Artikull në Revista Mapo.al
Konferenca III Shkencore e Forumit të Pavarur të Rektorëve
Në mjediset e Kolegjit Universitar “Luarasi” është mbledhur ditën e shtunë konferenca e tretë shkencore e Forumit të Pavarur të Rektorëve, ku u diskutua për sfidat e ardhshme të sektorit privat të arsimit të lartë në 15–vjetorin e krijimit të tij. E pranishme ishte edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila u shpreh e gatshme të vërë në jetë sugjerimet e dala nga kjo konferencë
Ashtu siç ishte lajmëruar edhe në takimin e tretë të Forumit të Pavarur të Rektorëve në fund të vitit të kaluar, në Durrës, ditën e shtunë është zhvilluar konferenca e tretë shkencore e këtij forumi, në mjediset e kolegjit universitar “Luarasi”, ku të pranishëm ishin rektorët e institucioneve të arsimit të lartë privatë si edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla.
Kjo konferencë e zhvilluar në 15–vjetorin e themelimit të sektorit privat të arsimit të lartë kishte në fokus sfidat e tashme dhe ato të së nesërmes lidhur me arsimin e lartë në përgjithësi dhe sektorin privat në veçanti.
Në fjalën përshëndetëse, rektori i kolegjit universitar “Luarasi” Ethem Ruka u ndal në historikun e arsimit të lartë, pas tranzicionit, duke e ndarë në tri etapa; nga vitet ’90 e deri në vitin 2003, më pas me lindjen edhe lulëzimin e arsimit privat deri në vitin 2013, ku nuk munguan edhe problemet e këtij sektori, ndërsa e quajti etapën e tretë, atë nga viti 2013 e deri më sot një fazë disiplinimi të arsimit të lartë, bazuar në legjislacion dhe kritere të forta në rritjen e cilësisë dhe dhënien e diplomave të merituara.
“Kishte ardhur koha për një ndryshim thelbësor. Qeveria Rama 1 dhe zonja Nikolla në vitin 2013 ndërmorën një reformë shumë të thellë për ta disiplinuar me një ligj arsimin e lartë, duke bërë një skaner të shkollave të larta. 18 shkolla të larta të mbyllura. Ky është guxim i madh për të vënë rregull në këtë lloj arsimi. Duke vendosur rregullin e parë për arsimin e lartë në Shqipëri. Sot arsimi i lartë është i certifikuar. Mesatarja e akreditimit është 4 vite” –tha Ruka, ndërsa tha se reforma po thellohet. “Për mua është e rëndësishme që paragjykimi për arsimin e lartë në Shqipëri ka përfunduar. Jemi në një etapë të dytë, ku shoqëria shqiptare e ka kuptuar që këto institucione që kanë mbetur në këmbë janë në përputhje me ligjin. Në qoftë se ka një mjet ky vend për të mbytur varfërinë është dija”, përfundoi Ruka, ndërsa adresoi edhe disa probleme, ndër to paqëndrueshmëria e stafeve apo edhe numri i ulët i studentëve që i drejtohet sektorit privat, për shkak se universiteti publik ka rritur kuotat e pranimeve. “Në fund është ekonomi tregu. Nuk janë të rëndësishme vetëm infrastrukturat, por edhe burimet njerëzore të kualifikuara për mësimdhënie me nivel të lartë, që të nxjerrim një produkt me vlerë për vendin dhe ekonominë. Arsimi i lartë privat dhe publik në fund të fundit kanë një terminal; e mira publike është një. Diplomat që japim ne dhe universitet publike janë të njëvlershme” –përfundoi rektori Ruka, ndërsa ministrja Nikolla u ndal tek arritjet e reformës së arsimit të lartë, duke kulmuar me mbylljen e 18 IAL-ve që nuk i përmbushnin kriteret dhe pas kësaj faze flitet për standarde në arsimin e lartë, të unifikuara edhe nga akreditimi i universiteteve.
