“Luarasi” pjesë e “Erasmus+”, ja cfare përfitojnë studentët

Intervista me dekanin e Fakultetit Ekonomik për ofertën e “Luarasit”

Z. Hoti: Mësim dhe përvojë në universitetet e Bashkimit Europian

Të rinjtë që do t’i besojnë studimet Universitetit “Luarasi”, do të kenë mundësi që një pjesë të kursit ta kryejnë në universitetet europiane, duke fituar një përvojë të vlefshme që iu shkon përshtat kërkesave të tregut. Krijimi i një hapësire akademike që sheshon kufijtë me vendet e Bashkimit Europian do të bëhet i mundur falë marrëveshjes së bashkëpunimit me programin Erasmus+. Në një intervistë dhënë për gazetën, dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Luarasi”, Altin Hoti, paraqet tablonë e avantazheve që përfitohen në saje të këtij bashkëpunimi. Sipas tij, studentët dhe pedagogët, duke u njohur me një hapësirë multikulturale, me metodologji të reja të kërkimit shkencor apo edhe forma të tjera të mësimdhënies, mund të vijnë t’i implementojnë ato në universitetin mëmë, siç është edhe “Luarasi”. Njëkohësisht dekani ndalet edhe në kapacitetet ekstra që ofron rishtazi Universiteti “Luarasi” këtë vit të ri akademik, duke veçuar infrastrukturën e ngritur, kualifikimin e stafit akademik, si edhe tarifat që do të aplikohen.

 

Edhe pak javë na ndajnë nga nisja e vitit të ri akademik. Shumë të rinj mund të jenë ende në dilemë për programin e studimit që duan të ndjekin. Çfarë alternative ofron Universiteti “Luarasi”?

“Luarasi” është universiteti që dallon në cilësi, për procesin e mësimdhënies dhe për kushtet që ofron për studentët. Stafi akademik është i kualifikuar. Kemi pedagogë të diplomuar në vend, si edhe pedagogë të shkolluar e të diplomuar në vendet perëndimore. Ky gërshetim shërben, veç të tjerash, edhe për përgatitjen e një brezi të ri studentësh, të cilët do ta kenë shumë më të lehtë depërtimin në tregun e punës, pse jo edhe arritjen e një karriere të suksesshme. Një tjetër arsye është edhe infrastruktura e universitetit, e cila është nga më bashkëkohoret, e pajisur me auditorë modernë, si dhe bibliotekë, që pasurohet çdo ditë. Sakaq, tarifat vjetore të studimit janë një tjetër komponent i rëndësishëm, që prekin direkt xhepat e familjeve. “Luarasi” po aplikon tarifat më të lira në tregun e arsimit të lartë publik. Me këto elemente ne plotësojmë të gjithë tablonë e asaj çka duhet vërtet të ofrojë një universitet, që, mbi të gjitha, synon të mbajë lart emrin e vet dhe që i drejtohet atij segmenti të studentëve që duan një arsimim elitar, që kërkojnë të kenë vëmendje gjatë kohës së formimit të tyre. Është një universitet i vogël, me një emër të madh.

Çfarë kapacitetesh ofrohen ekstra këtë vit?

Ne shpresojmë që Universiteti “Luarasi” këtë vit të ri akademik të ndërrojë godinën, duke kaluar në një tjetër që do të jetë totalisht e kompletuar, sipas standardeve perëndimore, për mësimdhënie. Kjo do të bëjë që kushtet infrastrukturore gjatë procesit të mësimdhënies apo kërkimit shkencor të jenë më të favorshme për studentët që janë aktualisht apo edhe për ata që do të vijnë rishtazi, për t’u bërë pjesë e këtij universi akademik.

 

Të ndalemi pak në programet e studimit që ofron “Luarasi”.

“Luarasi” ka dy fakultete: Juridik dhe atë Ekonomik, të cilat ofrojnë dije akademike të kombinuara në mënyrë optimale me atë praktike, për t’i bërë studentët të ndihen të aftë në marrjen e dijes gjatë procesit të edukimit dhe po kaq të vetëdijshëm në kërkimin e punës. Ky kombinacion i jep studentit komfortin në procesin e marrjes së dijes dhe përgjegjshmërinë në përzgjedhjen e vendit të punës. Prandaj dijet universitare nuk janë gjë tjetër, veçse certifikim i mundësisë për të gjetur një punë në të ardhmen. Falë këtij kombinimi, Universiteti “Luarasi” e shkurton distancën e akademisë dhe një vendi pune që kërkon studenti. Fakulteti i Drejtësisë tashmë ka kristalizuar cilësinë e diplomave që ofron me 8 breza studentësh të diplomuar. Këtë vit, në Universitetin “Luarasi” risitë do të vijnë edhe nga një tjetër drejtim me qasje direkte në tregun e punës. Fakulteti i Ekonomisë ka marrë mbështetjen e grupeve të fuqishme të biznesit, për të vënë në jetë filozofinë, me të cilën operon prej kohësh “Luarasi”: Dijet që do t’u ofrohen studentëve të ndërthuren më së miri me teorinë e vënë në praktikë. Ndryshe nga universitetet e tjera publike apo private, te “Luarasi” studentët do të kenë mundësinë që të praktikojnë njohuritë e tyre pranë departamenteve të ndryshme të biznesit që në vitin e parë.

