Artikull në GAZETËN PANORAMA – 06.12.2016
PROF. DR. ARBEN MALAJ*
MSC SPIRO PACO*
Kjo përgjigje e ishSekre tarit të Shtetit amerikan Henry Kissinger ( 1973 – 1977 ) vlen për politikën kudo, sidomos tani kur fitoret elektorale janë më shumë produkt i menaxhimit populist të shqetësimeve kritike të një pjese të shoqërisë, sesa rezultat i një gare të vërtetë vlerash, idesh dhe alternativash për të ardhmen.
Pjesa e varfër që përfaqëson 40% të popullsisë ndikoi në rezultatet e referendumit për Brexit dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA. Alternativa e qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE u mbështet publikisht nga të rinjtë, komuniteti i biznesit dhe akademikët (http://www.politico.eu/article/britainsyouth-%C2%ADvoted-%C2%ADremain-%C2%ADleave-%C2%ADeu-brexit-%C2%ADreferendum-%C2%ADstats/), por opsioni i tyre për të qëndruar në BE dështoi përballë populizmit dhe alternativës së frikës. Strategjitë e fitoreve të zgjedhjeve po bazohen gjithnjë e më shumë te frika dhe jo tek alternativat konkurruese për një të ardhme më të mirë.
Përballë populizmit dhe radikalizimit në rritje është në interesin tonë kombëtar që politikanët, por edhe faktorët e tjerë të mësojnë se zhvillimi i qëndrueshëm, zhvillimi që prodhon mirëqenie dhe lufton plagët sociale, si varfërinë, papunësinë dhe thellimin e pabarazisë, duhet të jetë prioriteti ynë kombëtar. Vendosja e këtyre objektivave sociale si prioritete kombëtare nuk cenon, deformon apo ngushton konkurrimin politik. Ai kufizon populizmin, radikalizmin e politikës dhe shoqërisë.
Ky këndvështrim orienton politikën drejt konsensusit dhe kompromisit për prioritetet kombëtare ekonomike, sociale dhe gjeopolitike. Disa nga prioritetet tona kombëtare mund ta ndihmojnë në uljen e tensioneve ndërpartiake, acarimet parlamentare, agresivitetin elektoral. Arritja e tyre do të ishte e pamundur pa një kulturë të re politike, të cilët mund dhe duhet ta kultivojnë te liderët në politikë, në biznes, në universitete dhe OJQ.
Sidomos tani në kushtet kur vendi ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm historik, hapjes së negociatave me BE, ku përfitues të përveçëm nuk ka, por ka bashkëvuajtësit e përbashkët nga pengesat dhe vonesat tona. Është momenti për t’i lexuar me shumë kujdes mesazhet që vijnë nga zhvillimet e fundit me Brexit dhe fitoren e presidentit Trump në SHBA. Pavarësisht dallimeve midis këtyre dy zhvillimeve, ato kanë një të përbashkët, efektin elektoral të rritjes së papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë. Vota abstenuese apo kundër po ushqehet nga rritja e frikës nga disa zhgënjime nga globalizimi, zhgënjime që zbehin dhe vrasin shpresën për të ardhmen.
Mosrritja e të ardhurave reale prej disa dekadash, rritja e papunësisë, rënia e kredibilitetit publik të politikanëve, zhgënjimet reale nga premtimet vetëm për të fituar zgjedhjet, po favorizojnë rritjen e populizmit dhe radikalizmit. Pragmatizmi elektoral e politik i konkurruesve shpesh ka dëmtuar kredibilitetin, rënia e të cilit ka shkaktuar mungesë besimi publik dhe ka ushqyer krizat socialepolitike post elektorale dhe dështimet e paralajmëruara të fituesve populistë, nacionalistë apo radikalë.
Përballë trendit të përkeqësuar të zhvillimeve politike në botë, ku në jo pak vende po rritet ndikimi politik i forcave radikale në të djathtën apo të majtën e spektrit politik, këshilla që jepet sot për politikanët dhe jo vetëm për ata, është që të gjejnë pikat e konsensusit dhe kompromiseve për prioritetet kombëtare se sa të qëllojnë nga llogoret ideologjike, populiste, nacionaliste dhe radikale çdo konkurrent dhe kundërshtar të tyre, duke i hapur rrugën pasigurisë dhe frikës, e cila vret shpresën dhe demokracinë. Është pikërisht edhe kjo intervistë e z. Henry Kissinger, një prej mendjeve më të ndritura aktuale në analizat e zhvillimeve në Amerikë, por edhe në gjeopolitikën globale, ndihmon ta nxisim këtë debat edhe në vendin tonë.
