Parimet e administrates publike kriteret e Madridit ne procesin e integrimit

“Zhvillimet e fundit ne BE per vendet kerkuese te anetaresise: Parimet e administrates publike- kriteret e Madridit ne procesin e integrimit.”

Foles: Prof.Asoc.Dr. Eralda (Methasani) Çani  

Këshilltare e Kryeministrit për të Drejtën Publike

Ky nuk është vetëm një kusht i Bashkimit Europian drejt rrugës së integrimit, por edhe një nevojë për të pasur një qeverisje të mirë dhe ekonomi të qëndrueshme.

PUNËSIMI Është bërë e zakonshme në shoqërinë shqiptare që, sa herë ndryshojnë qeveritë, ndryshon edhe “fytyra” e administratës. Ky fenomen ka koston e vet financiare, që rëndon në xhepat e çdo taksapaguesi, kujtojmë rastet e referuara në Gjykatë. Mbi funksionimin si duhet të administratës publike dhe sistemin e Gjyqësorit, studentët e Universitetit Luarasi zhvilluan një orë leksion me këshilltaren e Kryeministrit në fushën e të drejtave, Eralda Çani. Çani e cilësoi si sfidë të mbartur dhe ende të pazgjidhur punësimin në administratë të bërë përmes meritokracisë. “Në 1996 miratohet për herë të parë një ligj për shërbimin civil. Më tej pastaj kemi një histori pak të gjatë të vendosjes në të vërtetë të meritokracisë, depolitizimit, të barazisë, konkurrueshmërisë, transparencës në punësimin në administratën publike. Në të vërtetë, sot e kësaj dite, pra jemi në vitin 2015, kanë kaluar shumë vite dhe vendi ynë ende ka sfidën e vendosjes së një administrate me punonjës që janë meritokratë, që janë të punësuar përmes  një procesi transparent konkurrimi”, tha Çani.

PARIMET E KOPENHAGENIT Studentët e Juridikut dhe ata të Ekonomisë u njohën gjerë- sisht me parimet e Kopenhagenit, të cilat duhet të përmbushen nga vendet aspirante për në familjen e madhe europiane, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Reforma në administratën publike dhe në sistemin gjyqësor janë dy shtylla kryesore të sanksionuara në kriteret e Madridit. Këto kritere nuk kërkojnë vetëm hartimin e legjislacionit, por gjithashtu edhe zbatimin me përpikëri të tij.

“Një ndër kriteret që duhet të plotësojnë vendet që janë në proces integrimi në Bashkimin Europian, ndër të tjera janë edhe kriteret e Madridit apo Kopenhagenit. Kriteret e Madridit dhe hapësira administrative europiane nuk kërkonte vetëm vendosjen e rregullave ligjore në një vend në lidhje me administratën publike dhe mënyrën se si do të ofroheshin shërbimet. Në këtë kuptim, nuk kërkonte vetëm vendosjen e rregullave ligjore edhe për punësimin e punonjësve. Pasi në fund të fundit ofrimi i shërbimeve do bëhet nga punonjësit. Dhe, nëse këta të fundit do të zgjidheshin me meritë, edhe shërbimi që do të ofronin do të ishte efikas. Kriteret e Madridit kërkonin po ashtu edhe zbatimin në praktikë të rregullave. Dhe kjo është një sfidë edhe më e madhe”, u shpreh më tej këshilltarja e Kryeministrit Rama. Gjatë leksionit nuk mungoi as diskutimi me studentët, të cilët nuk ngurruan ta aktualizonin temën dhe të sillnin raste të përditshme. Takimi i mbajtur vjen në vazhdën e leksioneve dhe seminareve të organizuara në vijimësi nga Universiteti Luarasi.