“Jam besimplotë që edhe ky forum do jetë një ditë angazhimesh të reja për të përmbushur ato që janë parësore për të gjithë sistemin tonë arsimor të lartë në drejtim të cilësisë. Falënderoj profesorin për rezymenë e punës që bashkë me ju për të ndëshkuar një sistem fiktiv në arsimin e lartë që u rrënua, u përmbys me mbylljen e 22 universiteteve private dhe një akademia të arsimit të lartë publik. Ishte një hap i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm për të thënë që kemi një nivel të arsimit të lartë siç do donim. Besoj se ky forum do adresojë në mënyrë shteruese momentet kryesore. Në këtë forum do doja të shprehja një dëshirë, që në të ardhmen të mos jemi të ndarë forumi i rektorëve të arsimit të lartë jopublik dhe publik sepse çështjet me interes për arsimin e lartë i kemi të përbashkëta”, -tha Nikolla, ndërsa shtoi se po punohet me nxjerrjen e akteve nënligjore të ligjit të arsimit të lartë, ku deri më tani janë miratuar 20 vendime të Këshillit të Ministrave, 6 udhëzime të ministrisë, si edhe priten 6 VKM-të e fundit për t’i plotësuar kështu aktet nënligjore.
Privat –Publik, Parimi një kut një masë vetëm te kuotat e pranimeve
Gjatë një diskutimi të shkurtër në panelin e parë të konferencës, rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj i tha ministres Nikolla se Forumi i Pavarur i Rektorëve nuk ka tentuar të ka tentuar të zëvendësojë konferencën e rektorëve. “Edhe në aktin e themelimit tonë e kemi qartësuar se është organ këshillimor për të adresuar së bashku disa nga shqetësimet tona. Konferenca e Rektorëve, nga ana tjetër, është detyrim ligjor edhe pse organ këshillimor. Ne e dimë arsyen se pse nuk mblidhet e nuk ka të bëjë me sektorin privat, por atë shtetëror dhe me rektorin e Universitetit të Tiranës, që është i komanduar në krye të kësaj konference për pak kohë, që brenda muajit shkurt të mbledhim konferencën e rektorëve, që ka më shumë se një vit që nuk mblidhet” –tha Gjuraj, ndërsa tha se universiteti shtetëror duhet të kalojë në procesin e akreditimit të programeve. “Në emër të parimit një kut një masë që zonja ministre ka bërë përpjekje ta instalojë. Ende nuk ka ndodhur dhe presim të ndodhë. Ne, si sektor privat prej fillimit jemi në proces akreditimi e riakreditimi, në përputhje të plotë me legjislacionin”.
Gjuraj gjithashtu ka folur edhe për rritjen e kuotave të pranimit nga universitetet publike.
“Kemi rritje të kuotave në emër të autonomisë universitare, për shkak se ligji ua ka krijuar këtë autonomi, por çdo pranverë verifikohen kapacitet fizike dhe burimet njerëzore, që ne të gjithë u nënshtrohemi dhe, nuk rezulton që të jenë shtuar kapacitet fizike dhe burimet e këtij sektori, ndërkohë që shtohen kuotat” –tha Gjuraj, duke shtuar se kjo e ka dëmtuar sektorin privat, i cili nga ana tjetër monitorohet në çdo detaj. “Ne e pranojmë dhe jemi të hapur për këtë, por duhet të ndodhë edhe me sektorin tjetër. E them këtë vetëm në emër të konkurrencës; ku ka konkurrencë, ka edhe cilësi. Le të ecim drejt të dy sektorët pa asnjë lloj avantazhi dhe disavantazhi”.
Ministrja Nikolla iu përgjigj z. Gjuraj se do të operohet me mbledhjen e konferencës së rektorëve dhe se tek universitetet publike do të nisë procesi i akreditimit të programeve. “Kemi edhe një risi, si detyrim i ligjit, për të matur kënaqësinë studentore; anketën studentore në të gjithë institucionet e arsimit të lartë, pa dallim për ta kthyer në vlerësim të jashtëm të institucioneve”, -tha Nikolla, duke folur edhe për kuotat e pranimeve në universitetet publike, të miratuara konform standardeve.
