelektuale në botën tonë në ndryshim. Theksojmë se ka një gjeni të caktuar në pronën intelektuale. Ajo që ne duam është të krijojmë një nxitje të veçantë për investime në kërkim dhe zhvillim, në risi, në krijimin dhe prodhimin kulturor.