Panairi “Work&Study”, Malaj: “Luarasi”, bileta drejt suksesit

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 20.05.2017

Viti i ri akademik 20172018 e gjen Kolegjin Universitar “Luarasi” më të konsoliduar e me plot risi. Nga panairi për edukim e punësim, aty ku është stacionuar prej tri ditësh, rektori i universitetit prof.dr Arben Malaj jep arsyet përse të rinjtë, në prag të zgjedhjes vendimtare për të ardhmen e tyre, duhet t’i besojnë “Luarasit”.

“Shkalla e punësimit është 80% për studentët e diplomuar dhe që me programet e reja të studimit do të vijë në rritje. Me përmirësimet që po u bëjmë kurrikulave synojmë të diplomojmë jo thjesht studentë që kërkojnë punë, por që me idetë e tyre novatore dhe financimet e vogla, pse jo të bëhen studentë që hapin vende pune dhe fillojnë një jetë me më shumë ambicie sesa thjesht një punë që duhet t’ua garantojë dikush”.

Të rinj që dëshirojnë të ndjekin studimet në profilet e teknologjisë së informacionit mund ta mendojnë “Luarasin” si alternativën më cilësore. Një departament i ri IT do të hapet këtë vit, për t’u kthyer shumë shpejt në fakultet kundrejt dy degëve gjithashtu shumë të preferuara: Drejtësi dhe Ekonomi.

“Për vitin e ri akademik ne kemi aplikuar në Ministrinë e Arsimit që të hapim dhe departamentin e IT për biznesin, i cili do të funksionojë dy vjet si departament dhe vitin e tretë do të jetë fakultet. Për këtë kemi filluar bashkëpunim me kompanitë më të mëdha në fushën e IT dhe shumë shpejt do të kemi lajmin e mirë që do të hapet dhe Akademia e Microsoftit pranë universitetit të ‘Luarasit’ për të dhënë certifikata profesionale për studentët tanë dhe për ekspertë nga tregu i biznesit privat”, sqaron rektori. Në prag të plotësimit të formularit për në universitete, Malaj apelon maturantët të bëjnë zgjedhjen e duhur. Për këtë, rektori rendit disa arsye.

‘Luarasi’ është bileta drejt suksesit. Ajo që ne e ofrojmë më mirë se të tjerët është vizioni ynë ku Luarasi nuk synon të jetë më i madhi, por universiteti më i mirë. Cilësia e stafit ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e mirë, mundësitë e programeve akademike janë rritur marrëdhëniet ndërkombëtare e bashkëpunimet gjithashtu, pa lënë mënjanë dhe jetën sociale në Luaras që është bërë më e gjallë”.

Në rezymenë përmbledhëse të një viti akademik, në vetëm pak javë larg përfundimit, pa frikë mund të thuhet se “Luarasi” ka pasur një vit të suksesshëm. Marrëveshjet e nënshkruara, bashkëpunimet me institucione e universitete brenda e jashtë vendit janë vetëm një nga treguesit cilësorë të mbarëvajtjes, duke llogaritur këtu edhe të ftuarit specialë që i kanë dhënë “ngjyra” auditorëve të “Luarasit”.

Veç të tjerash, studentët e Fakultetit Ekonomik do të mësojnë me librat më të mirë në botë e njëkohësisht do të kenë një sistem testimi kredibël falë marrëveshjes me fondacionin shqiptaroamerikan. Por jo vetëm kaq. “Luarasi” mbështet studentët edhe pas diplomimit, me asistencë për çdo sfidë në jetën profesionale.

 

http://www.panorama.com.al/panairi-workstudy-malaj-luarasi-bileta-drejt-suksesit/