Konferenca e Rektorëve, të zhbllokohet vendimmarrja
I pranishëm në këtë konferencë, Besnik Aliaj nga universiteti “Polis” gjithashtu u ndal te pranimet në universitete, si edhe te konferenca e rektorëve. “Sa iu përket pranimeve në universitet dhe kushtin e notës mesatare që për mua ka qenë hap i rëndësishëm që ka synuar të ngrejë cilësinë e pranimit në universitet. Jo çdo njeri që mbaron shkollën e mesme duhet të shkojë në të lartën. Por duhet të ketë alternativa; hapja e sektorit post sekondar, në drejtim profesional, është e mirë. Pro dua të ngre një shqetësim që e shoh të lidhur me territorin dhe burimet”, -tha Aliaj, duke shtuar se ky është një moment delikat që lidhet edhe me rënien e demografisë së popullsisë dhe rritje e emigracionit për faktorë të ndryshëm. “Është koha të shihet çështja e mesatares jo në mënyrë strikte. Shqipëria ka nevojë për njerëz të mirarsimuar, po të shohim numrin e të arsimuarve për njëmijë banorë Shqipëria ka indikatorët më të dobët në Europë dhe rajon. Duhet të rritet niveli i arsimit të lartë, por po ta shohim në aspektin e zhvillimit të vendit të vendoset në balancë cilësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor që janë vënë në diskutim”, –tha ai, ndërsa u ndal te Konferenca e Rektorëve, të cilët i inkurajoi të marrin angazhim qytetar. “Së bashku me disa kolegë vite më parë kemi ngritur çështjen që kjo konferencë nuk duhet të funksionojë mbi bazën e zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë, sepse kjo ka mohuar edhe vetë funksionimin e demokracisë”, -tha ai, duke shtuar se duhet zhbllokuar vendimmarrja.
“Zgjedhja e kryetarit të kësaj konferenca ka qenë dekoratë, por nuk i ka shërbyer as forumit, as sektorit. Zhbllokimi i kësaj edhe në formë ligjore do të ishte gjë e mirë. Nuk ka qenë e aftë të tregojë nivelin intelektual për ta zgjidhur”- përfundoi ai, duke thënë se ministria të marrë përgjegjësinë për të ndërhyrë e të ftojë çdo rektor të marrë pjesë në mbledhjen që konstituon vazhdimësinë.
Tonin Gjuraj; Suksesi i vetëm i reformës nuk mund të jetë mbyllja e 18 IAL-ve
Gjatë kumtesës së tij, rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj u ndal te tri asimetri në arsimin e lartë, që sipas tij Ligji për Arsimin e Lartë ende nuk i ka zgjidhur.
“Në shkurt të 2016-ës u organizua një forum publik nga Akademia jonë e Shkencave dhe në atë kohë kontribuova me një kumtesë për asimetritë që do të rregullonte ligji i ri i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Kisha parasysh rri asimetri që sipas meje dhe optimizmit me të cilin karakterizohesha atë kohë, dukej një premisë e mirë për të rregulluar disa prej asimetrive”, –tha Gjuraj duke u ndalur së pari, në çështjen e financimit të universiteteve, ku universiteti publik me gjithë rritjen e autonomisë që i ka dhënë ligji, vijon të financohet në njëqind për qind nga buxheti i shtetit. “Nga atëherë e deri sot vijojmë të kemi një universitet të financuar tërësisht nga buxheti i shtetit dhe sektori i privat nga tarifat e studentëve. Nëse dikush mund të më thotë se nga atëherë e deri tani kjo asimetri është zgjidhur, ku ligji thoshte se financimi të kishte burime të tjera alternative-gjithçka e ligjshme – nga pushteti lokal, bizneset etj. Kjo nuk ka ndodhur. Ligji i ri nuk e ka zgjidhu”.
Gjuraj gjithashtu u ndal te programet e studimit me rëndësi kombëtare, të cilat nuk preferohen nga studentët, degë si arkeologjia, gjuhësia, albanologjia, gjuhët e vdekura etj., të cilat sipas ligjit të ri do të ofronin mbështetje me bursa apo burime të tjera alternative. “Ligji supozohej t’i mbështeste me bursa dhe të orientonte drejt ato universitete që i kanë këto programe, por vijon e njëjta situatë, madje edhe më e thelluar, sepse Ministria vijon të mbështesë pafund programe studimi që i garanton tregu. Përse duhet t’i mbështesë këto programe në shtet kur i rregullon tregu?! Edhe një asimetri e tillë që supozohej ta rregullonte ky ligj, nuk e ka zgjidhur”.
