“Luarasi”, rektori Malaj leksion me të rinjtë e Vlorës

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 07.05.2017

Kolegji Universitar “Luarasi” mbetet një derë e hapur për të pritur të rinj në kërkim të alternativës më të mirë akademike, por jo rrallë ndodh që universiteti të shkojë tek ata.

Rektori prof. dr. Arben Malaj, shoqëruar me disa të rinj të talentuar të “Luarasit”, kanë takuar të rinj të tri shkollave të mesme të Vlorës: “Elita”, “Drita e dijes” dhe “Perla”. Gjatë qëndrimit të tij në këtë qytet, rektori mbajti një leksion të hapur, me temë “Ndikimi i riskut politik në ekonomi”, duke nënvizuar faktin se risku i lartë politik çon në largimin e trurit nga vendi, specifikisht nga ana e të rinjve.

“Vendi ka nevojë të eliminojë çdo risk politik. Efekti negativ më i madh nga risku politik është zhgënjimi masiv i njerëzve, braktisja e vendit nga njerëzit e thjeshtë, por edhe nga të mirarsimuarit. Risku politik rrit hezitimin e të rinjve të talentuar të kthehen në vendin e tyre dhe rritet fluksi i të rinjve të pashpresë që, edhe pse janë të mirarsimuar, nxitojnë të braktisin vendin e tyre”.
Arsimimi dhe zhvillmi i qëndrueshëm ishin dy pika kyçe të leksionit me qëllim ndërgjegjësimin e nxënësve për rëndësinë e kapitalit human. Prof. dr. Malaj përfitoi nga rasti të apelojë të rinjtë të studiojnë dhe të kontribuojnë më tej në vendin e tyre. Jo për çudi, shumë prej nxënësve në takim ishin pjesëmarrës dhe fitues të konkurseve e olimpiadave ndërkombëtare.

Në bisedën me rektorin dhe të rinjtë e “Luarasit”, nxënësit u shfaqën jo pak ambiciozë për të ardhmen. E sigurisht, meritë për këtë kanë stafi pedagogjik dhe logjistika e këtyre shkollave. Atmosfera e ngrohtë shoqëroi të gjitha takimet, ku nuk mungoi mirëkuptimi, debati konstruktiv, pyetjet dhe përgjigjet duke r bërë më të fortë bindjen se nxënësit e shkëlqyer të Vlorësn po ndërtojnë një bazë solide për një të ardhme më të mirë të shoqërisë tonë, çka duhet të bëjë krenar çdo shqiptar.

Gjatë këtij leksioni, nxënësit përveçse u njohën me zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit tonë, u njohën me programet akademike të Kolegjit Universitar “Luarasi”. Rektori Malaj përfitoi nga rasti për të konkretizuar një premtim ndaj drejtorit të bibliotekës “Shefqet Musaraj”, Çlirin Hoxha, duke i dhuruar 220 libra që do t’i shtohen fondit të bibliotekës së këtij qyteti.

 

 

 

http://www.panorama.com.al/luarasi-rektori-malaj-leksion-me-te-rinjte-e-vlores/