‘Luarasi’, marrëveshje me Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve

Universiteti “Luarasi” ne dt. 11-12.04.2015 ora 9.30 dhe 18-19.04.2015 organizon nje trajnim  me dhomen e ndermjetesimit e cila ne fund te ketyre trajnimeve do shperndaje certifikatat tek pjesmarresit. Universiteti “Luarasi” nenshkroi nje marreveshje bashkepunimi me Kryetarin e Dhomes se Ndermjetesimit z. Englen Bici dhe Dekan e Fakultetit Juridik z. Darjel Sina. Kjo marreveshje sjell perfitime te medha profesionale per studentet dhe stafin akademik te Universitetit “Luarasi” te cilet ne fund te ketij trajnimi do te pajisen me keto certifikata si ndermjetesues. Ne te ardhmen mendohet te kete pjesmarje te studenteve tane pasi keto trajnime kryhen nga njerez qe kane perfunduar studimet e tyre dhe duan ne te ardhmen te jene ndermjetesues te licensuar nga ligji.

Gjatë ditëve të trajnimit, studentët do të njihen me funksionimin e këtij shërbimi në Shqipëri, teknikat dhe sfidat e këtij procesi, do të marrin njohuri, të cilat do të ilustrohen me raste studimore e konkrete. Trajnimi do të jetë interaktiv, me pyetjepërgjigje nga studentët, diskutim në grup apo lojë me role, duke e bërë këtë proces edhe më tërheqës për ata që nesër do të jenë ndërmjetësit e së ardhmes. Por jo vetëm kaq.

Marrëveshja me Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve ka të tjera përfitime për studentët e Universitetit “Luarasi”. Ata që përfundojnë nivelin e parë dhe të dytë të studimeve në këtë universitet do të kenë mundësinë të kryejnë praktikën profesionale pranë këtij institucioni. Pasi të kenë marrë eksperiencën e duhur, në fund të katër ditëve trajnim, për pjesëmarrësit do të ketë një certifikatë, çka do të jetë një bonus i mirë për ata studentë që duan të licencohen si ndërmjetës. Dyert e Universitetit “Luarasi” për këtë trajnim dhe jo vetëm, do të jenë të hapura sot dhe fundjavën që vjen. Nëpërmjet leksioneve të hapura, trajnimeve apo eventeve të ndryshme, ky universitet u ofron vazhdimisht mundësi studentëve të marrin njohuri në fusha të ndryshme, nga ekspertët më të mirë të huaj e vendas.

 

FLET KREU I DHOMES

Në përfundim të ditës së parë të trajnimit me studentët e Universitetit “Luarasi”, kreu i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, z. Eglent Bici, në intervistë për gazetën “Panorama”, foli për këtë profesion ende pak të njohur në Shqipëri, si dhe atë që do të përfitojnë studentët në fund të këtij trajnimi. Sipas tij, ka ardhur koha që shqiptarët, me ndihmën e ndërmjetësve të vendosin vetë për çështjet e tyre, duke shmangur sorollatjet në dyert e gjyqeve.

Mund të na thoni diçka më tepër në lidhje me marrëveshjen që sapo nënshkruat me Universitetin “Luarasi”?

Ishte në dashamirësinë tonë të përbashkët. Falënderoj “Luarasin” që na dha këtë mundësi bashkëpunimi, ku pjesë e bashkëpunimit është jo vetëm angazhimi i tyre apo asistenca me përdorimin e ambienteve, por edhe promovimi i këtij shërbimi. Falënderojmë njëkohësisht studentët e Universitetit “Luarasi” për pjesëmarrjen në kurse, trajnime dhe asistencën që ne u japim në këtë drejtim.

A ka Shqipëria hapësirat e duhura për t’u zhvilluar kjo teknikë ende e re?

Ndërmjetësimi është një frymë e re që ka ardhur te ne nga vendet perëndimore. Ligji është i mirë, mund të bëhet edhe më i mirë. Aktualisht ne kemi kërkuar të bëhen disa ndryshime ligjore. Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve është një institucion i ri, por dëshira jonë e mirë është për ta promovuar si shërbim në funksion të qytetarëve. Të gjithë ne, si qytetarë jemi endur në dyert e gjykatave dhe jemi të lodhur nga kjo gjë, nga tejzgjatjet në kohë, stresi, nervat, nga vendime edhe të padrejta që kanë bërë të krijohet një mendësi e gjerë popullore që gjyqësori është i korruptuar. Ndërmjetësimi vjen si zgjidhje alternative, duke u ofruar mundësi qytetarëve të anashkalojnë gjyqësorin.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë trajnim?

Ne kemi vazhduar, është i disati trajnim që ne bëjmë dhe shohim një interes në rritje të atyre që duan të trajnohen në këtë fushë. Në trajnim nuk marrin pjesë vetëm studentë, por edhe avokatë profesionistë, nëpunës, ekspertë të fushave të ndryshme që duan të trajnohen, pasi kemi të bëjmë me përçimin e një mendësie të re. Ajo çka ne promovojmë nuk është vetëm mënyra përfundimtare e zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje. Në proces hyn dhe bashkëbisedimi apo mënyra e kooperimit mes palëve. Ndërmjetësi luan vetëm rol lehtësues në këtë proces. E rregullon këtë proces dhe orienton palët drejt një zgjidhje më të mirë të tyre.

Çfarë përfitojnë studentët për të ardhmen e tyre, duke marrë parasysh edhe kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria?

Varet nga vetë studentët. Ata duhet të praktikojnë atë që jashtë vendit njihet si “meditation mode”, ajo “frymëmarrja” përpara se të vendoset për diçka. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për mënyrën e mendësisë që ata duhet të implementojnë për të zgjidhur një mosmarrëveshje. Ndërmjetësimi dhe certifikata e ndërmjetësit është profesion i lirë, siç është avokatia, noteria apo përmbarimi. Është nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë, por vetëm kaq. Është totalisht tregu ai që do të vendosë apo do të orientojë se cili ndërmjetës do të jetë i suksesshëm dhe cili jo.