“Luarasi” marrëveshje, studentët mundësi trajnimi pranë Avokatit të Popullit

“Luarasi”, z. Igli Totozani leksion dhe mundësi punësimi për studentët

 “Shumë ligje nuk do t’i kishim po të mos na kërkoheshin nga Europa”

Universiteti “Luarasi” vijon traditën e leksioneve të hapura me studentët, duke ftuar personalitete në fusha të caktuara. Një ditë më parë, Avokati i Popullit, Igli Totozani, zhvilloi një bisedë të lirshme në lidhje me tematika bazike, si të drejtat dhe liritë e individit dhe roli i institucionit që ai drejton. Si një ish-pedagog drejtësie, Totozani foli për kohën kur dolën ligjet e para në vend, frymën e ndryshimeve dhe marrëdhënien ligj-kulturë që ka imponuar lindjen e ligjeve të përparuara, por pa frymën e përgjegjësisë. “Dikur, vendet që kërkonin të futeshin në Bashkimin Europian do të duhet të zbatonin disa kritere të rëndësishme demokratike në formën e kushtëzimit. Pra, u krijua një marrëdhënie e tillë. Miratuam shumë ligje, të cilat ende nuk do t’i bënim nëse nuk do të na kërkohej nga Europa. Por, niveli i kulturës sonë demokratike ende nuk është formësuar si duhet për të miratuar një legjislacion të përparuar në të gjitha fushat e jetës”. Organizuar si një formë bashkëbisedimi me studentët, këta të fundit këmbëngulën në rolin efektiv që duhet të ketë ky institucion, njësoj si homologët në Europë, ku rekomandimet e tij janë imponuese dhe jo rekomanduese siç ndodh në Shqipëri. “Ne kemi një mjet kryesor për t’iu drejtuar qeverisë, klasës politike, rekomandimin, i cili nuk është imponues. Kjo ndodh në një vend ku vendimet gjyqësore, të barabarta me forcën e ligjit, nuk zbatohen”.

Në fund të takimit, Avokati i Popullit u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me këtë universitet duke ofruar zyrat e institucionit që këta studentë të kryejnë jo vetëm praktikën, por edhe të mund të asistojnë gjatë pushimeve verore për të parë nga afër se si punohet për të mbrojtur të drejtat e njerëzve. Kjo falë marrëveshjes së nënshkruar nga ky institucion me rektorin e Universitetit “Luarasi”. Aktualisht, disa studentë që kanë përfunduar studimet në këtë universitet, kryejnë praktikën profesionale pranë këtij institucioni, duke hapur rrugën që të shkëlqyerit të mund të jenë në të ardhmen pjesë e tij. Kjo nuk është hera e parë që ky universitet u ofron mundësi studentëve të njihen me praktikat e funksionimit në realitet të disa institucioneve nëpërmjet trajnimeve, seminareve apo leksioneve të hapura me drejtues të tyre.