SHLUJ “LUARASI” NË NJË AKTIVITET TË PËRBASHKËT ME MINISTRIN E SHTETIT PËR ÇËSHTJET VENDORE DHE AMBASADËN E POLONISË NË TIRANË

 

Z.Pawl Swianiewicz, këshilltari i Presidentit polak për çështjet e qeverisjes vendore, njëkohësisht edhe profesor në Universitetin e Varshavës

Ambasadori polak në Shqipëri, Marek Jeziorski dhe Paëel Swianiewicz, këshilltar i Presidentit për çështjet vendore në Poloni zgjodhën Universitetin “Luarasi” për të ndarë eksperiencën polake të menaxhimit lokal në një seminar të organizuar nga Ambasada Polake në Shqipëri, Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore dhe Universiteti “Luarasi”. Duke marrë shkas dhe nga reforma territoriale që po merr jetë në vendin tonë, dy politikanët e huaj dhanë shembullin polak dhe gabimet e bëra gjatë transformimit, që do t’i shërbejë vendit tonë për t’i shmangur ato në rrugën e reformës. “Mendoj se reforma është një shans për ju, por ky shans nuk mund të materializohet pa hapat që do të ndërmerren më vonë. Nuk mund të them plotësisht se ky ndryshim është radikal, por ajo që është e rëndësishme është që diskutimi të mos përqendrohet vetëm te harta, pasi ajo është vetëm një element. Më shumë rëndësi kanë alokimet e fondeve, financimi i pushtetit vendor dhe se si ky i fundit do të menaxhojë financat”, theksoi Swianiewicz. Si njohës i mirë i çështjeve territoriale, Swianiewicz bëri të ditur se një ndryshim i tillë rrënjësor që pritet të pësojë vendi ynë brenda pak muajsh do të ketë edhe defekte, për të cilat qeveria duhet të punojë fort për t’i minimizuar. “Reforma territoriale do të sjellë shkurtim të punonjësve të administratës vendore. Çështja e largimeve nga puna është një problem, por nuk ka dobishmëri për komunitetin nëse reforma nuk kalon, vetëm me qëllimin për t’i mbajtur ata në punë. Nuk di të them detaje se si do të veprojë qeveria me ta, por do të habitesha nëse nuk ka një plan”.

Pasi falënderoi Universitetin “Luarasi” për këtë organizim me vlerë, ambasadori i Polonisë në Shqipëri, Marek Jeziorski, u shpreh i privilegjuar që pas shumë vitesh, vendi i tij po shërben si shembull dhe stimul për menaxhimin lokal në Shqipëri. “Erdhëm të ndajmë eksperiencën tonë 25-vjeçare në fushën e administrimit territorial, një nga transformimet më të rëndësishme jo vetëm politike, por për të gjithë qytetarët. Kjo reformë për Shqipërinë do të jetë një hap pozitiv për integrimin në Unionin Europian”.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe ministri i shtetit për Çështjet Vendore, Bledar Çuçi, i cili pranoi se ka pasur njohje të hershme me ekspertin polak, nga i cili po merr këshillat e duhura që reforma e implementuar tashmë në vend të ketë qasje pozitive për qytetarët.

Gjatë seminarit pati edhe një minutazh pyetje-përgjigje me studentët e Universitetit. Organizimi i leksioneve të hapura apo seminareve me tematika aktuale janë kthyer tashmë në traditë për Universitetin “Luarasi” duke u shërbyer studentëve të njihen jo vetëm teorikisht me koncepte, por edhe të përfitojnë maksimalisht nga përvoja praktike, falë takimeve e leksioneve me personalitete vendëse e të huaj.

Dy vende, një histori

Shqipëria dhe Polonia kanë pasur në thelb një histori, dy vende ish-komuniste që kanë pësuar një transformim rrënjësor, ndonëse Polonia është disa hapa përpara. Rektori i Universitet “Luarasi”, Hirakli Koçollari, në fjalën e çeljes së seminarit theksoi se duhet përfituar maksimalisht nga ky shembull. “Eksperiencat e Polonisë pa dyshim i shërbejnë prosperitetit të vendit tonë, janë piketa orientuese drejt rrugës për të mos gabuar. Bashkëpunimi i hershëm, por dhe eksperiencat e veçanta në fushën e administratës dhe pushtetit lokal do të jenë me vlerë për ne”.

 

 

ARTIKULL NË GAZETËN SHQIPTARE – 16/05/2015

http://balkanweb.com/gazetashqiptare/luarasi-leksion-te-hapur-me-keshilltarin-e-presidentit-polak/