Politikat Ekonomike dhe e ardhmja e Bashkimit Europian

 Maçães: Të reformohet sistemi i Drejtësisë, media të lira dhe stabilitet në ekonomi

 Anëtarësimi në BE, zyrtari portugez leksion te “Luarasi”
 
Dhënia e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian u dedikohet reformave të ndërmarra. Por anëtarësimi kërkon që këto reforma të nisura të çohen përpara. Ky mesazh erdhi nga sekretari portugez i Shtetit për Çështjet Europiane, Bruno Maçaes. Gjatë një leksioni të hapur me studentët e Universitetit “Luarasi”, zyrtari i lartë e vuri theksin në reformimin e sistemit të Gjyqësorit dhe në stabilitetin e brendshëm ekonomik. “Ne dhamë një vendim të rëndësishëm qershorin e kaluar, kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE. Unë isha në mbledhjen e Këshillit kur u mor ky vendim. Ishte një rezultat i reformave që janë ndërmarrë. Është shumë e rëndësishme të vijohet me këto reforma si reforma në sistemin e Drejtësisë, në mediat e pavarura, dhe gjithashtu në kuadër të krijimit të një tregu kompetitiv ekonomik. Për të siguruar këtë konkurrueshmëri duhet të krijoni një ekonomi me konkurruese që të jeni pjesë e Bashkimit Europian. Procesi ka filluar, rruga është e gjatë. Ndodhem këtu për t’ju inkurajuar që t’i realizoni këto reforma. Sfidat e Shqipërisë nuk ndryshojnë shumë nga vendet e Ballkanit. Ne po shikojmë reforma të mira të ndërmarra në kuadrin e administrimit lokal dhe publik”, tha sekretari portugez i Shtetit për Çështjet Europiane. Për më shumë se një orë, studentët e Universitetit “Luarasi” u njohën me politikat ekonomike që duhet të ndërmerren drejt anëtarësimit në familjen e madhe europiane. Në fund të leksionit, studentët patën mundësi të drejtonin pyetje mbi çështje të ndryshme për të cilat kishin interes. Sipas zyrtarit të lartë portugez, tri janë sfidat me të cilat përballet Bashkimi Europian aktualisht: tregjet financiare, tregtia dhe politika e jashtme. Por, pavarësisht kësaj, Bruno Maçães nuk ngurroi ta cilësonte si joshëse zonën euro. Kjo për shkak të lajmeve të mira që vinin prej saj. Zyrtari i lartë u ndal edhe në zhvillimet e fundit, duke shpjeguar ndikimin që kanë partitë ekstremiste dhe politikat që duhet të ndërmerren që BE të fitojë pozitat e dikurshme. Ndalesa e tij në Universitetin “Luarasi” ishte pjesë e axhendës, në kuadër të një vizitë zyrtare që po zhvillon në vendin tonë.

Rruga drejt anëtarësimit 
Në qershorin e vitit që lamë pas, vendi ynë mori statusin e vendit kandidat. Por, muaj më vonë, Bashkimi Europian doli me vendimin për të stopuar anëtarësimet e reja për një periudhë 5-vjeçare. Maçães  nënvijëzoi se zgjerimi i BE është ndalur deri në vitin 2020, por kjo nuk do të thotë ngadalësim i negociatave dhe reformave që duhet të bëhen.