Panairi i Profesionistëve “Edukim – Specializim – Punësim”

Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama viziton stendën  e SHLUJ “Luarasi”

 

Nga 28 – 31 Maj 2015 u organizua në Tiranë Panairi i Profesionistëve, me fokus kryesor tre komponentët e rëndësishëm “Edukim – Specializim – Punësim”, në të cilën mori pjesë edhe SHLUJ “LUARASI.”

 Ky panair iu adresua çështjeve më të nxehta që shqetësojnë të rinjtë sot, por jo vetëm, sikurse janë:

  • Cila është oferta Universitare Publike dhe Private sot në Shqipëri?
  • Çfarë vlere kanë diplomat sot në treg?
  • Sa vihen në praktikë dijet e ofruara nga sistemi i edukimit?
  • Ku mund të fitohet një zanat?
  • Cilat Profesione garantojnë punësim?
  • Cilat institucione garantojnë aftësim profesional dhe praktikë pune njëkohësisht?
  • Si mund të aftësohesh më shpejt për tregun e punës?
  • Cilat kompani ofrojnë praktika që ndihmojnë profilizimin në degën e përzgjedhur?
  • Sa të përshtatura janë kurrikulat shkollore me pritshmëritë e tregut të punës?
  • Sa parapërgatiten nxënësit dhe studentët që në hallkat e sistemit të edukimit, për të ditur si të kërkojnë punë?
  • A e mbulojnë shkollat profesionale të gjithë gamën e profesioneve të kërkuara nga tregu?
  • Çfarë ndodh me profesionet e rralla?
  • A është i strukturuar internship-i si hallkë lidhëse midis sistemit të edukimit dhe punësimit?

Pikërisht për të sqaruar dhe për t’u informuar mbi këto çështje, ky panair kishte larmi aktorësh pjesëmarrës. Kategoritë pjesëmarrëse në këtë Panair ishin: Universitetet Private (Kombëtare dhe Ndërkombëtare), Universitetet Publike, Institucionet Arsimore (Para dhe Pasuniversitare), Institucionet e Formimit Profesional, Institutet e Trajnimit dhe të Kurseve Profesionale, Agjenci Punësimi, Kompani që ofrojnë Internship & Punësim, Institucione Ndërkombëtare me fokus Edukimin Profesional dhe Punësimin, si dhe Institucione Shtetërore në fushën e Edukimit dhe Punësimit

Stenda e SHLUJ “Luarasi” u vizitua nga një numër i madh vizitorësh. Patëm nderin e veçantë që stenda të vizitohej edhe nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, të cilit iu prezantua kompozimi i stendës me botimet e revistave shkencore për të dy fushat: juridike dhe ekonomike, me tekstet kurrikulare dhe ekstrakurrikulare, si dhe ecuria e suksesshme e universitetit ndër vite.