Modeli i Singaporit, eksperti botëror leksion te “Luarasi”

Studentët e “Luarasit” u njohën dje me zhvillimin ekonomik të Singaporit, vendi që ka njohur progresin më të shpejtë ekonomik në të gjithë njerëzimin.

Këtë model e solli Viktor Koh, konsulent pranë Organizatës Ndërkombëtare të Lidershipit, në një leksion të hapur me temë “Eksperienca e transformimit pozitiv të Singaporit, disa leksione për Shqipërinë”. Pasi paraqiti një tablo se si është ndërtuar shteti prej nga vjen dhe bazat që e bëjnë atë një nga fuqitë më të mëdha botërore, Koh dha mesazhe me rëndësi për Shqipërinë. “Singapori renditet si një nga vendet me korrupsionin më të ulët në mbarë botën. Ne kemi ligje shumë të mira, që funksionojnë me fuqi të mëdha ndëshkuese kundër këtij fenomeni në sektorin publik dhe privat. Rrisni pagat, njerëzit kur kanë mirëqenie dhe ushqim në tavolinat e tyre nuk kryejnë krime dhe thyejnë ligjin”.

Eksperti singaporian vë në dukje disa nga problematikat më të mëdha që pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit tonë, duke treguar edhe rrugën e zgjidhjes.

“Varfëria është një nga problemet tuaja kryesore. Korrupsioni është gjithashtu alarmant. Krerët e shtetit duhet ta kthejnë këtë kapitull në vendin tuaj. Së pari, është shumë e rëndësishme që liderët tuaj politikë, por jo vetëm, të kenë vizion dhe vlera. Ndërtoni kapacitete të rriteni dhe të zgjidhni pikësëpari problemet ekonomike dhe sociale. Kur njerëzit e duan vendin e tyre, janë patriotë dhe u intereson fati i kombit të tyre, atëherë them se vendi juaj ka nevojë për burra dhe gra me integritet. Nga integriteti i këtyre liderëve nuk përfitojnë pak njerëz, po një shtet i tërë”, vuri në dukje konsulenti botëror në fushën e lidershpit.

Koh theksoi rëndësinë e resurseve zhvillimore, dhe kooperimit midis qeverisë dhe biznesit. Për të, një vizion duhet të ketë mbështetje që të bëhet realitet, në të kundërt është veçse një ëndërr.

Me këtë diskutim të hapur dhe me prezantimin e modelit të një shteti si Singapori me veçoritë e super zhvillimit të tij, Victor Koh nxiti interes të madh tek auditori dhe premtoi bashkëpunim të mëtejshëm. Leksionet e hapura e “work shop”­et janë kthyer në një praktikë të re për “Luarasin”, i cili synon cilësinë e studentëve që diplomon. Për rektorin Arben Malaj, kjo është një nga praktikat më të mira.

“Ju duhet të mësoni jo vetëm nga librat, por nga eksperiencat konkrete. Ky i ftuari jonë është vlerësuar edhe nga kryeministri i Singaporit. Na duhet të njohim modele të vendeve të suksesshme, këshilla konkrete nga profesori për situatën e Shqipërisë”, iu drejtua Malaj studentëve.

Singapori është vendi i parë në botë, i cili pas Luftës së Ftohtë ka kaluar direkt nga bota e tretë në botën e parë. Zhvillimi është aq i ndjeshëm sa, Malajzia, që është fqinji i tij më i afërt e pa dyshim një nga vendet më të zhvilluara të Azisë Juglindore, krahasuar me të duket e prapambetur.

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 11.11.2016

http://www.panorama.com.al/modeli-i-singaporit-eksperti-boteror-leksion-te-luarasi/