Programi “Work & Travel in USA”

Në SHLUJ “Luarasi” prezantohet Programi “Work & Travel in USA” nga Agjencia “Tandek”

SHLUJ “Luarasi” u ofron vazhdimisht studentëve leksione të hapura, seminare, konferenca, prezantime dhe promovime të personaliteteve të njohur vendas dhe të huaj të arsimit, shkencës, kulturës, si dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme, me qëllim zgjerimin e njohurive në formimin e tyre profesional dhe pasurimin me elementë praktikë, si dhe përgatitjen e tyre për përballjen me mundësitë që iu ofron tregu i punës. Në kuadër të këtyre iniciativave, më datë 10 Mars 2015 u prezantua nga Agjencia “Tandek” programi i mirënjohur për studentët “Work & Travel in USA”. Ky është program i shkëmbimit kulturor që i lejon studentët ndërkombëtarë, të cilët frekuentojnë me kohë të plotë një SHLUJ të akredituar dhe që kanë njohuri të gjuhës angleze, të punojnë dhe udhëtojnë në ShBA gjatë periudhës së verës.

“Tandek” i njohu studentët e “Luarasit” me kriteret dhe procedurat e regjistrimit, si dhe destinacionet turistike për të punuar e vizituar. Krahas përfitimit material, gjatë qëndrimit në ShBA, studentët përmirësojnë komunikimin në gjuhën angleze, krijojnë eksperienca dhe miqësi të reja nga e gjithë bota, punojnë me kulturë amerikane dhe vizitojnë vende të ShBA-së të cilat i kanë parë vetëm nëpër filma. Programi “Work & Travel” është shumë popullor në vende të ndryshme të botës dhe dëshmohet nga pjesëmarrësit si përvojë unike e cila përjetohet gjatë periudhës studentore. Arisa Lleshi, studente e ekselencës së Fakultetit të Ekonomisë në SHLUJ “Luarasi”, ndau në auditor përvojën e saj të kaluar në ishullin e famshëm të Martha’s Vineyard në shtetin e Massachusetts, të cilin mendon ta vizitojë edhe këtë verë. Ajo e theksoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e agjencisë “Tandek” për ta bërë këtë ëndërr realitet.

Këto përvoja dhe praktika profesionale, janë elementë shumë të rëndësishëm që ndikojnë në formimin e studentëve, duke i plotësuar ata me ide dhe përvoja praktike të cilat ndihmojnë si një avantazh konkurrues në tregun e punës.

Informacion më të detajuar të programit dhe agjencisë “Tandek e gjeni në faqen e internetit www.tandek.al .

SHLUJ “Luarasi” do të vazhdojë më tej me programe dhe aktivitete të këtij lloji e më gjerë, në mbështetje të studentëve të tij.