Marrëzi apo dashuri….?!

 

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 11.02.2018 

http://www.panorama.com.al/marrezi-apo-dashuri/

PROF. ASC. DR. REZANA KONOMI

*Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, KU “LUARASI”

Para disa ditësh botova një shkrim, që titullohej “Po tani kush e ka radhën” e ndërsa analizoja Koncesionin e Kontrollit Teknik të Automjeteve, parashtroja disa problematika, të cilat shfaqen rëndom dhe në mënyrë sistematike te çdo koncesion, që është miratuar dhe vijon të miratohet, pavarësisht se kush është maxhoranca në pushtet, duke shpresuar dhe besuar që të mos përsëriten të njëjtat gabime.

Kjo shpresë e imja ushqehej, sidomos nga fakti se Kryeministri aktual, para se të merrte kryesimin e qeverisë, i ka etiketuar koncesionet si një marrëzi, që duhet të merrte fund. Ka qenë një nga premtimet, që unë kam dashur të besoj se do të realizohej. Si njeri i ligjit, e dija që gjasat për të prishur koncesionet e dhëna ishin të pakta, jo vetëm për faktin se kontratat koncensionare kopsiten në mënyrë të tillë që të mos lënë asnjë hapësirë zgjidhje të parakohshme, por edhe për faktin se me gjithë vullnetin e mirë të qeverisë, për t’i rishikuar dhe zgjidhur ato fatura, që do të penalizonte Shqipërinë në Gjykatën e Arbitrazhit, do të rëndonte më shumë xhepat tanë, kështu që humbjet do të ishin më të shumta sesa përfitimet. Por nuk ishte e thënë që kjo marrëzi të mbetej e tille.

Shpejt, marrëzia u kthye në dashuri dhe kur kjo ndodh, kënaqësia që merr nga dashuri të tilla, është e shumëfishtë. Koncesioneve apo partneritetit publik/ privat, jo vetëm që nuk u erdhi fundi, por ato u kthyen në një dashuri pa fund për qeveritë. Dhe duke qenë se dashuritë në ilegalitet të sjellin më pak shqetësime dhe më shumë kënaqësi, çdo koncesion nga ana e qeverive miratohet në një fshehtësi aq të madhe, sa lajmi bëhet i ditur pas shumë kohësh pasi janë rregulluar, shtruar dhe fshehur të gjitha shtigjet.

Lajmi i fundit i ndërtimit të dy HEC-eve në Kanionet e Osumit jo vetëm që tronditi opinionin publik, por çudia ishte aq e madhe, sa vërtet nuk mund të besohej që babëzia dhe pangopësia është e tillë sa barbaria nuk njeh kufi. Tashmë nuk mjaftojnë vetëm të shkatërrojmë ato që ka ndërtuar dora e njeriut, por po i drejtohemi edhe natyrës, duke shkatërruar atë që zoti na e ka dhuruar për ta mbrojtur dhe për ta shfrytëzuar në dobi të njerëzve dhe interesave publike.

Në këtë zhurmë të fundit për HEC-et mbi Osum, që jam e prirur të besoj se asgjë nuk do të ndodhë, mendoj se ndoshta është një shashkë e çastit për të spostuar vëmendjen nga disa çështje të nxehta të ditës, të cilat nuk u interesojnë politikanëve tanë, kështu që ku ka më mirë se të hedhësh një gur në lumë dhe të presësh që të gjithë të marrët të zhyten për ta gjetur.

U lodh Lu-ja me deklarime për kapje “peshqish të mëdhenj” apo politikanë pas hekurave, frikërash të politikanëve nga Reforma në Drejtësi, por askush nuk e dëgjon as atë sepse besueshmëria tashmë është zero dhe dihet se deklarimet e tij kthehen në batuta për analistët, gazetarët e politikanët, pasi asgjë as ka ndodhur dhe nuk besoj se do të ndodhë (qofsha e gabuar për t’u ndierë e turpëruar nga mosbesimi). Nga gjithë kjo histori e trishtë shqiptare, ku luhet apo behet sikur luhet (nuk jam e sigurt) me interesat publike, ajo që vërej, është tmerri që kanë qeveritë tona nga transparenca, ky parim kyç dhe themelor i demokracisë.

Pse frigohen përfaqësuesit e sovranit tonë nga transparenca, pse asnjëherë nuk bëhet publike çdo koncesion që prek ose ka mundësi të prekë interesat publike, që mund të ketë efekte mjedisore shumë herë më të rënda se sa përfitimet, pse nuk diskutohen haptazi me komunitetin dhe grupet e interesit, pse asnjëherë nuk flasin ekspertët për të shpjeguar favoret dhe disfavoret, pse tribunat tona mbushen vetëm me pseudopolitikanë, të cilët marrin rolin e Prometeut si gjithologë që mbartin monopolin e së vërtetës, pse asnjëherë nuk bëhet e ditur kush është subjekti që gëzon një reputacion të mirë, që u jepen të drejta të tilla të cilat cenojnë të drejtat e komunitetit që jetojnë aty afër, por edhe interesat kombëtare apo pasuritë natyrore. Pse gjithmonë emrat që “fitojnë” këto koncesione, të orientojnë në firma dhe subjekte krejtësisht të panjohur, të cilët pas një kohe të shkurtër zhduken si me magji dhe në vend të tyre shfaqen fantazma të tjera???