Universiteti “Luarasi” është pjesë e programit Erasmus+, program i Bashkimit Europian. Çfarë përfaqëson kjo?

Gjatë gjithë vitit të shkuar akademik, por edhe në vazhdim, “Luarasi” theksin e ka vendosur në marrëveshjet e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e konsideruar shkëmbimin e eksperiencave me universitetet partnere europiane si harmonizim dhe arritje të standardeve perëndimore në mësimdhënie dhe në fushën e kërkimit shkencor. Ne besojmë thellësisht që akademia nuk mund të jetë e veçuar nga një treg i përbashkët i Bashkimit Europian. Ne duhet të jemi të ndërlidhur sikundër janë edhe aspekte të tjera që shoqërohen nga një proces integrues. Në këtë kuadër Universiteti “Luarasi” ka një arritje konkrete dhe me Universitetin e Lodzit, siç është marrëveshja e bashkëpunimit me programin Erasmus+. Një program i cili mundëson me fonde lëvizshmërinë e stafit pedagogjik dhe studentëve. Kështu, një student i Universitetit “Luarasi” mund të shkojë një semestër apo edhe dy në një universitet të Bashkimit Europian dhe të gjitha kreditet e marra atje t’i njësohen apo t’i njihen automatikisht nga Universiteti “Luarasi”.

Çfarë përfitimesh të tjera kanë studentët nga marrëveshja e bashkëpunimit me programin Erasmus+?

Lëvizshmëria i jep mundësi studentit apo pedagogut që të njihet me mënyrat e mësimdhënies, format e mësimdhënies apo kërkimit shkencor në universitetet partnere të Bashkimit Europian. Dhe duke u njohur me një hapësirë multikulturale, me metodologji të reja të kërkimit shkencor apo edhe forma të tjera të mësimdhënies, studentët apo pedagogët mund të vijnë t’i implementojnë ato në universitetin mëmë, siç është edhe “Luarasi”. Kjo lloj lëvizshmërie i jep mundësi harmonizimit të të gjithë tregut arsimor apo të gjithë hapësirës akademike të Bashkimit Europian. Pra, na bën ne pjesë të pandashme, integrale të kësaj hapësire akademike jo pak të zhvilluar.

Viti i kaluar shkundi fort institucionet e arsimit të lartë në vend. Kujtojmë reformën e Ministrisë së Arsimit për verifikimin e kritereve të ligjshmërisë. Për Universitetin “Luarasi” nuk pati penalitete, por vetëm disa rekomandime që duhej të përmbusheshin. Ka kaluar gati një vit, çfarë ka ndodhur, a janë përmbushur detyrat e lëna nga MAS-i?

Është i njohur fakti që procesi i kontrollit të Ministrisë së Arsimit, për sa i takon ligjshmërisë në procesin e mësimdhënies, është kaluar me sukses nga Universiteti “Luarasi”. Por kjo nuk ishte një risi për ne, pasi në mënyrë të vazhdueshme ne ishim të përgatitur dhe koherentë për sa i takon cilësisë dhe aspektit ligjor. Por çfarë duhet të theksoj është se rekomandimet e lëna nga ministria ishin të pakta në numër dhe aspak të paarritshme nga universiteti. Rekomandimet kishin të bënin kryesisht me plotësimin e stafit akademik me grada dhe tituj shkencorë, kërkesë të cilën ne e kemi rikuperuar që nga viti i kaluar dhe vazhdojmë ta përmirësojmë sepse ne vetë jemi të ndërgjegjshëm se “Luarasi”, si çdo gjë tjetër, është në proces të vazhdueshëm përmirësimi.

Programet

“Luarasi” ka dy fakultete, përkatësisht atë Juridik dhe atë Ekonomik, të cilat ofrojnë dije akademike të kombinuara me ato praktike, për t’i bërë studentët të ndihen të aftë në marrjen e dijes gjatë procesit të edukimit. Fakulteti i Drejtësisë tashmë ka kristalizuar cilësinë e diplomave që ofron me 8 breza studentësh të diplomuar.

Intervistë me Z.Altin Hoti në GAZETËN PANORAMA

http://www.panorama.com.al/luarasi-pjese-e-erasmus-ja-cfare-perfitojne-studentet/