Gjuraj u ndal edhe te tensioni i krijuar mes masivizimit dhe cilësisë, që sipas tij mund të bashkëjetojnë, duke sjellë shembullin e sistemit amerikan të arsimit të lartë. “Diçka të tillë ligji ende nuk e ka zgjidhur. Janë masivizuar dhe shtuar kuotat te sektori shtetëror, por nuk janë shtuar kapacitet fizike, burimet njerëzore etj. Kjo nuk ka ndodhur dhe cilësia kryesisht ka prekur sektorin tonë; akreditime, riakreditim …”. Gjuraj bëri me dije se është njoftuar se do të ketë një verifikim të dytë të kritereve të ligjshmërisë. “E sigurt që do të nisë me sektorin privat, në një kohë kur e kemi përfunduar me shumë sukses të parin. “Nga viti 2013 po kalojnë 5 vite dhe vazhdojmë të themi: “U mbyllën 18 IAL”. A është ky i vetmi sukses dhe pas viteve vijon të quhet sukses fakti që u mbyllën 18 IAL? Ato që kishin shkelur ligjin, në përputhje me verifikimet u mbyllën. Tani të përqendrohemi te çështja e cilësisë. Që sipas meje nuk e ka peshën e duhur dhe besoj se ky sektor, do të jetë nën presionin e madh të vlerësimeve, licencimeve, akreditimeve. Do të shihet me lupë në sektorin tonë dhe sipas meje dhe duke iu referuar ligjit nuk ka ndryshuar sjellja te Shtetërori. Parim i një kut një masë është vetëm te kriteret e pranimit, në çështje të tjera jo”.
Gjuraj tha se sektori privat është zgjidhja dhe jo problemi. “Çfarë është sektori privat? Është alternativ? Përplotësues? Një sektor i cili është zgjedhje e parë për maturantët apo një opsion i fundit? E kam të vështirë ta shpjegoj. Situata është konfuze. Kur i intereson sektorit tjetër thotë se është alternativë e fundit. Kjo nuk është e vërtetë . Akreditimi institucional apo riakreditimi provoi krejt të kundërt”, -tha Gjuraj.
Ai u ndal sërish tek aktet nënligjore, duke thënë se shumë të tjerë duhet të kishin kaluar me kohë. “Konkurrenca mes ofruesve imponon disiplinë dhe sjellje të përgjegjshme mes aktorëve, por ende nuk e kemi të tillë. Duke zbatuar rregulla të njëjta të sektorëve, ministria kufizon veten në mbikëqyrjen e operatorëve sipas parimit një kut një masë. Qeveria duhet të ketë vizion të qartë për përdorimin me eficiencë të taksapaguesve duk i hapur gradualisht universitetet shtetërore ndaj konkurrencës, kjo do i bëjë të përgjegjshëm”, -tha Gjuraj, duke insistuar në dhënien fund të dy standardeve sa i përket mbikëqyrjes së arsimit të lartë.
“Kjo asimetri ende e fortë, edhe pse universitet private kanë përvojë 15-vjeçare, besoj është e dëmshme për të dyja palët. Duhet të reformojmë cilësinë në arsimin e lartë duke ndërtuar një platformë unike, duke shmangur abuzuesit e sistemit; universitetet që punojnë për shitje diplomash. Sfida na takon të gjithëve dhe në këtë proces nuk mund të ketë free riders”, përfundoi Gjuraj, duke shtuar se ministria duhet të jetë më fleksibël në miratimin e programeve të reja studimore që i kërkon tregu që zhvillohet me shpejtësi e nuk pret dot vonesat burokratike si edhe krijimi i mobilitetit për studentët në transferimet e programeve të studimit, mbi baza semestrale dhe jo vjetore.
Revista mapo.al
Shkruar Nga Enton Palushi