Sa shumë pikëpyetje dhe dyshime, sa shumë hamendësira dhe djallëzira…!!!! A ka njeri t’i përgjigjet këtyre pyetjeve, a ka ndonjë nga ata, që ne u kemi deleguar pushtetin me votën tonë, pse kaq hermetikë, pse kjo fshehtësi, apo mendoni se nuk ju kuptojmë, pse na fyeni në inteligjencë dhe na konsideroni të gjithëve dele në turmë, pse… pse… pse…????? Nëse nëpër vargje thuhet… ahh, moj demokraci… mua më pëlqen të shfryj dhe të them… ahhh, moj transparencë… që ua prish gjumin këtyre politikanëve. Kush thotë që ti je parim i demokracisë, jo moj jo, ti je një djallushe për qeveritë dhe pushtetarët, sepse nën dritën tënde duken se sa të palarë janë, sa të ndyrë dhe të trashur, një babëzi që nuk njeh ngopje.

Sa shumë kemi vuajtur nga mungesa e këtij parimi gjatë gjithë viteve të tranzicionit pafund, sa shumë jemi nëpërkëmbur dhe jemi dëmtuar, saqë interesat tona kombëtare janë kthyer në lojë pokerësh nëpër tavolina negociatash. Asnjëherë, askush nuk pati përgjegjësinë minimale politike, ligjore dhe qytetare të diskutonte dhe debatonte me shtetasit e vet, të konsideronte dhe merrte mendimet e tij, duke i ballafaquar me mendimin e ekspertëve për një vendimmarrje në interes të shtetit dhe shoqërisë. Konceptet e bashkëqeverisjes me qytetarët nuk duhet të jenë vetëm virtuale dhe për të denoncuar shkeljet kur ato ndodhin, apo për të luftuar kundërshtarët politikë, por zëri qytetar duhet të dëgjohet përpara se fakti të ndodhë, përpara vendimmarrjeve të rëndësishme me impakt në jetën e shtetasve dhe interesave kombëtare.

Në këtë rast, mungesa e transparencës nuk është i vetmi problem. Në dritë dolën dhe fakte të tjera që tregojnë për një papërgjegjshmëri të pashpjegueshme. Miratohet ndërtimi i dy Hec-eve mbi një pasuri natyrore me vlerë të veçantë dhe dokumentet ku bazohet kjo vendimmarrje janë të pasakta, leje të pavlefshme, koordinata që nuk përputhen me realitetin. Si është e mundur të ndodhë kjo në një shtet ligjor të së drejtës ?! A ka logjikë normale të pranoj që para qeverisë ndodhen dosje të paverifikuara, të pashqyrtuara dhe vendimmarrje të marra mbi një lum letrash të pavlera.

A mban njeri përgjegjësi për këtë katrahurë, që, në fund të fundit, cenon dhe shkel vetë besueshmërinë e qeverisë?! Në fakt, vendimi i qeverisë për këtë rast daton në fundvitin 2017 dhe vetëm pasi media bëri publike faktet e padiskutueshme, qeveria mbeti e çuditur dhe reagoi duke deklaruar se do ta anulojë… Larg qoftë, mos ndodhtë si rastet e tjera, që do të rishikohet kjo ose ajo kontratë koncesioni, por në fakt asgjë nuk ndodh. A thua gjithë këtë periudhe kohore askush nga zyrtarët apo agjencitë përgjegjëse nuk mundi të verifikonte dhe shqyrtonte dosjen për këtë rast kaq sensitiv.

Dhe nëse kjo padijeni dhe mungesë vëmendje ndodh për këtë koncesion, a kam të drejtë të dyshoj edhe për koncesionet e tjera?! Kjo është një nga arsyet, të nderuar politikëbërës, pse duhet të zbatoni parimin e transparencës, sepse as ju nuk do të çuditeni, dhe as ne. Të nderuar zyrtarë, që nuk lexoni dhe nuk verifikoni dhe merrni vendimmarrje kuturu, kujdes lexoni ndër rreshta, sepse kjo mungesë vëmendje ju cenon drejtpërdrejtë autoritetin dhe seriozitetin tuaj. Jetojmë në një vend të vogël, me shumë probleme, halle dhe lëngata. Ju lutem, mos shkatërroni atë që dora e njeriut nuk mundi ta bëjë, por zoti na e dhuroi, mos e copëtoni, mos ua hiqni shkëlqimin atyre pak vendeve që na falin qetësinë dhe bukurinë, lutem mos e bëni këtë, sepse zoti nuk do jua falë mëkatet që kalojnë çdo cak njerëzor e mbinjerëzor…!

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 11.02.2018 

http://www.panorama.com.al/marrezi-apo-dashuri/