“Luarasi”-Avokati i Popullit, pakt për të drejtat e njeriut

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 20.12.2016

Një tjetër mundësi për studentët e Fakultetit të Drejtësisë te Kolegji Universitar “Luarasi”. Ata mund të kryejnë intershipe dhe praktika mësimore edhe pranë institucionit të Avokatit të Popullit, të marrin pjesë në konferenca të ndryshme, e pse jo në një të ardhme të jenë pjesë e tij. Kjo falë marrëveshjes së nënshkruar një ditë më parë në ambientet e këtij universiteti.

“Marrëveshja konsiston me përfitime të dyanshme. Synojmë të përhapim një kulturë demokratike, sidomos në auditoret e universitetit ku është humusi më i përshtatshëm. Ne synojmë që të kemi bashkëpunim me universitetet, në mënyrë të veçantë me ata ambiciozë dhe të njohur si ju, sepse mendojmë që brezi juaj do të fillojë një lloj harmonizimi midis kuadrit ligjor dhe kulturës demokratike në veçanti. Kjo krijohet në auditoret tuaja”.

Përveç praktikave të mirëfillta në zyrat e AP, studentët e “Luarasit” do të kenë në dispozicion edhe qendrën e dokumentacionit me 600 tituj për të drejtat e njeriut, të jenë pjesë e konferencave e të tjera. Stazhi i kryer pranë këtij institucioni, sipas Totozanit, i bën studentët e “Luarasit” të jenë një hap përpara bashkëmoshatarëve të profilit të tyre, pasi të kenë dalë në tregun e punës.

“Ne dimë që papunësia është e madhe në Shqipëri, shumë kompani kërkojnë vite punë eksperiencë. Këta studentë do të ishte shumë mirë që të nesërmen të shkojnë me një stazh të mbaruar pranë institucionit të Avokatit të Popullit”, nënvizoi Totozani.

Ndërsa rektori i Kolegjit Universitar “Luarasi”, Arben Malaj, shprehu impenjimin për prezantimin e punimeve të pedagogëve dhe studentëve në aktivitetet e përbashkëta në fushën e mbrojtjes, respektimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut.

Për Malajn, gjithë filozofia e mirëqeverisjes është demokratizimi i një vendi, cilësia dhe respektimi i standardeve në fushën e të drejtave të njeriut, ku një rol të madh luan edhe Avokati i Popullit.

Marrëveshja mes “Luarasit” e Avokatit të Popullit ka për qëllim ndërgjegjësimin e institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe publikun në mbrojtjen, respektimin, promovimin dhe nxitjen e standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend;

Përfshirjen në kurrikulat mësimore të Kolegjit Universitar “Luarasi” të modeleve të veçantë, për zgjerimin e njohurive të studentëve në fushën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut të parashikuara në Kushtetutën e RSH, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar dhe në legjislacionin vendas në fuqi; Zhvillimin e aktiviteteve gjithë vjetore në fusha me interes të përbashkët.

 

http://www.panorama.com.al/luarasi-avokati-i-popullit-pakt-per-te-drejtat-e-njeriut/