Nevila Xhindi: “Luarasi”, siguri drejt tregut të punës

Në prag të vitit të ri akademik universiteti “Luarasi” shpall ofertën për ata që duan të vijojnë studimet e larta për Drejtësi dhe Ekonomi.

Gazeta ka zhvilluar një bisedë me drejtuesen e SHLUJ, Nevila Xhindin, që prej pak kohësh është kryetare e Bordit të Besimit. Pas një shkëputje 2- vjeçare, ajo ka vendosur t’i rikthehet botës akademike për të kontribuuar për universitetin e parë privat në vend, “Luarasin”.

Xhindi vjen në këtë intervistë bashkë me risitë që sjell këtë vit universiteti “Luarasi”. Kjo përkon edhe me zgjerimin e ambienteve, pasi tanimë mësimi do të zhvillohet në një godinë të re më të madhe e të standardizuar, në Rrugën e Elbasanit. Por jo vetëm kaq. Bordi drejtues ka vendosur të marrë në gjirin e universitetit dhjetë më të mirët e Maturës Shtetërore duke iu ofruar bursë të plotë, si dhe reduktim tarifor për studentët që regjistrohen në Bachelor te “Luarasi” deri në fund të këtij muaji.

Keni kaluar nga fusha e administrimit në politikë duke iu rikthyer arsimit, profesionit tuaj të parë… Si e morët këtë vendim?

Unë kam bërë një lidhje. Fakti që unë jam në shoqërinë civile, aktivitetin tim unë mund ta shoh vetëm duke qenë pjesë e saj. Aty ku unë di të jem vetvetja. Unë i jam kthyer arsimit shqiptar, pasi i kam munguar në dy vite si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Kam punuar në gjashtë institucione të arsimit publik e privat në Shqipëri, pa lënë jashtë edhe mësimdhënien jashtë vendit. Kështu, nuk përbën surprizë fakti që unë i rikthehem arsimit pas dy vitesh, pasi aq më tepër te një institucion i mirënjohur si “Luarasi”, që ka 12 vite që jep kontributin e tij me prezencë cilësore në arsimin e lartë në vend, duke shërbyer për studentët si një trampolinë për në tregun e punës. Jam ndier e nderuar nga propozimi për të drejtuar “Bordin e besimit”, i cili rienton politikat e përgjithshme të organizimit akademik dhe administrativ të “Luarasit” në përputhje me ligjin e Arsimit të Lartë. Anëtarët e bordit janë figura publike me përvojë në fushën e ligjit, biznesit dhe kërkimit shkencor, ndaj me to dhe të gjithë ekipin e universitetit do të punojmë për sigurimin e cilësisë akademike, nxitjen e shprehive të studentëve dhe cilësinë e tyre për tregun e punës.

Jemi në prag të vitit të ri akademik. Me çfarë platforme vjen ky
universitet?

Ajo çfarë ofron “Luarasi” është në nivelet e kërkuara nga APAAL, e provuar kjo edhe nga akreditimet e marra për ciklin e parë dhe të dytë, si dhe ato në proces. Por, nga ana tjetër po punojmë fort për të përmirësuar cilësinë e ofertës akademike. Në këtë kontekst, SHLUJ “Luarasi”, së pari: duhet të fuqizojë programet ekzistuese, të sigurojë
numrin e nevojshëm të personelit akademik me kualifikim të përshtatshëm, si dhe numrin e studentëve që duan të ndjekin këto studime. Aspekti i dytë, lidhur me zgjerimin e sistemit, ka të bëjë me burimet fizike të ndërtesave dhe pajisjeve. Mjediset e SHLUJ “Luarasi” do të zhvendosen shumë shpejt në një godinë të re të standardizuar, në Rrugën e Elbasanit, dhe do të synojmë që ato të përdoren përgjithësisht në mënyrë efektive për studentët dhe komunitetin gjatë javës dhe gjatë gjithë vitit.

Çfarë e dallon “Luarasin” nga universitetet e tjera?

Universiteti “Luarasi” është një portë e hapur për studentët, mundësi studimi në një universitet elitar, një universitet që ka ditur në vite të rritet numerikisht me studentë, por të mbajë dhe ta lartësojë më shumë emrin e tij. Me breza të tërë që janë punësuar në administratë publike, në firma private, studentë që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera dhe janë pranuar në universitetet europiane e më gjerë dhe jo vetëm, por dhe me studentë të “Luarasit” që sot i gjen pjesë të drejtësisë shqiptare. Përveç ofertës juridike, “Luarasi” ofron dhe studime në Fakultetin Ekonomik, në të dyja ciklet e studimit Bachelor dhe Master. Studentët e Fakultetit Ekonomik janë angazhuar në
aktivitete të shumta të universitetit, por jo vetëm kaq. Ata kanë dhënë mendimin e tyre edhe në tavolina të rrumbullakëta ku janë diskutuar çështje të ekonomisë shqiptare. Kjo është e gjithë filozofia dhe thelbi i “Luarasit” në treg, sepse ka ditur të jetë elitar në mendim dhe veprim. Ajo që e ka shquar “Luarasin” ndër vite dhe vazhdon ta dallojë nga të tjerë, është ekselenca e ekipit pedagogjik, por edhe jeta studentore.  Universiteti “Luarasi” në këtë vit akademik hyn me programe të
akredituara, brenda standardeve të APAAL.

12 tetori po afron. Cila është oferta arsimore për vitin e ri akademik?

Sivjet universiteti “Luarasi” do të ofrojë dhjetë bursa të plota për më ekselentët e Maturës Shtetërore. Ne duam shumë që në gjirin e “Luarasit” të kemi më të mirët e më të mirëve dhe natyrisht ata do të bëjnë zgjedhjen e tyre duke ardhur te më të mirët. Universiteti “Luarasi” do të jetë habitati i tyre. Po ashtu, për një periudhë
dhjetëditore, nga data 20-30 shtator “Luarasi” do të mirëpresë me një reduktim tarifor prej 20% për regjistrimet e studentëve të rinj në nivelin Bachelor.

Intervistë me Znj. Nevila Xhindi në GAZETËN PANORAMA

http://www.panorama.com.al/nevila-xhindi-luarasi-siguri-drejt-tregut-te-punes/