Leksion Ndërgjegjësimi me studentët e “Luarasit” ZYRA SHQIPTARE PËR TË DREJTËN E AUTORIT

 

Tema e leksionit : “Të edukojmë përmes kulturës çështjet e të drejtës së autorit”

 

Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit nis ciklin e leksioneve të hapura me Universitetin “Luarasi”, me qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për pronësinë intelektuale dhe luftën kundër piratërisë. Studentë të këtij universiteti patën mundësi të njihen me konceptet kryesore dhe problematikat e zbatimit të ligjit për të drejtën e autorit në vendin tonë, cenimi i së cilës, sipas përfaqësuesve të kësaj zyre, mund të penalizojë të ardhmen e vendit tonë në Bashkimin Europian. “Shqipëria duhet me patjetër të harmonizojë kuadrin e saj ligjor në të njëjtin nivel me atë të vendeve të Bashkimit Europian dhe ta trajtojë të drejtën e autorëve të huaj, njësoj si ata vendës. Zyra për të Drejtën e Autorit ka detyrime të drejtpërdrejta në Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit dhe që pa përmbushur këtë kam dyshimet e mia nëse Shqipëria mund të marrë statusin”, theksoi drejtori i ZSHDA-së, Evjen Daku. Megjithatë, sipas tij, një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare nuk janë të ndërgjegjshëm që ta konsiderojnë të drejtën e autorit si pronë, në konceptin që vetëm pronari vendos si, ku, dhe kur do të përdoret. “Koncepti i ligjit është që sa herë të përdoret një vepër, aq herë duhet të shpërblehet titullari i saj, njësoj si një pronë fizike”. Në kuadër të këshillimit të karrierës për të rinjtë, pedagogë të Universitetit “Luarasi” shpesh iniciojnë seminare apo leksione për të orientuar të rinjtë drejt tregut të punës. Bonuset e studentëve të këtij universiteti janë të shumta. Përveç trajnimeve e praktikave të herëpashershme mbi tematika të ndryshme, ZSHDA do t’u japë mundësi pas pak muajsh dy studentëve të “Luarasit” të ndajnë përvoja dhe të shkëmbejnë eksperiencat e tyre në një event të Organizatës Botërore për Pronësinë Intelektuale (WIPO). Leksionet e hapura dhe seminaret e organizuara herë pas here janë kthyer tashmë në një traditë për “Luarasin”. Sot, në ambientet e këtij universiteti zhvillohet një tjetër trajnim kombëtar me një pjesëmarrje të gjerë studentësh nga universitetet private e publike në vend.

Marrëveshja

Universiteti “Luarasi” ka nënshkruar një marrëveshje me Zyrën Shqiptare për të Drejtën e Autorit, duke bërë që studentët e këtij universiteti të përfitojnë maksimalisht me anë të trajnimeve, leksioneve apo praktikave profesionale.

Marrëdhënia me këtë zyrë ka nisur prej më shumë se një viti. Aktualisht katër studentë të ciklit të dytë Master në Të Drejtën Civile zhvillojnë praktikën profesionale pranë këtij institucioni, ndërsa të tjerë kanë mundësi gjatë vitit të trajnohen dhe pajisen me certifikatë nga kjo zyrë.