POLITIKA MONETARE E BANKËS SË SHQIPËRISË

 

Studentët bashkëbisedim me Prof. Dr. Petraq Milon, ekspert i ekonomisë

Politika monetare, Milo leksion të hapur te “Luarasi”

Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë: Me rëndësi, stabiliteti i çmimeve dhe papunësia.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë. Ka qenë kjo kryefjala e leksionit të mbajtur një ditë më parë nga anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Prof. Dr. Petraq Milo, në Universitetin “Luarasi”, realizuar në formën e një diskutimi me studentë të këtij universiteti. Si njohës i mirë i ekonomisë,  Prof. Dr. Milo u renditi studentëve aspektet që duhet të kenë parasysh që të ngjisin shkallët e karrierës. “Universiteti Luarasi i implementon këto politika monetare në pedagogji. Në fakt, jo vetëm studentët, por çdo person duhet të ketë dijeni se si funksionon kjo politikë apo edhe pritshmërinë. Këta studentë që nesër mund të bëhen drejtues të Bankës së Shqipërisë apo institucioneve të tjera bankare, duhet të kenë medoemos konceptin e duhur rreth politikës monetare, si zbatohet ajo në vende të tjera të Europës e më gjerë”. Duke marrë parasysh përvojën e gjatë në Bankë e jo vetëm, si ekspert i ekonomisë Prof. Dr. Petraq Milo u tregoi studentëve ato që qëndrojnë në zemër të kësaj politike. “Në thelb të çdo lloj politike monetare dy gjëra janë të rëndësishme: stabiliteti i çmimeve dhe papunësia. Çdo lloj qeverie apo partie qoftë, në politikat e saj monetare që harton, në finale duhet të ketë parasysh këta dy tregues, ndonëse instrumentet që përdoren janë të ndryshme”. Por, sa të gatshëm janë studentët të arrijnë të kenë konceptet e qarta që t’u shërbejnë më tej? Sipas  Prof.Dr. Milos, për ta, rruga është e hapur.

“Studentët e sotëm duhet të krijojnë fillimisht konceptimin e kësaj politike dhe më pas, nëse do të punojnë në këtë sektor, me rëndësi është që politika e tyre të shkojë drejt asaj që diskutuam, stabilitetit të dy gjërave kryesore të një vendi, çmimet dhe papunësia”. Gjatë analizës së politikës monetare në Bankën e Shqipërisë, eksperti i njohur bëri publike disa të dhëna dhe konkluzione të aktivitetit të saj gjatë një viti. “Në fund të vitit të kaluar, norma bazë e interesit ka zbritur në minimumin e saj historik, 2.25%. Për përcjelljen e stimulit të saj monetar, Banka e Shqipërisë përdori kuadrin e zakonshëm të instrumenteve të injektimit të likuiditetit, si dhe në përputhje me praktikat botërore sinjalizimin e kahut të politikës monetare në të ardhmen. Nëpërmjet politikës monetare dhe instrumenteve operacionale të realizimit të saj, BSH vazhdon të sigurojë një ambient me çmime të qëndrueshme”.

Nëpërmjet leksioneve të hapura, Universiteti Luarasi u jep mundësi vazhdimisht studentëve që të marrin dije jo vetëm në teori, por edhe me shembuj e raste konkrete, përvojën më të mirë të ekspertëve vendës e të huaj.