Është pikërisht mbajtja parasysh e interesit kombëtar në çdo angazhim publik dhe politik që duhet të reduktojë qëndrimet strikte ideologjike, grindet dhe akuzat reciproke denigruese. Aktualisht ndodhemi në një moment që Ballkani ka fituar paqen, por rrezikohet të humbasë luftën me varfërinë, pabarazinë, krimin e organizuar dhe, për më tepër, luftën për të ushqyer shpresën, për të motivuar pozitivisht çdo individ dhe faktorë socialë e politikë në shoqëri.
Duke respektuar këshillën e z.Kissinger është në interesin tonë kombëtar që jo vetëm liderët politikë, por sidomos ata të mësojnë se: Lufta kundër papunësisë dhe pabarazisë, reduktimi dhe jo thellimi i pabarazisë, trajtimi dinjitoz i çdo pjesëtari të shoqërive tona është thelbësore për të ardhmen tonë të përbashkët, ndaj duhet të jetë prioriteti i prioriteteve kombëtare. Kjo nuk kërkon të fshihen dallimet midis partive politike, por të kufizohen efektet e politikave populiste që lehtësojnë fitoret elektorale, por dëmtojnë të ardhmen e vendit. Ky këndvështrim lehtëson edhe arritjen e konsensusit dhe kompromisit për reforma prioritare, përfitimet e të cilave nuk mund të jenë kurrë individuale apo partiake.
Fitoret politike nuk duhet të synohen duke rritur frikën, por duke maksimalizuar shpresën. Integrimi europian duhet të jetë për këdo parti politike një çështje madhore e interesit kombëtar. Kriza aktuale e BEsë, BREXIT, dhe çdo zhvillim tjetër, nuk duhet ta zbehë sado pak përgjegjësinë dhe angazhimin për zgjerimin dhe thellimin e integrimit të vendeve tona dhe rajonit tonë, në organizmat ndërkombëtare të sigurisë dhe ekonomisë. Integrimi europian është e ardhmja jonë më e mirë, jo se do të na sjellë me shumë fonde, por se do të na bëjë pjesë reale të një projekti vizionar që reduktoi konfliktet dhe luftërat, dhe arriti të krijojë prosperitet në kontinentin e gërryer nga nacionalizmi i përgjakur dhe proteksionizmi varfërues.
Pavarësia e gjyqësorit, ndërtimi i shtetit të së drejtës, ndarja, balanca dhe kontrolli i pushteteve, zgjidhja e së drejtës së pronës dhe efektiviteti i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, duhet të jenë prioritare në shërbim të interesit tonë kombëtar. Arsimi, shëndetësia, administrate publike, reforma e pensioneve, politikat e tregjeve të punës fleksible dhe produktive mund dhe duhet të jenë pjesë e kolonave kryesore të reformave afatgjata, për të cilat duhet të synohet koherencë dhe konsensus kombëtar. Mund të ketë më pak ose më shumë fusha në këtë analizë të prioriteteve tona kombëtare, por më e rëndë sishmja është këndvështrimi për zgjidhjen e tyre duhet të ndryshojë.
Interesin kombëtar e gërryejnë qëndrimet strikte dhe radikale politike, e gërryen populizmi dhe radikalizmi. Interesin kombëtar mund ta mbrojë vetëm një përgjegjshmëri e vetëdijshme në raport me të ardhmen. Kjo kulturë e re në politikë ndihmon të arrijmë atë që ende nuk e kemi arritur, zhvillimin cilësor të vendit tonë drejt një prosperiteti në rritje. Pra, është në interesin tonë kombëtar që liderët politikë të ndihmohen të reduktojnë grindjet dhe të ndërtojnë konsensusin dhe kompromiset për të ardhmen më të mirë të çdo shqiptari, pavarësisht bindjeve apo preferencave të tyre partiake.
*Rektor i Universitetit “Luarasi”
*Lektor në Universitetin “Luarasi”
http://www.panorama.com.al/eshte-ne-interesin-tone-kombetar-qe-ata-dhe-ne-te-mesojme/