REKTORI MALAJ: UNIVERSITETI “LUARASI”, SË SHPEJTI ME QENDËR KËRKIMORE SHKENCORE

REKTORI MALAJ: UNIVERSITETI “LUARASI”, SË SHPEJTI ME QENDËR KËRKIMORE SHKENCORE
Studentët e Universitetit “Luarasi” do të kenë takime periodike me ambasadorin amerikan Donald Lu, ndërkohë që synimi kryesor i universitetit është krijimi i një qendre kërkimore shkencore, që do të ndihmohet përmes programeve të SHBA-ve. Ky lajm u bë i ditur nga rektori i Universitetit “Luarasi”, Arben Malaj, gjatë një leksioni të hapur me studentët, ku i ftuar për të diskutuar ishte shefi i zyrës për marrëdhëniet me publikun në ambasadën amerikane, z. Ryan Roberts. Pasi ka diskutuar me studentët për sfidat e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai u ka kërkuar të rinjve të jenë pjesë aktive e shoqërisë. “Jam i nderuar që kam ardhur për t’u folur studentëve të Universitetit ‘Luarasi’.

Sot folëm për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E di që shumë njerëz janë të interesuar për procesin zgjedhor në vendin tim. Shpjegova sesi funksionon demokracia në disa vende të botës, shpresoj t’i kemi motivuar që të rinjtë shqiptarë të përfshihen pak më tepër në demokracinë e vendit të tyre. Jam vërtetë i impresionuar me të rinjtë shqiptare. Në këtë klasë, ata u përfshinë në diskutime dhe bënë pyetje kuptimplota. E them gjithmonë që rinia shqiptare është shpresa e këtij vendi dhe e ardhmja.

I inkurajoj të ndjekin pasionet dhe të përfshihen në shoqëri në të gjitha mënyrat që ata dëshirojnë”, – tha shefi i zyrës për marrëdhëniet me publikun në ambasadën amerikane, z. Roberts. Sakaq, rektori i Universitetit “Luarasi”, profesor Arben Malaj thekson se me zyrtarin amerikan u diskutuan disa projekte dhe bashkëpunime potenciale mes universitetit dhe ambasadës amerikane, si krijimi i qendrës kërkimore shkencore dhe takimet periodike me ambasadorin.

http://www.balkanweb.com/gazetashqiptare/rektori-malaj-universiteti-luarasi-se-shpejti-me-qender-kerkimore-shkencore/