PREZANTIM DHE DORËZIM I REKOMANDIMEVE TË “HackDay#IntegrimBE” NË PARLAMENTIN E SHQIPËRISË

Në Kryesinë e Kuvendit, Parlamenti i Shqipërisë

Më datë 10 maj 2016 ora 10:00, Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës organizoi përgatitjen, koordinimin dhe pjesëmarrjen e një grupi prej 4 studentësh të SHLUJ “Luarasi” në prezantimin dhe dorëzimin e Rekomandimeve të HackDay #IntegrimBE, të përzgjedhur gjatë diskutimit të hapur “HackDay#IntegrimBE” më 25 prill 2016, event i organizuar nga Rrjeti i Informimit i Bashkimit Europian-EU Info Network.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, përmes Rrjetit të Informimit të Bashkimit Europian organizoi HackDay#IntegrimBE, një platformë inovative debati që bashkoi më shumë se 1000 studentë, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të komunitet Rom, profesorë dhe media nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Korça, Vlora, Peshkopia dhe qytete të tjera, për të diskutuar, debatuar dhe ofruar rekomandime konkrete për secilin nga 5 prioritetet kyçe të integrimit të Shqipërisë në BE.

“Demokraci do të thotë pjesëmarrje dhe ne kemi nevojë për ju. Demokracia është dije, kështu që mësoni, jini kuriozë dhe të arsimuar. Shpresoj të kem takuar sot kryeministrin e ardhshëm, deputetët e Parlamentit dhe drejtuesit e ardhshëm të këtij vendi.” – inkurajoi Ambasadorja Vlahutin të rinjtë pjesëmarrës ditën e ceremonisë së dorëzimit në Parlamentin Shqiptar të Rekomandimeve të HackDay‪#‎IntegrimBE.

Nënkryetarja e Parlamentit zj. Valentina Leskaj priti të rinjtë nga Tirana, nga SHLUJ “Luarasi” dhe nga universitetet e tjera të Shkodrës dhe Vlorës, duke theksuar se rinia shqiptare dhe zëri i tyre është zemra e procesit të integrimit.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të Rekomandimeve të HackDay‪#‎IntegrimBE, të rinjtë sugjeruan përmirësimin e shërbimeve të ofruara nga institucionet shqiptare për qytetarët, rekomandime konkrete për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e grupeve vulnerabël, ofrimin e shërbimeve më të mira nga institucionet publike, si dhe për avancimin e reformës në drejtësi. Përfaqësuesit e SHLUJ “Luarasi” ishin studentët e Fakultetit të Drejtësisë Rovalda Mema dhe Gjergji Majko, ndërsa nga Fakulteti i Ekonomisë ishin studentët Arisa Lleshi dhe Agli Plaku.

Përgëzojmë studentët tanë duke i mbështetur në vijimësi në pjesëmarrjet e tyre dinjitoze!